E Shtunë, 31 Tetor 2026

VATRA nderoi me çmimin e "Meritës" disa nga figurat e dalluara të kësaj shoqate

01-05-2013 / Gazeta 55

Për nder të mbylljes me sukses të punës së Kuvendit të Vatrës, në lokalin e bukur Lighthouse Restaurant të Bronx-it, u shtrua një darkë, gjatë së cilës u dhanë çmimet “Award of Merit”, disa vatranëve, më të dalluara në dekadat e fundit

Mbas Kuvendit të suksesshëm, të shoqatës më të vjetër në Amerikë, në mbrëmje u mbajt një darkë tradicionale e organizuar nga Federata PanShqiptare e Amerikës VATRA. Në këtë darkë festive, përveç drejtuesve të lartë, të Vatrës, kryetarit të saj Dr.Gjon Buçaj dhe kryesisë dhe anëtarëve të saj delegatëve morën pjesë dhe mysafirë të nderuar, Ministri i Diasporës në Qeverinë e Kosovës z. Ibrahim Makolli i shoqëruar nga drejtori për investimet në Diasporë, Naim Dedushaj, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, në New York, Ambasadori Bekim Sejdiu, anëtari i Asamblesë të Shtetit të New Yorkut, z. Mark Gjonaj, si dhe konsulli Fatmir Zajmi. Në darkën e Vatrës erdhën edhe familja Cungu dhe e veja e doktor Uruçit, pjesëtarë të familjeve Kaloshi, Kallajxhiut, Danit, Liços, Kumbarçe, Mirakaj, Mulosmani, Bytyqi, Përndocaj, Metalia, Qafa, Husenaj, Ndreu, Ndreca, Tonuzi, e të tjerë, pra të këtyre vatranëve të shquar, familje të njohura në SHBA si familjet më të vjetra të vatranëve, anëtarët e të cilëve kanë dhënë një kontribut të shquar në të shkuarën për Vatrën, por që nuk jetojnë më. Kryetari i sapo zgjedhur i Vatrës, dr Gjon Buçaj, pasi foli për historikun e kësaj shoqate famëmadhe, rolin dhe kontributin e saj historik, në dobi të çështjes kombëtare, vuri në pah dhe vlerësoi lart kontributin që kanë dhënë disa figura të dalluara të kësaj shoqate, të cilët ishin pionierët e parë të Vatrës, dhe mbajtën gjallë frymën e zjarrtë patriotike dhe demokratike në SHBA. Ndërsa, këngëtari i mirënjohur Gëzim Nika, krijojë me repertorin e tij të njohur një atmosferë festive, me këngë valle patriotike nga të gjitha trevat.
Në mbrëmjen e së shtunës të 27 prillit, në darkën në restorantin piktoresk Light House të bashkatdhetarit Mark Gjonaj, Vatra nderoi me çmim pas - vdekjes, çmimin “Award of Merit”: Nexhmije Zaimin, Dr.Hamdi Uruçin, Dr. Edward Liçon, Xhevat Kallajxhiun, Ing. Mahmoud Cungun, Ramiz Danin, Arif Nezën, Abdulla Kaloshin, Petraq Konën, Ymer Dodën dhe Rexhep Kumbarçen. Po ashtu u nderuan me “Award of Merit”, Ish editori i Diellit, Anton Çefa, si dhe vatranët Mustafë Elezi, Musli Mulosmanaj, Jonuz Ndreu, Hajdar Tonuzi, Tonin Mirakaj dhe Vasel Ujkaj. Çmimet i dorëzoi vetë kryetari i Vatrës, dhe i morën në mes emocioneve të papërshkruara disa prej fëmijëve të këtyre figurave të dalluara, patriotë dhe atdhetarë të flaktë, të cilët kanë dhënë një kontribut të shquar në të shkuarën për Vatrën, dhe kombin shqiptar.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›