Elbasan; Kapet me 30 kg hashash, arrestohet Ermal Shaholli
Policia e Elbasanit kreu arrestimin në flagrancë të shtetasit Ermal Shaholli, 22 vjeç, lindur e banues në fshatin Pojan - Korçë, pasi u kap me afro 30 kg hashash. Sipas policisë, ky shtetas ishte person nën hetim për veprën penale të vjedhjes, me masë sigurimi “detyrim për paraqitje”. Ndërkohë që këtij shtetasi iu vunë pranga, në kërkim është shpallur shtetasi Artan Ago, 32 vjeç, lindur në fshatin Poloskë e banues në fshatin Kuç - Devoll, i dënuar më parë për “trafik të lëndëve narkotike në bashkëpunim”. Gjatë një operacioni të mirëorganizuar nga Sektori Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Seksionin Kundër Narkotikëve të Policisë së Elbasanit, mbi bazën e një informacioni të marrë në rrugë operative, në aksin rrugor Peqin-Elbasan, pranë pikës së karburantit “Alpet”, në hyrje të qytetit Elbasan, nga ana e policisë është konstatuar automjeti “Wolswagen” veturë, me ngjyrë të zezë, me targë KO 7209 B, e drejtuar nga shtetasi Ermal Shaholli, brenda së cilës pasagjer ka qenë shtetasi Artan Ago. Sipas policisë, në këtë moment nga ana e policisë iu dha shenjë automjetit për të ndaluar, por drejtuesi i mjetit me targë KO 7209 B, pasi ndalon për pak sekonda niset me shpejtësi në drejtim të qytetit Elbasan dhe në afërsi të pikës së karburantit “Taçi Oil” ndalon shpejtësinë. Në këtë moment, shtetasi Artan Ago del nga mjeti dhe largohet me shpejtësi në drejtim të fshatit Bradashesh, Komuna Bradashesh - Elbasan, ndërsa shtetasi Ermal Shaholli ndalon mjetin e tij pak metra larg këtij karburanti. “Gjatë kontrollit të mjetit nga ana e policisë, brenda tij u gjendën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale tre thasë plastikë të etikuar me numrat 1, 2 e 3 me ngjyrë të bardhë dhe me shirita blu të lidhur, ku brenda secilit prej tyre ndodheshin nga dhjetë pako të mbështjella me natriban të bardhe, gjithsej 30 pako (tridhjetë) në formë cilindrike, brenda të cilave ndodhej një lëndë bimore në gjendje të thatë me ngjyrë jeshile, e cila për nga karakteristiket dyshohet të jetë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, me peshë të përgjithshme 29 kg e 271 gramë”, - bëjnë të ditur burimet policore. Nga ana e policisë vazhdon puna për kapjen e shoqërimin e shtetasit Artan Ago. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme, për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, që parashikohet nga neni 283 i Kodit Penal.