Gjykata: Imuniteti shpëtoi Mediun
Armand Bajrami
Gjykata e Lartë zbardhi dje vendimin e arsyetuar të Kolegjit Penal, që pushoi gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, në lidhje me akuzat ndaj tij për tragjedinë e Gërdecit. Sipas vendimit pushimi i gjykimit ndaj Mediut ka ardhur për shkak të veshjes së tij me imunitetit pas rizgjedhjes si deputet në zgjedhjet e 28 qershorit. Gazeta “Panorama” boton më poshtë me shkurtime, arsyetimin e gjyqtarëve Ardian Nuni, Majlinda Andrea e Besnik Imeraj, që votuan pushimin e çështjes. Gjyqtaret Evjeni Sinoimeri dhe Evelina Qiriako, kanë qenë kundër pushimit të gjykimit.
Mendimi i shumicës
Në seancën gjyqësore të datës 14.09.2009, mbrojtësit e të pandehurit Fatmir Mediu pretenduan se prej datës 01.08.2009, i mbrojturi prej tyre është zgjedhur deputet në legjislaturën e XVIII të Kuvendit të Shqipërisë. Sipas pretendimeve të mbrojtësve të së pandehurit, mbas zgjedhjes së të pandehurit Fatmir Mediu deputet, organi i prokurorisë nuk ka paraqitur kërkesë për autorizim në Kuvendin e Shqipërisë. Gjithashtu, as nga ana e Kuvendit nuk është lëshuar autorizim për të lejuar ndjekjen penale ndaj të pandehurit Fatmir Mediu, pasi ai ka marrë mandatin e deputetit. Përfaqësuesit e akuzës, lidhur me këtë kërkesë paraprake të paraqitur nga mbrojtësit e të pandehurit, pretenduan se rrethana e re e paraqitur prej tyre, nuk përbën asnjë pengesë për gjykatën, që të vazhdojë gjykimin e çështjes në ngarkim të tij. Këtë ata e bazojnë në faktin se me shkresën datë 16.06.2008 të Kuvendit të Shqipërisë është dhënë autorizim për ndjekjen penale të së pandehurit F. Mediu. Kolegji i Lartë Penal çmon se zgjedhja e të pandehurit Fatmir Mediu deputet i Kuvendit të Shqipërisë në datën 01.08.2009 dhe mungesa e një autorizimi për procedim të K. të Shqipërisë për këtë person pas mandatimit si deputet, është një prej rrethanave ligjore, në bazë të së cilit ndjekja penale e filluar në ngarkim të së pandehurit Mediu nuk mund të vazhdojë. Në seancën gjyqësore të datës 14.09.2009, pasi nga mbrojtësit e të pandehurit u paraqiten prova sipas të cilave i pandehuri F.Mediu, pas datës 01.08.2009 ka marrë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Kolegji Penal arriti në përfundimin se kjo rrethanë e re është ndalim për këtë Kolegj që të vazhdojë ndjekjen penale në ngarkim të tij. Në vështrim të nenit 73 të Kushtetutës Kolegji Penal vlerëson se deputetët marrin një mandat politik dhe ushtrojnë funksionin e tyre, brenda afatit ligjor. Me mandatin e deputetit ka lidhje edhe statusi i tij. Element i rëndësishëm i këtij statusi, ndër të tjera, është imuniteti parlamentar, që përfshin papërgjegjshmërinë penale dhe paprekshmërinë penale të deputetit. Në kuptim të Kushtetutës, autorizimi i dhënë nga Kuvendi për ushtrimin e ndjekjes penale ka efekte brenda mandatit të legjislaturës përkatëse të Kuvendit. Në këtë kuptim mandati i deputetit F. Mediu ka mbaruar dhe për rrjedhojë edhe autorizimit të dhënë nga Legjislatura XVII-të e Kuvendit i kanë shteruar efektet juridike. Fatmir Mediu është zgjedhur deputet dhe pasi ka marrë këtë mandat, Kuvendi i Shqipërisë nuk ka lëshuar autorizim për ndjekjen e tij penale. Autorizimi që ndodhet në dosjen hetimore është i lëshuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në Legjislaturën e XVII-të të tij, ndërkohë që i pandehuri Fatmir Mediu është deputet i Legjislaturës së XVIII-të. Do të ishte antikushtetues vazhdimi i procedimit penal ndaj të pandehurit Fatmir Mediu me pretendimin se autorizimi i datës 16.06.2008 vlen edhe mbas datës 1.8.2009, pasi me këtë arsyetim do të pranonim faktin se mandatin e deputetit ky i pandehur e ka fituar pa