E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë e fushatës, sot skadon afati për ekspertët kontabël

Përfundon sot afati që ka vendosur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për ekspertët kontabël të caktuar për të bërë verifikimet e shpenzimeve të fushatës së 36 partive që morën pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit. Në shortin e hedhur në datën 15 shtator në KQZ për caktimin e ekspertëve që do të verifikonin partitë, KQZ-ja vendosi që data 2 nëntor të ishte afati i fundit i dorëzimit të materialit, në mënyrë që më pas të hartohet një raport i plotë që do t‘i paraqitet Komisionit Qendror.

Sipas ligjit, ekspertët kontabël bëjnë verifikimin e fondeve, që persona të ndryshëm u kanë dhuruar 36 partive. Të gjitha partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, pavarësisht rezultatit që korrën në këtë garë, janë të detyruara të bëjnë transparencën e të ardhurave dhe shpenzimeve që kryen në funksion të fushatës zgjedhore. Çdo subjekt zgjedhor, në bazë të Kodit Zgjedhor, ka pasur mundësi që për qëllime të fushatës së tyre të marrë fonde vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas (partitë parlamentare kanë përfituar një shumë të konsiderueshme lekësh edhe nga buxheti i shtetit). Në çdo rast, shuma që një person fizik ose juridik ka pasur mundësi t‘i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të ketë qenë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende apo shërbime, ndërsa ka qenë e ndaluar dhënia e fondeve nga personat që kanë përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 2 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë, që ushtron veprimtari në fushën e medias, apo ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme. Pikërisht zbatimi i këtyre kritereve ligjore ka qenë objekt i punës së ekspertëve, të cilët priten të miratohen sot prej institucionit qendror të administrimit të zgjedhjeve. Për këtë qëllim, çdo subjekt zgjedhor ka qenë i detyruar t‘i vërë në dispozicion regjistrin e posaçëm me shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si edhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›