Falja e interesave nuk i shpëton kreditë shtetërore
Edhe pse qeveria ka hequr interesat për personat që nuk kanë shlyer kreditë nga ish-bankat shtetërore, sërish kreditë nuk shlyhen. Mbetet sërish i lartë borxhi ndaj shtetit, si pasojë e mosshlyerjes së kredive nga kreditorët huamarrës në rrethin Fier. Shuma e kësaj debie shkon në 436 milionë lekë të rinj. Kreditorët i janë debitorë shtetit, pasi kanë marrë kredi që nga viti 1993 e në vazhdim vlera monetare në formë kredie. Këto kredi janë marrë nga banka të nivelit të dytë dhe kanë qenë kryesisht për ngritje biznesesh apo për blerje të mekanikës bujqësore. Sipas drejtuesit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive në Fier, Nesti Zoi, numri i kreditorëve, megjithëse është reduktuar në vite, sërish mbetet i lartë. "Numri i kreditorëve shkon në 450 për rrethin Fier dhe 70 për rrethin Mallakastër", thotë Zoi. Më tej, ai sqaron se "këta debitorë kanë një shumë të papaguar prej më shumë se 430 milionë lekësh". Mësohet se qeveria ka nisur të aplikojë faljen e interesave pas shlyerjes së principalit, duke vendosur si afat të fundit për shlyerje 30 dhjetorin e këtij viti. Pas kësaj date nisin edhe sanksionet, të cilat përkojnë me sekuestrim të pasurisë dhe bllokim të shërbimit ndaj tyre. Vetëm për periudhën janar - tetor të vitit 2009 janë dërguar në zyrën e Përmbarimit Fier 307 dosje kreditorësh debitorë.
Ma.Tr.
Ma.Tr.