E Diel, 1 Nëntor 2026

Falja, Halimi: 1500 të burgosur kërkojnë liri

TIRANE-Ministria e Drejtësisë ka bërë gati kërke sat e të dënuarve për faljen, të cilat do t’i dërgohen brenda pak ditësh kreut të shtetit, Bamir Topi. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi në një intervistë të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare” shpjegon procedurat e reja ligjore që po ndiqen për plotësimin e praktikave dhe kritereve. Përveç propozimeve për refuzim që i janë nisur Presidentit, do të ketë edhe propozime për pranim. Sipas z.Halimi, “falja” është atribut i Presidentit të Republikës. Ai sqaron se ligji aktual nuk parashikon kohë të caktuar se kur duhet të bëhet falja e të dënuarve, duke iu përgjigjur kështu edhe deklaratave të shprehura pak ditë më parë nga Presidenti Topi se në zyrën e tij nuk ka asnjë propozim për amnisti. “Brenda kësaj jave do të ketë propozime nga ana e Ministrisë edhe për pranim kërkesash, përveç atyre që janë nisur për refuzim”, - shprehet z.Halimi.
Z.Halimi, a do të ketë falje të të dënuarve në këtë fundvit?
Në vitin 2010-të Parlamenti ka miratuar ligjin “Për Faljen”, në përputhje kjo me nenin 92 pika “b” e Kushtetutës. Sipas Kushtetutës dhe ligjit, falja është atribut ekskluziv i Presidentit të Republikës, por ajo jepet sipas një procedure të përcaktuar në ligj, që ndiqet prej Ministrisë së Drejtësisë në fazë fillestare dhe më pas i kalon Presidentit për vendimin final. Sipas ligjit, falja është një akt human i jashtëzakonshëm mëshire, me natyrë individuale dhe jepet vetëm në raste jashtëzakonisht specifike, të cilat përcaktohen shumë qartë në ligj. Në Ministri janë depozituar një numër i konsiderueshëm kërkesash nga të dënuar dhe kjo është hera e parë që do të aplikohet procedura e re. Për shkak të numrit të madh të kërkesave dhe kohës që duhet për të krijuar regjistrin e posaçëm, softin përkatës dhe verifikimin e plotë të dokumentacionit për çdo kërkesë, procesi po vijon në mënyrë normale në Ministri. Sipas procedurave përkatëse, pas shqyrtimit paraprak të kërkesës, Presidentit i nisen kërkesa e të dënuarit, praktika e kërkesës, dhe propozimi i ministrit për pranimin apo refuzimin e saj. Sigurisht që më pas është presidenti ai që do të marrë vendimin e tij në lidhje me kërkesën e të dënuarit sipas ligjit përkatës dhe Kushtetutës.
A parashikon ligji kohë të caktuar se kur duhet të bëhet kjo falje?
Ligji nuk parashikon dhënien e faljeve në ndonjë periudhë të caktuar të vitit, por grupi i punës po punon në Ministri dhe besoj se brenda kësaj jave do të ketë propozime nga ana e Ministrisë edhe për pranim kërkesash, përveç atyre që janë nisur për refuzim.
Presidenti, Bamir Topi “akuzoi” ministrinë e Drejtësisë që nuk ka çuar në Presidencë listën për falje. Pse nuk i keni çuar kërkesat?
Ministria është duke kryer reforma jashtëzakonisht të rëndësishme për gjithë sistemin e drejtësisë, për të implementuar planin e jashtëzakonshëm të dixhitalizimit të këtij sistemi me të gjithë aktorët nga noterët, përmbaruesit, sistemi gjyqësor e deri tek të dënuarit. Procedura e shqyrtimit fillestar të kërkesave për falje është një çështje administrative për të cilën në Ministri është punuar dhe po punohet padyshim me intensitet. Ne nuk çojmë listën e kërkesave në Presidencë, por duhet të çojmë ashtu siç ju thashë, çdo kërkesë së bashku me verifikimin përkatës administrativ dhe propozimin për falje ose jo. Një numër shumë i madh nuk përfitojnë nga kriteret ndaluese dhe është e thjeshtë të kërkosh refuzimin, mjafton sa të lexosh kërkesën, dhe kjo mund të kishte ndodhur edhe më parë, por trajtimi i tyre duhet bërë sipas sistemit dhe sigurisht që po i përcillen Presidentit në vijim.
Kjo është një procedurë e re, por a e ngadalëson procesin?
