E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e vullnetit si mungesa e kambanës

Preç Zogaj 

I madh është numri i rekomandimeve që shoqërojnë raportin e OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Mbi tridhjetë.Vetë numri, por mbi të gjitha natyra e rekomandimeve  pohojnë me metodën e tërthortë të OSBE-së atë që ka ndodhur në zgjedhjet e fundit: zbatimin e përciptë të një pjesë të dispozitave të Kodit Zgjedhor, shkeljen dhe dhunimin e disa të tjerave.
Duke u hedhur një sy kalimthi këtyre rekomandimeve, që u shtohen atyre që janë dhënë në vitin 2007, dhe atyre që janë dhënë në vitin 2005, dhe atyre që janë dhënë në vitin 2003, dhe atyre që janë dhënë në vitin 2001, dhe atyre që janë dhënë në vitin 2000, në të njëjtin format, në të njëjtin kontekst, nganjëherë edhe sipas të njëjtit tekst, vetvetiu të vjen të pyesësh: Si është e mundur që zgjedhjet shqiptare e çajnë aq lehtë “rrethimin” e rregullave, duke i lënë me gisht në gojë dhe madje duke i tallur nëpunësit, ekspertët dhe politikanët që janë marrë e merren me reformën zgjedhore? Ç’është kjo hata, që ndërsa mbyllim të çarat e ledhit zgjedhor në një krah, plasin ujërat në krahun që kemi pas përforcuar radhën e kaluar dhe kështu pa mbarim? A mund të ndodhë vallë që numri i hileve nacionale të jetë më i madh se numri ndërkombëtar i rregullave? Ç’është ky Kod Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë që thuret e shthuret nga zgjedhjet në zgjedhje, që nuk zë karar kurrë, që nuk ia arrin qëllimit kurrë?
Një gjë që nuk prehet, nuk zgjat, thotë politologu i famshëm francez De Maistre. Kodi ynë, megjithëse ribëhët, riparohet apo reformohet pas çdo edicioni të dështuar elektoral, në bazë të rekomandimeve të reja të OSBE-ODIHR-it, në bazë të vendimit të ri të forcave politike për të punuar së bashku me konsensus dhe me asistencën e vyer të misionit të OSBE-së në Tiranë, pra ky Kod i  mallkuar, ky gur Sizifi që nuk arrin kurrë në majë, por kthehet në pikën e shërbimit kapital sapo përfundojnë zgjedhjet e radhës, nuk zgjat sepse nuk prehet dhe nuk prehet sepse shkallmohet në sprovën e (sh)përdorimit në zgjedhje, në radhë të parë nga qeveria dhe partia në pushtet. Ai, Kodi, në të vërtetë, është hartuar me kujdesin më të madh të mundshëm, me konsensusin më të gjerë të mundshëm, në reflektimin më të thellë të mundshëm dhe në dëshirën më të zjarrtë të mundshme për të lënë pas njëherë e përgjithmonë pandeminë zgjedhore. Deputetët janë ngritur në këmbë dhe kanë duartrokitur gjatë në çastin solemn të miratimit të Kodit të Ri, në të cilin ka gjetur shprehje edhe standardi i ri kulturor i klasës politike, vetëdija dhe përgjegjësia e saj e re  në lidhje me zgjedhjet si themeli i demokracisë. Por të gjitha këto gjëra, që mund të kenë qenë të sinqerta në momentin kur kanë ndodhur, rrokullisen e shpërbëhen në ditët e fushatës, në ditët e votimit, në ditët e numërimit. Një mendësi gati-gati atavike, mendësia e fabrikimit të rezultatit, e ushqyer me etjen për pushtet dhe përfitime, u rri në pritë si një ujkonjë e uritur zgjedhjeve shqiptare dhe i kafshon, herë sipas nevojës, herë sipas mundësisë. Pas kësaj Kodi i Ri invalidohet dhe nuk mund të niset më. Mbi tridhjetë rekomandime pasojnë zgjedhjet e 28 qershorit, që janë tridhjetë shembje apo të çara në ndërtesën disamuajshe të një procesi që u përgatit mbi një shtrat ligjor që vendi nuk e kishte njohur më parë. Mjafton të themi se konsensusi për këto zgjedhje startoi në lartësinë e marrëveshjes për ndryshimin e Kushtetutës.