imunitet parlamentar. Akti i zgjedhjes dhe konfirmimi i mandatit të deputetit nga Kuvendi i sapozgjedhur në seancën e tij të konstituimit është një akt i plotë dhe as në teorinë e as në praktikën kushtetuese nuk njihen raste që ky akt të jetë i privuar nga elementet e tij thelbësore, siç është ndër të tjera imuniteti kundër ndekjes dhe procedimit penal. Organi i akuzës nuk mund të mbështetet në kërkimin e vazhdimit të gjykimit kundër të pandehurit mbi bazën e një autorizimi të lëshuar nga Kuvendi i mëparshëm, sepse ky autorizim për nga vetë natyra e tij është i kufizuar në kohë. Ky autorizim bie dhe zhvishet nga efektet jo vetëm për shkak panevojshmërie kur gjykata jep vendim themeli, por edhe kur i pandehuri gjatë gjykimit rifiton një mandat të rregullt parlamentar. Për shkak se imuniteti është garanci e Kuvendit si institucion dhe jo e deputetit të tij, vazhdimi i gjykimit kundër të pandehurit do të cenonte vetë integritetin e Kuvendit, i cili është vetë ai që mund të vendosë për heqjen e këtij imuniteti mbi një kërkesë të posaçme, vetëm të organit të akuzës. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur Gjykata e Lartë edhe me vendimin nr.2 date 30.04.2002 që bën fjalë për të pandehurin Azgan Haklaj etj., sipas të cilit, ndër të tjera Kolegji Penal arsyeton se: “… Edhe pse i pandehuri Azgan statusin e deputetit të Kuvendit e fitoi mbas nisjes së procedimit penal, kur çështja ndodhet në gjykatë, gjykimi i tij nuk mund të vazhdojë pasi gjykata ndodhet përpara rasteve të parashikuara në nenin 290 të K.P. Penale…”. Gjithashtu, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë çmon se ai ndodhet në pamundësi procedurale për t’i kërkuar Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për vazhdimin e ndjekjes penale të së pandehurit Fatmir Mediu. Përsa i përket deklarimit të mbrojtësve të së pandehurit Fatmir Mediu, se janë të interesuar për të vazhduar gjykimin, gjykata konstaton se imuniteti i deputetit nuk është një garanci personale e tij, por një mjet kushtetues për të siguruar funksionimin normal të Kuvendit si institucion. Për rrjedhojë, dorëheqja personale e deputetit nga imuniteti të cilin ai e gëzon për shkak dhe për efekt të qenies së tij si anëtar i trupit legjislativ, është konstitucionalisht pa vlerë juridike dhe nuk mund të merret parasysh nga gjykata. Për këto arsye vendosi: Pushimin e procedimit penal në ngarkim të së pandehurit Fatmir Mediu, për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mund të vazhdojë.
Mendimi i pakicës
Kemi mendimin se interpretimi që i bëhet Kushtetutës nga shumica është një interpretim i tejkaluar, që bie ndesh me vetë frymën e Kushtetutës dhe qëllimin e saj. Mandati në vetvete është forma me të cilën vishet përfaqësimi politik, respektivisht delegohet ushtrimi i pushtetit shtetëror. Imuniteti nuk është gjë tjetër veçse një veshje mbrojtëse, që i bëhet mandatit të deputetit për të parandaluar ndjekjen penale nga organi i hetimit pa autorizimin e Kuvendit. Qëllimi i paprekshmërisë penale është pikërisht mënjanimi i mundësive të ndjekjeve arbitrare dhe të pabazuara në ligj që do të pengonin përfaqësuesin e popullit të kryente misionin e tij për të cilin ai është zgjedhur. Fryma e Kushtetutës nuk është paprekshmëria absolute e deputetit. Paprekshmëria e tij është një shmangie nga parimi i përgjithshëm i barazisë së shtetasve para ligjit, prandaj ajo duhet të zbatohet në mënyrë të kufizuar vetëm për efektin që thamë më lart. Në rastet ku organi i prokurorisë kërkon nga Kuvendi autorizimin për të ndjekur penalisht një person me imunitet siç është në rastin konkret deputeti Mediu, detyra e Parlamentit nuk është gjë tjetër, veçse të