Falja fiskale, peng i rezultateve të procesit zgjedhor
Implementimi i ligjit për faljen fiskale mbetet pezull për shkak të procesit zgjedhor, i cili nuk dihet ende se kur do të përfundojë me numërimin edhe të kutisë së fundit të votimit. Ministria e Financave ka gati udhëzimet përkatëse që i janë bashkangjitur ligjit të miratuar në Kuvend dy javë më parë. Ndërkohë që ligji duhet të niste të aplikohej në dy javët e para të majit dhe falja fiskale të përfundonte në fund të vitit 2011, me qëllim që të mos krijonte precedent, nuk ka asnjë të vetëdeklaruar në lidhje me procesin në fjalë. Falja fiskale nuk ka nisur ende të funksionojë, për arsye se gjithë vëmendja është kah procesit zgjedhor. Burime pranë Ministrisë së Financave kanë bërë me dije se udhëzimet për funksionimin e ligjit për faljen fiskale do të bëhen publike zyrtarisht menjëherë pasi të përfundojë edhe procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e 8 Majit dhe vëmendja për procesin zgjedhor të jetë shkëputur dhe atmosfera e përgjithshme të jetë qetësuar, duke u rimarrë ritmet normale të të gjitha fushave. Sipas Financave, udhëzimet përkatëse janë bërë gati, pasi pretendohej që falja fiskale pritej të niste në dy javët e para të muajit maj. Por zgjedhjet vendore, të cilat kanë marrë të gjithë vëmendjen e publikut, po mbajnë pezull këtë proces. Ndërsa, nisja e procedurave për faljen fiskale do të jetë me tërheqjen e formularit në administratën tatimore, plotësimin e tij dhe depozitimin po në këtë administratë. Mënyra për të tërhequr formularin e vetëdeklarimit nuk është vetëm nëpërmjet paraqitjes në administratën tatimore, por mund të tërhiqen në rrugë elektronike apo hard copy. Ndërsa deklarimet do t’i bëjnë vetë qytetarët në bankë, hipoteka etj. Nga përllogaritjet e financave, rezulton se vetëm falja e detyrimeve të prapambetura shkon në rreth 40 miliardë lekë të reja, ndërkohë që një sërë lehtësirash të reja i krijohen biznesit për të kapërcyer atë fazë jo fort të këndshme që ka aktualisht me organet fiskale. Sipas Ministrisë së Financave, nga eksperienca e vendeve të tjera, pas një periudhe informaliteti dhe mungese të ligjit, falja fiskale do të japë efekte pozitive edhe në të ardhurat vjetore të buxhetit, por njëkohësisht duke çliruar në perspektivë nga detyrimet e rritura një sërë kompanish dhe një grup të madh qytetarësh. Ligji për faljen fiskale, që është miratuar në Kuvend, përfshin legalizimin e kapitalit (të vlerave monetare) të qytetarëve dhe personave fizikë; rivlerësimin e aseteve të qytetarëve dhe të bizneseve;vetëdeklarimin e detyrimeve tatimore për periudhat e mëparshme për të gjithë komunitetin e biznesit; faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore për qytetarët dhe për bizneset, përfshi dhe gjobat për makinat; faljen e faturave të papaguara të energjisë elektrike dhe të ujësjellësve, deri në momentin që këto shërbime janë ofruar nga kompani në pronësi të Qeverisë. Në të njëjtën kohë, ligji nuk përfshin amnistinë penale për disa kundërvajtje penale që lidhen kryesisht me tatimet dhe taksat, si dhe një sërë çështjesh që sot janë në ndjekje dhe gjykim nga prokuroria apo sistemi gjyqësor për fshehjen e taksave, të klasifikuara si kundërvajtje penale.