E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falsifikimet, arrestohet kreu i Hipotekës së Vlorës

 

Trazhgim Sokolaj

Arrestohet me akuzat e “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”, drejtori i Hipotekës së Vlorës, Edmond Banushi. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se arrestimi i zyrtarit të Hipotekës së Vlorës është bërë në kohën kur ai ndodhej në Tiranë. Sipas burimeve të Prokurorisë, hetimi ndaj kreut të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kishte filluar disa muaj më parë, kryesisht nga Prokuroria e Vlorës pas informacioneve të shumta të marra për abuzimet e kreut të Hipotekës. Bashkë me kreun e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, Prokuroria ka nxjerrë dje urdhër-ndalimin edhe për juristin e Hipotekës së Vlorës, Viktor Kulaj, edhe ai i vënë nën akuzat “falsifikim dokumentesh nga personi që ka detyrë shtetërore” dhe “shpërdorim detyre”.
Abuzimi me truallin në qendër të Vlorës
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, organi i akuzës në Vlorë ka dokumentuar tërësisht abuzimin e kreut të Hipotekës, Edmond Banushi në regjistrimin e paligjshëm të një sipërfaqeje prej 800 metra katrorë tokë në qendër të qytetit të Vlorës. Burime zyrtare nga organi i akuzës thanë se disa kohë më parë, drejtori i Hipotekës në bashkëpunim me juristin e tij Viktor Kulaj, kanë regjistruar sipërfaqen e tokës në fjalë, nga e para, në kundërshtim me ligjin dhe duke falsifikuar dokumentet. Mbi truallin në fjalë mësohet se aktualisht ka nisur ndërtimi i një pallati.
Hetimi
Disa muaj më parë Prokuroria e Vlorës ka marrë informacion mbi dhjetëra abuzime të dyshuara të drejtorit të Hipotekës, Edmond Banushi. Menjëherë Prokuroria ka vendosur fillimin e procedimit penal, pasi në veprimet e kryera prej kreut të Hipotekës janë gjetur elementë të paligjshëm. Gjatë hetimeve disamujore, mësohet se është arritur të provohet me dokumente dhe ekspertime, falsifikimi i dokumenteve nga drejtori i Hipotekës së Vlorës si dhe nga juristi në varësi të tij. Pas kësaj Prokuroria ka kompletuar hetimin me prova të tjera shtesë dhe ditën e djeshme ka nxjerrë një urdhër-ndalimi për kreun e Hipotekës dhe juristin Viktor Kulaj. Urdhër-ndalimi i ka kaluar policisë “për veprim”, ndërsa forcat e rendit kanë kryer lokalizimin e të akuzuarit e më pas arrestimin e tij në Tiranë. Më pas kreu i Hipotekës së Vlorës është transportuar për në dhomat e paraburgimit të këtij qyteti, ku i janë njoftuar akuzat dhe masa e arrestit.

Në pranga edhe kreu i Komunës së Vunoit

Në të njëjtën ditë me arrestimin e kreut të Hipotekës së Vlorës, prokuroria e këtij qyteti ka urdhëruar dje arrestimin e një tjetër zyrtari. Kryetari i Komunës së Vunoit ka rënë në prangat e policisë së Vlorës pas një urdhri të firmosur nga prokuroria e rrethit. Kjo e fundit mësohet se ka dokumentuar abuzimin e kreut të komunës me një sipërfaqe të madhe toke më shumë se 15 hektarë në zonën e Himarës. Sipas burimeve nga prokuroria, mësohet se për kreun e komunës janë bërë disa kallëzime penale në prokurori, të cilat janë bërë shkak për nisjen e hetimit. Pas kësaj, prokuroria ka zbuluar abuzimt e kryera me më shumë se 15 hektarë sipërfaqe tokash në këtë zonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›