E Hënë, 2 Nëntor 2026

Falna Muhamed, se s`dimë se ç`bëjmë (!) ose mall për Vojtilën!

Retrospektivë...
Në shkurtin e vitit 1998, Vatikani, Selia e Shenjtë e katolikëve të mbarë botës, do të vizitohej nga njëri prej emrave më të mëdhenj të botës islame në kohën që jetojmë. Teologu turk Fet`hullah Gylen, nismëtari i një rryme të re që përfaqëson në mënyrë bashkëkohore Islamin, do të vinte këmbë në kryeqendren e katolikëve në një kohë kur në vendlindjen e tij Turqi, por edhe në vende të tjera me shumicë muslimane, kjo do të cilësohej si një vizitë e gabuar, e cila nuk përputhej me qëllimet, traditën dhe filozofinë islame. Megjithatë Gylen, doli sipër atyre zërave që nuk ishin të paktë, dhe i shtriu dorën kreut të Kishës Katolike Romane, Papa Gjon Palit të Dytë! Ati i Shenjtë, u përball gjithashtu me një qëndrim skeptik të të tijve. Sidoqoftë, këta dy burra të mëdhenj, të zgjuar dhe të sinqertë, u takuan dhe biseduan për t`i dhënë fund ngërcit të marrdhënieve mes muslimanëve dhe të krishterëve, duke hapur një faqe të re në marrdhëniet mes tyre. Gjon Pali i Dytë dhe Fat`hullah Gylen, iu lutën nën një kulm të njëjtit ZOT, dhe me fjalë pak a shumë të njëjta. Kjo ishte tabloja vetëm pak vite më parë, pas shekuj luftrash, përplasjesh, keqkuptimesh plot urrejtje dhe urrjetjesh plot keqkuptim. Mund t`jua them me siguri se humbja e Gjon Palit të Dytë, ishte edhe një humbje për muslimanët. Ai burrë i madh, ishte i pari lider katolik në fakt që shkeli në një xhami në Siri pak vite më parë, ishte i pari Pape që u gjunjëzua dhe puthi tokën helene (ortodokse) dhe vizitoi një kishë ortodokse në këtë vend. Jeta e tij dhe sidomos 10 vitet e fundit ishin një mësim fund e krye për të krishterë e muslimanë, ortodoksë e hebrenj. Ai fali edhe atë që deshi ta vriste, një musliman turk, Mehmet Alinë, sepse dinte të dilte sipër vetes, ndjenjave, dëshirave apo trilleve të tij njerëzore.
Mall...
Edhe ne muslimanëve na ka marrë malli për Papa Vojtilën, shumë madje. Sepse ai na deshi edhe ne, megjithë gabimet që kemi. Ai ishte i pari që kërkoi falje për kryqëzatat, për gjakderdhjen shekullore, për dhimbjen e shkaktuar. E bëri këtë si një lider i madh me tru në kokë e këmbë në tokë, dhe qartësia e tij brilante, vazhdoi deri në çastin e e fundit të muzgut të jetës së tij, megjithë sëmundjen e rëndë që e mundonte. Them kështu sepse pasuesi i tij, ish-nxënësi i tij, ish i përzgjdhuri i tij në hapsirat e Bavarisë, nuk duket aq i qartë sa Gjon Pali i Dytë. Papa Ratzinger është shfaqur ditët e fundit, me një mesazh që është shekuj larg mesazheve, veprave dhe punës së Papa Vojtilës. Ndaj na ka marrë malli për Vojtilën e mirë, ndaj edhe keqardhja e shumë muslimanëve kur ai shtegtoi nga kjo jetë ishte e sinqertë. Të më falin vëllezërit e mi katolikë, po mesazhet e Papës së ri duken shumë të vjetra, mesjetare, arkaike, të mbetura që nga koha e kryqëzatave. Eshtë e kotë që mesazhe të tilla, të nxirren sërish nga sënduqët e urrejtjes, janë tejet të mykura për tu ngrohur dhe servirur sërish në tryezën ku ushqehen mese 6 miliardë njerëz, 1,5 miliardë e të cilëve janë muslimanë. Papa i ri, duket se është në brigjet e lajthitjes njerëzore, megjithëse nuk i ka mbushur ende të 80-tat, kur thotë se Muhamedi, është e keqja më e madhe që i ka ardhur njerëzimit. Deklarata e tij e papërgjegjshme, jo vetëm që bie ndesh më atë që Vatikani ka bërë të paktën në këta 20 vitet e fundit, por vjen edhe pas një vale të shëmtuar denigrimi të ndërmarrë kundër fesë Islame me ca karikatura të shëmtuara, ku fatkeqsisht edhe shtypi europian u bë palë... Ndonëse sisteme të ndryshme kanë punuar për ta zëvendësuar Zotin me paranë, gjithsesi, shumica e bijve të Adamit apo Ademit quajni si të doni, janë shumë të ndjeshëm kur vjen puna për simbolet e tyre fetare. Do t`i kujtojë Hirësisë së Tij, se sharja më e madhe që mund t`i bëjnë muslimanët profetit Jezu Krisht, (nëse kjo mund të quhet sharje) është të thonë se Ai nuk është bir i Zotit, por një prej profetëve të tij të dashur dhe një prej njerëzve më të mirë mbi njerëzit, i zgjedhur për t`i shërbyer Dashurisë Hyjnore. Por sidoqoftë, e shumta që muslimanët do bëjnë, është të dënojnë unanimisht këtë qëndrim të gjermanit të rreptë, që ka zëvendësuar polakun e urtë e të drejtë. Fjalët e tij çojnë ujë në mullirin e provokimeve dhe sulmeve ndaj muslimanëve, në një fushatë denigrimi ku duket se Perëndimi po kërkon me cdo kusht t`i tërheqë ata në një luftë shumë absurde, të panevojshme dhe vëllavrasëse. Ndaj, është e pamundur që besimtarët muslimanë të mos e dënojnë këtë deklaratë, dhe të kërkojnë nga Vatikani, të jetë më i kujdesshëm në vlerësimet kur vjen puna për një nga liderët më të mëdhenj që ka patur bota këta 2000 vjetët e fundit, profetin Muhamed!
