E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqen vizat mes Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës

Hiqen vizat për shqiptarët që udhëtojnë drejt Bosnjë-Hercegovinës dhe anasjelltas. Ministria e Jashtme e ka servirur si një sukses heqjen e regjimit të vizave me Bosnjë-Hercegovinën, ndërkohë që shqiptarët kërkojnë që suksesi i diplomacisë shqiptare të përqendrohet më shumë te liberalizimi i vizave me të gjitha vendet Shengen. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Ralf Gjoni, bën me dije se "bëhet fjalë për disa mijëra qytetarë që lëvizin mes vendeve respektive", por në të vërtetë nga kjo marrëveshje ata që përfitojnë më shumë janë tregtarët. Pavarësisht shifrës së deklaruar, ‘disa mijëra‘, nuk ka një statistikë të saktë sesa shqiptarë zgjedhin Bosnjën për turizëm. Nga kjo marrëveshje, Ministria e Jashtme bën me dije se pret një rritje të fluksit të lëvizjes së qytetarëve, por edhe një rritje të shkëmbimeve tregtare. "Mund t‘ju them se së shpejti presim vizitën e një grupi të madh biznesmenësh nga Bosnjë-Hercegovina, por patjetër që lëvizja e lirë pa viza mundëson rritjen e fluksit të qytetarëve dhe shkëmbimeve tregtare", tha Gjoni. Ministria e Jashtme thekson se kjo nismë vjen si pjesë e marrëveshjes së nënshkruar nga qeveria shqiptare dhe ajo e Bosnjë-Hercegovinës më 24 mars të këtij viti, si pjesë e angazhimit të qeverisë shqiptare për zgjerimin e hapësirave të komunikimit me vendet e rajonit dhe krijimin e mundësive për lëvizjen e lirë të shtetasve në këto hapësira. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Ralf Gjoni, konfirmoi se vendi ynë synon të nisë negociatat edhe me Serbinë për heqjen e vizave ndërmjet dy shteteve tona, ndërsa kujtoi se shtetasit shqiptarë mund të lëvizin lirisht drejt Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Kjo marrëveshje siguron përjashtimin nga detyrimi i vizës për të gjithë shtetasit e të dyja vendeve, të cilët janë mbajtës të pasaportave të zakonshme dhe dëshirojnë të hyjnë, të transitojnë ose të qëndrojnë në territorin e secilit vend. Afati i qëndrimit nuk duhet t‘i kalojë 90 ditët brenda një afati prej 180 ditësh, sipas standardeve të Bashkimit Europian. Kalimi nëpër pikat kufitare të hapura për lëvizjen ndërkombëtare ose ndërshtetërore do të bëhet pa taksa apo detyrime të tjera.

Shtetasit, që për arsye familjare, studimi apo punësimi dëshirojnë të qëndrojnë në territorin e palës tjetër për një periudhë më të gjatë se ajo që i lejon të qëndrojnë pa vizë, janë të detyruar të respektojnë legjislacionin e shtetit përkatës dhe të pajisen me vizë afatgjatë në përfaqësinë diplomatike ose konsullore, ose të kërkojnë lejen e qëndrimit pranë autoriteteve kompetente.

Kjo marrëveshje do të ndikojë pozitivisht në lehtësimin dhe rritjen e kontakteve ndërmjet shtetasve të dy vendeve dhe do të shërbejë për forcimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat. Gjithashtu, hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje do të ndihmojë në arritjen e synimit të Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës për krijimin e një regjimi të lirë të lëvizjes së shtetasve të tyre në hapësirën europiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›