Buxheti pritet të tkurret sërish
Pas shkurtimit të shpenzimeve që u bë me buxhetin suplementar, pritet që një ligj i ri ta tkurrë më tej
Ndonëse kanë kaluar vetëm tre muaj nga ndryshimet në ligjin për buxhetin e shtetit për vitin 2008, Ministria e Financave po përgatitet për një ndryshim të ri. Kësaj here duket se ndryshimet në buxhetin e shtetit do të sjellin një shkurtim tjetër në shpenzime për shkak se projektimi i dobët ka krijuar sakaq mosrealizime të dukshme veçanërisht në shpenzime. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, gjatë misionit të fundit, mbështeti idenë e rishikimit të radhës së buxhetit, por kërkoi që rishikimi të përfshinte reduktim të deficitit nën nivelin e programit aktual prej 5.2% të PBB-së. “Mosrealizimet aktuale rrezikojnë rrudhjen e fondeve për sektorët prioritarë. Për këtë arsye, misioni i bën thirrje autoriteteve të rishikojnë me kujdes shpenzimet aktuale për të siguruar që do t’u kushtohet rëndësi e mjaftueshme investimeve në sektorët prioritarë”, - deklaroi shefi i misionit Gerwin Bell. Qeveria e sotme e ka kthyer në praktikë të zakonshme ndryshimin e buxhetit të shtetit shumë herë brenda një viti. Vitin e kaluar, buxheti u ndryshua tre herë, për shkak të menaxhimit të keq të shpenzimeve, që shkaktuan mosrealizime të dukshme. Këtë vit, deri tani buxheti është rishikuar dy herë.
Në qershor të këtij viti, qeveria vendosi të ulë shpenzimet e buxhetit me rreth 90 milionë euro nga plani i fillimvitit si dhe të parashikojë të ardhura shtesë nga privatizimet, me qëllim që të ulte deficitin në 5.2% të PBB-së. Duket se para mbylljes së këtij viti, buxheti do të ndryshohet sërish. FMN dhe Qeveria janë gjithashtu në mosmarrëveshje mbi nivelin e deficitit të programuar për vitin e ardhshëm. FMN kërkon që deficiti i Shqipërisë të mos e kapërcejë nivelin e 3.5% të PBB-së, gjë që nënkupton që buxheti i vitit të ardhshëm të jetë rreth 100 milionë euro më i vogël se ai i këtij viti. Qeveria kërkon që deficiti të mos jetë më i ulët se 4.2% e PBB-së me qëllim që të ketë mundësi të rrisë paga e pensione.