Fier, zgjidhet ngërçi i rehabilitimit të Gjanicës
Është ndezur më në fund drita jeshile për studimin e lumit Gjanica. Nga informacionet zyrtare, marrë nga njësia e prokurimeve në Bashkinë Fier, mësohet se i është dhënë fund kalvarit të tenderëve me shpalljen fituese të një studioje nga Tirana. Studioja "EL - Consultin" sh.p.k., me qendër në Tiranë, do të jetë pikërisht ajo që do të kryejë për një muaj rresht studimin dhe projektimin që do të shërbejë më pas për rehabilitimin e lumit Gjanica. Sipas drejtorit të njësisë së prokurimeve në Bashkinë Fier, Niko Neço, puna për këtë mision të rëndësishëm për banorët e Fierit pritet të nisë në momentin e lidhjes së kontratës dhe do të zgjasë jo më shumë se 30 ditë. Sipas Neços, tenderi kaloi në dy faza: faza e parë ka qenë ajo elektronike, ku kanë aplikuar dhe janë pranuar 3 firma të tjera nga Tirana, ndërsa në fazën e dytë në Bashkinë Fier janë paraqitur vetëm dy. Tenderimi për studion e projektimit për lumin Gjanica ka njohur shumë dështime këto pesë vjet. Sipas kryetarit të vlerësimit të ofertave, njëkohësisht drejtor i departamentit juridik në Bashkinë e Fierit, Luan Çala, këto dështime kanë ardhur si pasojë e mosvlerësimit siç duhet të projektit nga ana e firmave. Me mbylljen e fazës së parë të studim-projektimit do të vijojë puna për fazat e tjera edhe më të rëndësishme që do të mundësojnë ndërhyrjen reale në disiplinimin e lumit më të ndotur në vend.
Ma.Tr.
Ma.Tr.