Sigurisht, duhet pasur parasysh që kjo është një procedurë që ndiqet për herë të parë dhe ka të bëjë me konsolidimin e sistemit për ta bërë atë të besueshëm, transparent dhe të dobishëm. Po ashtu numri i madh i kërkesave dhe dokumentacioni i gjerë që kërkohet sipas ligjit, e ngadalëson procesin. Duke qenë se është hera e parë që ka një kornizë ligjore, dhe që të dënuarit nuk kanë aplikuar më parë, kërkesat kanë pasur dhe të meta dhe plotësimi i tyre ka marrë kohën përkatëse. Falja është një instrument “in extremis” dhe rëndësi ka të jepet në përputhje të plotë me kriteret ligjore dhe me natyrën jashtëzakonisht humane që Kushtetuta dhe ligji ka përcaktuar. Tani sistemi është konsoliduar, softi është ndërtuar, po ashtu edhe regjistri ka përfunduar dhe ecuria e shqyrtimit të tyre do të jetë shumë më e shpejtë.
Konkretisht a do t’i propozoni Presidentit ndonjë kërkesë për falje të të dënuarve?
Po. Ashtu siç ju thashë edhe pak më parë, padyshim që do të vijohet procesi tashmë me ritme më të shpejta, për shkak të konsolidimit të regjistrit. Por gjithçka do të bëhet sipas një procedure të detajuar dhe brenda kornizës ligjore për kushtet dhe kriteret e aplikimit të kësaj të drejte. Pjesa më e madhe e kërkesave të bëra rezultojnë me kritere ndaluese, ndërsa një pjesë shumë e vogël do të jenë ato që do futen në procedurën e faljes.
Cilat janë kriteret për falje konkretisht?
Me miratimit e ligjit “Për faljen”, të drejtën për të kërkuar falje e ka i dënuari, i cili kërkesën e vet e dorëzon në Ministrinë e Drejtësisë së bashku me një numër të caktuar dokumentesh. Ministria verifikon të gjitha kriteret ligjore, ndaluese dhe lejuese dhe më pas kërkon dhe konfirmimin e këtyre dokumentacioneve nga institucionet e tjera shtetërore. Pasi plotëson të gjitha këto procedura administrative, Ministria ia nis presidentit praktikën e kërkesës së bashku me propozimin përkatës.
Cili është target grupi i atyre që përfitojnë?
Falja është një instrument i jashtëzakonshëm që përdoret. Sipas kornizës ligjore, falja mund të jepet vetëm në rastet shumë të veçanta, ashtu si dhe përcaktohet në nenin 5 të ligjit. Pra në rastet kur personi në kohën e kryerjes së veprës ka qenë i mitur, apo kur për shkak të sëmundjes apo moshës nuk justifikohet qëndrimi i mëtejshëm, apo kur e dënuara ka fëmijë të mitur. Por gjithmonë në rast se nuk është dënuar për ato vepra që ligji e ndalon, si vrasje me paramendim, trafik, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur etj. E thënë ndryshe, falja mund të jepet vetëm në rastet që kanë të bëjnë me cilësitë individuale, siç janë mosha dhe gjinia, por jo për vepra të tilla me rrezikshmëri të lartë.
Sa është numri i atyre që kanë bërë kërkesë?
Deri tani numri i tyre është më tepër se 1500, nga 4.000 të dënuar që janë gjithsej në burgje.
Dhe sa prej tyre do të përfitojnë?
Kjo është një tagër që e ka Presidenti dhe ka ndodhur para se ligji të hynte në fuqi, por sipas sistemit të ndërtuar dhe kërkesave aktuale nga ana e Ministrisë, propozime për pranimin e faljes do të jenë shumë më pak, pasi siç thashë tani, ligji aktual ka kritere të forta dhe krahasuar këto me natyrën e kërkesave, do të sjellë një numër shumë më të vogël, natyrisht.
Ashtu siç shpjegova dhe më lart, korniza ligjore aktuale parashikon si kriter ndalues, aplikimin e faljes për disa vepra penale për të cilat të dënuarit paraqesin një rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Falja, a lidhet me festat e fundvitit dhe a do të ketë ndonjë të dënuar të falur për Vit të Ri?
Jo, kjo nuk lidhet me festat e fundvitit por është një proces vazhdues. Datën e aplikimit të kësaj të drejte e përcakton vetë Presidenti, por ajo që ka të bëjë me Ministrinë është përfundimi i procesit administrativ të tyre dhe dërgimi tek Presidenti. Besoj se gjatë këtyre ditëve, si para ashtu edhe pas Vitit të Ri, do të ketë dërgim tek Presidenti të praktikave si me propozim për refuzim të kësaj kërkese, të cilat janë shumë, edhe me propozim për pranim, të këtyre kërkesave.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›