Falimenton banka amerikane e kursimeve
Shenja paniku si në Shqipërinë e vitit 1997. Njerëzit nxitojnë të tërheqin depozitat
Ndërsa politikanët e Amerikës vijojnë një betejë mbi ligjin 700 miliardë dollarësh të shpëtimit të sistemit financiar, duket se ora e vërtetë e alarmit po rreh nën rrogoz. Tregjet janë të etura për të gjetur likuiditet, por arteriet e thithjes së likuiditetit janë tharë. Shumë aktorë të rëndësishëm të tregut kanë ikur tashmë, përfshirë Lehman Brothers dhe AIG. Por tashmë, edhe shumë aktorë të rëndësishëm rajonalë po shkojnë drejt fundit. Të enjten në mbrëmje, në një operacion shumë sekret të kryer pasi tregjet qenë mbyllur, mbikëqyrësi i tregjeve financiare amerikane urdhëroi sekuestrimin e bankës më të madhe të kursimeve të vendit, Uashington Mutual, një bankë me bazë të Siatëll. Brenda natës, u nënshkrua marrëveshja që ajo bankë t'i shitej JPMorgan Chase. Rekordi i vendosur është me të vërtetë i përmasave të mëdha. WaMu kishte 300 miliardë dollarë asete. Falimentimi i mëparshëm më i madh në historinë amerikane qe regjistruar në vitin 1984, kur është mbyllur një bankë me 40 miliardë dollarë asete.
Shqetësimi tashmë qëndron në faktin se bilancet e bankave amerikane, janë gjithashtu të mbushura me kredi për shtëpi që po përkeqësohen, me borxhe kartash krediti të pashlyera e të tjera. Falimentimi i WaMu, vuri në dukje gjithashtu faktin se depozituesit nxituan të tërheqin paratë e veta, pavarësisht se ligji amerikan garanton të plota depozitat deri në 100 mijë dollarë.