Autokritikë...
Në fakt, Papa e ri me mentalitet të vjetër dhe shumë të tjerë, kanë në një farë mënyre të drejtë kur nxijnë imazhin e fesë sonë. Sepse fajin e kemi ne, muslimanët, që nuk e kemi përfaqësuar siç duhet fenë tonë, që nuk e kemi promovuar siç duhet profetin tonë, që nuk e kemi ndërtuar siç duhet jetën tonë. Profeti i fundit, do ulej dhe do qante po të shikonte se pasuesit e tij, në vend që të diskutojnë gjatësinë e mendimit, studimit, shkollimit dhe përgatitjes, diskutojnë gjatësinë e mjekrrës dhe pantallonave në kyçet e këmbëve. Muhamedi, do ulej të lebetitej kur të shikonte sesi injorancia, fanatizmi apo prapambetja e arabëve, turqve, shqiptarëve, boshnjakëve, çeçenëve, apo edhe e ndonjë populli tjetër, do t`i faturohej fesë islame. Profetit do t`i vinte marre të ulej e të bisedonte me ata dijetarë "islamë" që e matin numrin e të vdekurve të pafajshëm nga kamikazët me numrin e hyrijeve në xhenet!!! Profeti do mbetej pa frymë, kur të shikonte budallallëqet tona të përditshme, fetvatë dhë kërcënimet tona, të cilat vendosin se kush do hyjë në parajsën e Zotit e kush jo. Atij, do t`i dridheshin gjunjët kur të shihte ca njerëz që mbahen për muslimanë e që krahas Kuranit të Paqes, mbajnë kallashnikovët rusë dhe tomsonët amerikanë. Të paktë janë ata dijetarë, dhe njëri prej tyre është edhe Gyleni, të cilët mendojnë se bota islame, duhet të kthehet në thelbin e saj, në kohën e dijetarëve te shkolluar që i mësuan botës bazat e shkencës. Stilolapsi është kallashnikovi dhe tomsoni i muslimanëve, dhe tryeza e bisedimit dhe dialogut është fusha e betejës, "betejë" miqësore me ata njerëz të mirë që i besojnë Zotit ndryshe, duke e quajtur veten katolikë, ortodoksë apo hebrenj.
Thirrje...
Dikush po mundohet të hedhë sërish në zjarr shtëpinë e Abrahamit apo Ibrahimit, quajeni si të doni. Dikush po mundohet të luajë më atë që muslimanët e kanë më të dëmtuar se kurrë, imazhin e tyre të nëpërkëmbur nga ata pseudo-muslimanë që qëllimisht apo paditurisht, po baltosin fytyrën e besimit që e ka emrin Paqe, Islamit. Kur në këtë lojë hyn edhe lideri i 1,5 miliardë katolikëve, kjo bëhet shqetësuese. Ndaj muslimanët, duhet të ruajnë qetësinë e Salahadin Ejubit, sepse Jeruzalemi është i të gjithëve tashmë. Nuk ka vend për protesta, as për thyerje, e dhunë, e aq më pak për kërcënime dhe bomba. Mendoni sesi do përgjigjej Profeti ndaj kësaj fyerje!!! Pikërisht ashtu duhet të jetë reagimi i muslimanëve. Ndoshta do të përsëritte thirrjen e paraardhësit të tij, Profetit Isa, Jezu Krishtit "Fali o Zot, se s`dinë se ç`bëjnë." Ai do lutej për ta. Dhe e shumta që duhet të bëjnë muslimanët, është të luten për Ratzingerin, të luten të jetë më i përgjegjshëm kur të bëjë deklaratën e radhës. Dhe e dyta që mund të ndërmarrin, është t`i shkruajnë nga një letër secili Benediktit të 16-të, letër miqësore ku t`i argumentojnë me fakte gabimin e tij të madh. Na ka marrë malli shumë për Vojtilën e urtë, për dashurinë e tij, për fjalët dhe urtësinë... Bota ka humbur shumë... para së gjithash, kemi humbur ne, muslimanët! Amin!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›