Cili konsensus mund të jetë motivues dhe i besueshëm pasi ka dështuar i madhi?
A është e sjellshme (po përmendim fjalën më të butë) të  predikohen të njëjtat gjëra, pa mbajtur një qëndrim të prerë ndaj dhunimit që i është bërë nenit që flet për hapjen e kutive, nenit që konsiderohej gur themeli dhe xhevahiri më i çmuar i konsensusit të mëparshëm? Konsensusi që mbetet vetëm në letër është një mashtrim, një atentat për vetë idenë. Është më keq se sa të mos ketë ekzistuar fare.
Ndërkombëtarët, që “as heqin dorë, as venë dorë”, duket se nuk shohin rrugë tjetër për daljen nga spiralja e manipulimeve përveçse përmes përmirësimeve graduale nga zgjedhjet në zgjedhje. Prandaj propozojnë, pa frymëzim, një paketë që tingëllon si një film i vjetër me ca nuanca të reja. Mirëpo nëse dimë dhe duam të lexojmë drejt, paketa e rekomandimeve e kap demin për brirësh qysh në krye: “Partitë duhet të tregojnë vullnet politik për organizimin e zgjedhjeve demokratike, brenda privilegjeve të bollshme që u mundëson ligji për zgjedhjet”.
Me këtë fjali elegante, por vrastare fillon paketa e rekomandimeve të vitit 2009 për zgjedhjet e ardhshme. Një përqasje e plotë me parabolën tonë të kambanës që nuk bie për dyzet arsye, e para e të cilave është se nuk ka fare kambanë. Mungesa e vullnetit politik i vret zgjedhjet, sado i mirë të jetë Kodi. Sepse mungesa e vullnetit politik të qeverisë dhe partive për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme realizohet vetëm nëpërmjet dhunimit të dispozitave të Kodit, si rruga e vetme për të manipuluar e vjedhur. Dhe duhet ta dimë se të gjitha shkeljet, që nga përdorimi politik i administratës e deri të shtrembërimi me dorë i rezultatit e kanë fillesën pikërisht te mungesa e vullnetit politik që shprehet në formën e frikës për t’i lënë ligjet dhe rregullat në qetësinë e veprimit.
Situata paraqitet shumë e rëndë dhe madje duket pa shpresë në kushtet kur pikërisht ata që nuk kanë vullnetin e mirë për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme kanë edhe privilegjet e bollshme në ligjin zgjedhor, siç vë në dukje paketa e OSBE-ODIHR-it. Askush nuk mund t’u kundërvihet, askush nuk mund t’i ndalojë, sepse ata e kanë rregulluar punën në atë mënyrë që të luajnë vetë dhe të arbitrojnë vetë, të kenë edhe topin, edhe bilbilin, edhe gurin, edhe arrën, institucionet, opinionin publik, gjithçka. Vetëm konfrontimi i tyre për rezultatin, domethënë për ndarjen e presë, mund të ngjallë shpresën për nxjerrjen në dritë të së vërtetës si premisë për ndryshime nga turpi i kalimit të masës.
Kjo situatë, e vënë në dukje nga OSBE-ODIHR-i me një finesë të  pakëshillueshme për traditat e këtij vendi nuk është gjë tjetër  veçse gjendja e sundimit të partitokracisë mbi shtetin ligjor në Shqipëri. Ky është edhe momenti i minimit të besimit të popullit tek institucioni i zgjedhjeve. E ndjen kushdo se “privilegjet e bollshme” në duart e atyre që nuk bëjnë dot zgjedhje të lira janë si mëlçitë e varura në qafë të ujkut.
Situata, siç e thamë është e rëndë, por jo pa zgjidhje. Për konsekuencë mendimi dhe arsyetimi mund të rekomandohej, për shembull, reduktimi i privilegjeve të bollshme të partive duke u dhënë një rol gjithnjë e më të shtuar institucioneve të pjesës natyrore të shtetit apo organizimeve qytetare.
Por zgjedhjet e lira janë një kushtrim i madh i dinjitetit të gjithsecilit dhe i popullit mbarë, që nuk mund t’i dorëzojë për asnjë lloj arsyeje. Gjithkush e di këtë, me përjashtim të atyre që kujtojnë se populli është sovran vetëm në letër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›