E Diel, 1 Nëntor 2026

Si do të kompensohen pronarët e tokave të zëna nga ndërtimet pa leje



Këshilli i Ministrave ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme vendimin që përcakton mënyrën e shpërndarjes së fondit për pronarët, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje. I gjithë ky proces, në bazë të vendimit, do të ndiqet nga Agjencia e Pronave në bashkëpunim me ALUIZNI-n. Ndërkohë që qeveria, në periudha të caktuara do të miratojë një fond të posaçëm për kategorinë e pronarëve që do të përfitojnë kompensim financiar për tokën e zënë nga ndërtimet pa leje. Lista me emrat e pronarëve do të bëhet publike në media bashkë me sasinë e parave që ata do të përfitojnë. Burimet bëjnë të ditur se së shpejti do të nisë procesi i kompensimit të këtyre pronarëve.
Vendimi
Në bazë të vendimit të qeverisë, Agjencia e Pronave, në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, njofton publikisht në media nëpërmjet faqes së vet zyrtare, listën e personave që përfitojnë nga fondi i kompensimit të pronave për periudhën përkatëse. Në njoftimin publik duhet të përcaktohen: gjeneralitetet e përfituesit; periudha kohore e paraqitjes së kërkesës; dokumentacioni i nevojshëm shoqërues i kërkesës; vlera e tarifës së shërbimit; si dhe detyrimi për subjektet përfituese për të hapur, në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë. Procesi i regjistrimit dhe i pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së njoftimit publik dhe vazhdon për 30 ditë. Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së, ngrihet grupi i punës për pranimin e shqyrtimin e kërkesave, me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale dhe shpërndarjen e fondit përkatës. Në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Kompensimi bëhet në masën e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, ku parashikohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale.
Dokumentet
Në bazë të vendimit të qeverisë, subjekti apo përfaqësuesi me prokurë i tij, brenda afatit të përcaktuar në njoftimin publik, paraqet pranë zyrës së AKKP-së dokumentacionin e mëposhtëm: kërkesën për kompensimin e pronës sipas formatit tip, bashkëlidhur këtij vendimi; dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi trashëgimie; prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre; vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare ku do të transferohet vlera financiare e përfituar; fotokopjen e dokumentit të identifikimit, si dhe certifikatën familjare të kërkuesit; mandatpagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit.
AKKP-ja bashkëpunon me ALUIZNI-in dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për verifikimin e konfirmimin e të dhënave për subjektet përfituese. Brenda 45 ditëve nga përfundimi i afatit për paraqitjen e kërkesës për kompensimin e pronës, kryhet verifikimi dhe më pas drejtori i AKKP-së nxjerr vendimin për miratimin e listës së subjekteve që kompensohen, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare ku do të derdhet vlera e kompensimit; urdhëron publikimin e listës së subjekteve që kompensohen; si dhe njofton kërkuesin, që nuk përfshihet në listën e subjekteve që kompensohen, duke përcaktuar arsyet e mospërfshirjes. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, AKKP-ja realizon ndarjen e fondit aktual të kompensimit të pronave në vlerë proporcionale me masën përkatëse.

Miratohen kriteret dhe tipi i formularit të lejes së legalizimit

Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme kriteret, procedurat si dhe tipin e formularit për dhënien e lejes së legalizimit. Në bazë të vendimit të qeverisë, Agjencia e Legalizimit lëshon lejen e legalizimit për objektin dhe shtesën pa leje në ndërtime me leje, kur: për objektin dhe shtesën pa leje në ndërtime me leje është kryer vetëdeklarimi vullnetar brenda afatit ligjor; kur objekti apo shtesa pa leje në ndërtime me leje nuk ndodhet në kushtet e përjashtimit nga legalizimi; kur për objektin dhe shtesën pa leje në ndërtime me leje është plotësuar dokumentacioni tekniko-ligjor, i parashikuar në ligj dhe kur subjekti posedues ka shlyer pagesat e parashikuara në ligj. Procedurat e pajisjes me leje legalizimi, për objektet informale dhe shtesat pa leje në ndërtime me leje, të kualifikuara për legalizim, kryhen nga ALUIZNI. Drejtoritë e ALUIZNI-t pranë qarqeve, pas kualifikimit për legalizim të objekteve informale dhe shtesave pa leje në ndërtime me leje publikojnë në median e shkruar dhe në faqen zyrtare të internetit, listën e poseduesve të objekteve informale dhe shtesave pa leje në ndërtime me leje, që kualifikohen për legalizim. Këta drejtori hartojnë dokumentacionin teknik që përfshin gen-plan, planimetritë dhe fragmentin e fotografisë ajrore dixhitale. Më pas përllogarisin detyrimet financiare të objektit informal dhe shtesës pa leje në ndërtime me leje, që legalizohet dhe njoftojnë poseduesit për shlyerjen e tyre. Më pas lidhin kontratën e kalimit të së drejtës së pronësisë së parcelës ndërtimore nga shteti te poseduesi i objektit informal. Leja e legalizimit, së bashku me dokumentacionin e nevojshëm për regjistrim, dërgohen pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, nga drejtoritë e ALUIZNI-t, pranë qarqeve. Më pas plotësohet formulari tip i lejes së legalizimit.

Vendimi, fond prej 75 milionë lekë për kompensimin e pronarëve

Gjatë mbledhjes së djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi listën e kompensimit financiar të pronarëve, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale. Nga fondi prej 75 milionë lekësh përfitojnë pronarët e Tiranës, Elbasanit, Fierit, Beratit, Shkodrës, Gjirokastrës, Dibrës, Lezhës dhe Durrësit. Pronarët e pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet informale, të shpërblehen në vlerë të plotë. Sipërfaqja që kompensohet në total kap shifrën e 48 849, 90 m², tokë truall, me vlerë të përgjithshme 757 664 073,8 lekë. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në përputhje me këtë vendim, të kryejë ndryshimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, për kalimin e pasurisë së paluajtshme të kompensuar, në pronësi të shtetit.

20 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›