Falimentimi i Greqise me pasoja te pakontrollueshme

Një falimentim i Greqisë është një rrezik që nuk duam ta ndeshim dhe që nuk mund të kontrollohet. Kjo është deklarata e kancelares gjermane, Angela Merkel gjatë takimit me grupin parlamentar në Berlin. Ndërsa ministri i Financave, Wofgang Schaeuble, i pranishëm në këtë takim u ka thënë parlamentarëve konservatorë se angazhimet ekzistuese të Greqisë mbi reformat nuk do ta ulin borxhin në nivelet e konsideruara të qëndrueshme. Sipas burimeve brenda këtij takimi mësohet se Schaeuble është shprehur se planet aktuale nuk do t’i mundësojnë Greqisë të arrijë objektivat për reduktim të borxhit në 120% të PbB brenda vitit 2020. Sipas ministrit gjerman të financave deri në këtë vit Athina do të arrijë deri në 136% të borxhit. Nga ana tjetër FMN kërkon që raporti borxh/PBB duhet të shkojë deri në 120% për të qenë i qëndrueshëm. Gjithsesi objektivi duket i pamundur dhe sipas burimeve trojka do të pranonte një shifër rreth 125% të borxhit. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë në parlamentin gjerman se do të ishte e rrezikshme ta lemë Greqinë të shkojë drejt falimentit duke shtuar se kjo do të sillte pasoja të pakontrollueshme. Nga ana tjetër presidenti i KE, Jose Manuel Barroso ka shprehur besimin mbi arritjen e një zgjidhje për Greqinë javën e ardhshme. Kjo është shumë e rëndësishme mbi të gjitha për qytetarët grek dhe më tej për të gjithë eurozonën, ka shtuar Barroso. Kreu i KE u ka bërë thirrje politikanëve grekë dhe Eurozonës për të qenë më të përgjegjshëm, në mënyrë që të arrihen objektivat e marra, të cilësuara nga Barroso, të një rënësie të vecantë për eurozonën dhe të gjithë ekonominë botërore.