E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva për transparencën në Facebook



Beteja për transparencën e zgjedhjeve nuk bëhet vetëm përmes gazetave apo televizioneve. Edhe rrjetet sociale janë përfshirë në sfidën e madhe që u kanë vënë vetes rreth 200 deputetë dhe grevistë që janë ngujuar prej 20 ditësh në çadrat e vëna në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Njëri prej tyre, protagonist në grevë, Erion Veliaj, ka fiksuar me celularin e tij “Blackbarry” të gjitha momentet e jetës brenda çadrave, që nga fillimet e saj. Ekspozita e këtyre ditëve, ku fiksohen lodhja, serumet, vigonët, mjekët, heshtja, dita, nata, është vetëm njëra anë e asaj çka ndodh brenda atyre metrave katrorë. Komunikimi i këtyre imazheve përmes kanaleve sociale është ana tjetër e betejës së madhe që gatuhet brenda. Me qindra komente janë bërë në foto, ku njerëz të identifikuar apo anonimë japin mendimet e tyre, janë pro ose kundër kësaj mosbindjeje civile, ofrojnë kurajë apo denigrojnë kauzën për të cilën janë futur në grevë deputetë dhe mbështetës të Partisë Socialiste. Kjo agor (tribunë virtuale ballafaqimesh) duket sikur është beteja reale në përpjekjen për t’i dhënë zgjidhje mënyrës se si bëhet transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit. Është një luftë idesh, përpjekjesh, dilemash, pyetje-përgjigjesh që ngrihen dhe shuhen në një botë virtuale dhe në mendjet e secilit prej pjesëtarëve të zellshëm ose jo të rrjeteve sociale.
Gazeta sjell sot për lexuesit disa prej momenteve që u fiksuan brenda çadrave që në nisje deri në ditën e djeshme. Dhe jo vetëm aq, por synon për të dhënë edhe pakëz realitet për atë që ndodh në betejën e Facebook-ut për hapjen e kutive.

A. Gjoka

20 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›