E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si u zhdukën borxhet greke me magji

Share

Nga Allan Little, BBC

Ne e quanim atë magjistar për shkak se zhdukte gjithçka. Ai zhdukte inflacionin. Më pas zhdukte edhe deficitin, kujton ekonomistja greke Miranda Xafa.

Në vitet 1990, Miranda Xafa punonte për një kompani investimesh në Londër, duke ndjekur në distancë se si vendi i saj përgatitej për të hyrë në euro.

Ajo e dinte- dhe këshilloi klientët e saj- se ekonomia e vendit nuk ishte gati dhe se statistikat e vendit nuk reflektonin realitetin.

Shkova në Athinë nga Londra me klientë të Solomon Brothers. Gjithmonë shihnim kreun e agjencisë së statistikave në Greqi, që përpunonte të gjithë statistikat e borxhit, deficitit e kështu me radhë. Ai ishte si një magjistar që zhdukte inflacionin dhe deficitin, thotë ajo.

Por si funksiononte magjia?

Merrni për shembull hekurudhat greke. Humbnin një miliard euro në vit, kujton zonja Xafa.

Hekurudha kishte më shumë punonjës se pasagjerë. Një ish- ministër, Stefanos Manos, pati thënë publikisht në atë kohë që do ishte më lirë sikur të dërgonin me taksi çdo pasagjer.

Autoritetet gjetën një hile për të zhdukur problemin.

Kompania e hekurudhave do lëshonte aksione që do bliheshin nga qeveria. Nuk llogaritej si shpenzim, por si transaksion financiar.

E kjo nuk u shfaq në llogaritë për buxhetin.

Greqia plotësoi kriteret e Mastrihtit dhe më 1 janar 2001 u pranua në eurozonë. Por në vitin 2004 po bëhej i qartë mashtrimi.

Atë vit u formua një qeveri e re e qendrës së djathtë. Peter Doukas u zgjodh Ministër për Buxhetin.

Ftova të gjithë stafin dhe u kërkova të më japin detaje për buxhetin që kishte kaluar dhjetorin e shkuar, dy muaj e gjysëm përpara se të merrja detyrën. U thashë mos u shqetësoni nga hetimi apo ndonjë gjë tjetër, vetëm më tregoni të vërtetën.

Diferenca mes deficitit të publikuar dhe atij real ishte gjigante.

Hendeku ishte rreth 7 përqind e GDP-së, thotë Doukas. Buxheti thoshte se deficiti ishte 1.5 përqind, kur realisht ishte 8.3 përqind.

Por çfarë bëri Doukas për këtë gjë, nisur nga fakti se traktati i Mastrihtit kërkon që deficiti të jetë poshtë 3 përqind të GDP-së?

U thashë se ishte një situatë alarmante dhe se duhej të rishikonim buxhetin, kujton ai.

Por përgjigja që mora ishte: dëgjo, tani janë Lojërat Olimpike dhe nuk mund të mërzisim të gjithë popullsinë dhe të nisin grevat e gjërat e tjera përpara Lojërave Olimpike.
Në vend që të reformonte financat publike, Greqia merrte dhe vetëm merrte borxh. Bankat ishin në radhë për të dhënë borxh.

Tregjet nuk e besonin se kishte një rrezik falimentimi pasi valuta e Greqisë, euroja, ishte e kyçur në atë të Gjermanisë.

Kështu që Greqia merrte borxh me interesa të ulëta. Mori kredi me ato kushte si Gjermania. Në këtë mënyrë të gjitha vendet ishin Gjermani.

Kjo nuk ishte pjesë e planit, thotë Dietrich Von Kyaw, që ishte ambasador i Gjermanisë në BE në vitet 90.

Ne nuk e kuptuam ose nuk e parashikuam se për shkak të këtij bashkimi në dukje të mrekullueshëm monetar, gjithkush mund të merrte borxh njësoj si Gjermania.

Tregjet nuk arritën të shikonin malin e borxheve dhe e nënvlerësuan rrezikun.

Përveç kufirit prej 3 përqind të GDP-së për deficitin, vendet anëtare të eurozonës ishin të detyruara të mbanin borxhet e tyre në nivelin poshtë 60 përqind të GDP-së.

Ata kishin nënshkruar edhe një mekanizëm të quajtur Pakti për Stabilitet dhe Rritje ku çdo qeveri do gjobitej në rast se kalonte kufijtë.

Megjithatë Franca e Gjermania thyen çdo rregull që kishin insistuar të zbatohej nga çdo vend tjetër.

Gjermania, disiplinorja e famshme evropiane, kishte probleme për shkak të kostove të ribashkimit me Gjermaninë Lindore, të cilat kishin krijuar një gropë të madhe në buxhet.

Von Kyaw pranon se Gjermania bëri një mëkat.

Por kur një vend i madh e bën këtë, si mund të imponohesh ndaj vendeve të vogla, përfshi Greqinë, që të binden ndaj rregullave, shton ai.

Dhe kjo ndikoi edhe mënyrën se si Greqia i shihte pasojat e shkeljes së rregullave.

Kishte presion, por jo nga ai që të rri dikush tek koka, thotë Doukas.

Në fakt Pakti për Stabilitetin dhe Rritjen ishte i vdekur kur Doukas mori detyrën në vitin 2004.

Ishte një leksion historik se në të vërtetë sfida më e madhe për një traktat të ri lind kur vendet e mëdha shkelin rregullat.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›