E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet Eduart Peqini, “Mandela” i tmerrshëm i Elbasanit



I njohur dhe i konsideruar si i tmerrshmi i Elbasanit, mbërrin në Rinas me pranga në duar i vetëquajturi “Mandela”, por krejt ndryshe nga personi të cilit i ka marrë emrin dhe e ka vënë pseudonim, në qytetin ku ushtroi aktivitetin kriminal mbahet mend për vrasje, vjedhje, rrëmbime personi dhe trafiqe të shumta për prostitucion. I njohur si “Mandela” i Elbasanit, pjesë e një bande të përbërë prej tetë personash, të gjithë të komunitetit rom si kapoja i tyre, të akuzuar për vrasje e vjedhje të ndryshme dhe rrëmbime personi, në orët e mesditës së djeshme u ekstradua nga Franca, Eduart Peqini, 44 vjeç, i lindur dhe banues në Elbasan. I arrestuar nga policia franceze në bashkëpunim me informacionin e përcjellë nga Interpoli Shqiptar, sjellja e tij në Rinas është bërë vetëm dje në orën 14:45, nga Parisi për në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, aktiviteti kriminal i të ekstraduarit Eduart Peqini dhe i bandës të njohur ndryshe si “Banda e Mandelës”, ku ky shtetas ka qenë kryetari i saj, përkon me periudhën prill-shtator 1997, dhe konsiston në një sërë aktesh si vrasje, vjedhje me armë dhe me dhunë, plagosje, prostitucion, rrëmbime personash dhe shkatërrim pronash etj. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr. 105, datë 29.09.1999, e ka dënuar shtetasin Eduart Peqini me “burgim të përjetshëm” për kryerjen e veprave penale të “krijimit dhe pjesëmarrjes në bandë të armatosur”, “vrasjeve me paramendim”, “vrasjeve me dashje” të mbetur në tentativë, “vrasjeve me paramendim” e kryer në bashkëpunim, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, “shkatërrim të pronës”, “rrëmbim personi”, dhe “vjedhjes me pasojë vdekjen” parashikuar nga nenet 333, 78 e 25 e 22, 78 e 25 e 22, 150, 78 e 25 e 22, 78 e 25 e 334/2, 109/1 e 334/1, 78 e 334/2, 141 e 334/2, i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Kohët e fundit, në një bankë franceze “Mandelës” i janë sekuestruar rreth 2 milionë dollarë, të cilat "rridhnin" nga trafiku i klandestinëve dhe i prostitucionit. Ai i kishte depozituar këto para me emrin e tij të rremë, për të cilin kishte edhe pasaportën shqiptare. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Francën, në datën 17.05.2001, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Eduart Peqini. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›