shqyrtojë nëse kjo kërkesë është e përligjur apo jo, sepse në të kundërt do të hynte në kompetencë të organeve të drejtësisë. Kuvendi në këtë rast vetëm çmon nëse ndjekja penale cenon pavarësinë e Parlamentit në përgjithësi dhe të deputetit konkret në veçanti. Ky shqyrtim nga parlamenti ka karakter thjesht politik, që do të thotë se i siguron liri veprimi drejtësisë pa paragjykuar nëse deputeti është ose jo fajtor. Në kushtet kur Kuvendi i Shqipërisë e ka dhënë njëherë autorizimin, duke lejuar organin procedues të kryejë procedimin përkatës, presupozohet që e ka ushtruar një kontroll të tillë dhe ka çmuar të drejtë kërkesën. Për pakicën, kërkesa kushtetuese që i paraqitet Kuvendit për dhënien e autorizimit për procedimin e një kategorie personash, përfshirë edhe deputetët dhe dhënia në fakt e këtij autorizimi nuk presupozon zhveshjen e personit konkret nga mbrojtja e veçantë, që ai gëzon për shkak të imunitetit parlamentar, të cilën e ka fituar me zgjedhjen nga elektorati dhe konfirmimin nga KQZ. Përkundrazi, pas dhënies së autorizimit për procedim, madje dhe pas marrjes se tij si i pandehur, deputeti ashtu sikurse ndodhi dhe me të pandehurin Fatmir Mediu vazhdon të ushtrojë funksionet e tij, si deputet duke gëzuar të drejtat dhe garancitë ligjore përfshirë dhe mbrojtjen e posaçme juridiko-penale për veprime te drejtuara kundër tij dhe që përbëjnë vepër penale, pa kufizim. Autorizimi për procedim i dhënë nga Kuvendi është parakusht për organin procedurës pa të cilin ky i fundit nuk mund të kryejë një numër veprimesh procedurale përfshirë marrjen si të pandehur. Fakti që i pandehuri F. Mediu u rizgjodh si deputet në Kuvendin e Shqipërisë nuk mund të konsiderohet se ka shërbyer për të krijuar një gjendje të re juridiko-kushtetuese përsa i përket imunitetit parlamentar në përgjithësi dhe kuptimit e qëllimit të autorizimit për procedim në veçanti. Ky i pandehur u rizgjodh deputet po i Kuvendit të Shqipërisë, organ ky i cili pavarësisht numrit progresiv të legjislaturave të tij (nga 17 në 18) ishte shprehur tashmë pozitivisht për kërkesën e organit procedues për dhënien e autorizimit për procedim mbi bazën e po atyre fakteve për të cilat ishte duke vazhduar shqyrtimi gjyqësor i kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas mendimit të pakicës vijimësia e efekteve kushtetuese dhe juridiko-penale të autorizimit të dhënë njëherë nga Kuvendi është rrjedhojë e vijimësisë së veprimtarisë së këtij organi kushtetues pavarësisht ndarjes në legjislatura dhe ndryshimeve që ndodhin në përbërjen nominale të tij për shkak të zgjedhjeve të reja. Jemi në kushtet e gjykimit të së njëjtës çështje për të cilën është marrë njëherë autorizimi nga organi i procedurës. Mendojmë se dhënia e një autorizimi të ri për të njëjtën çështje është një tejkalim në interpretimin të Kushtetutës. Jemi dakord me kërkimin që bëri organi i akuzës për vazhdimin e këtij gjykimi. Në vendimin e shumicës arsyetohet se Gjykata e Lartë ka mbajtur po të njëjtin qëndrim (ka pushuar çështjen) kur ka gjykuar të pandehurin Azgan Haklaj, mbas marrjes prej tij të mandatit të deputetit. Theksojmë se rrethanat për çështjen e mesipërme nuk janë të njëjta me rrethanat e çështjes objekt gjykimi. Shtetasi Azgan Haklaj u zgjodh deputet për herë të parë pasi ndaj tij kishte filluar procedimi penal, madje pasi ishte vendosur masa e sigurimit arrest në burg dhe ishte marrë si i pandehur. Patjetër që edhe për pakicën, me zgjedhjen e tij si deputet, u krijua një rrethanë krejtësisht e re për këtë person, kapërcimi i së cilës pa marrë autorizimin nga Kuvendi do të binte ndesh me ndalimin kategorik të pikës 2 të nenit 73 të Kushtetutës. Në analizë të gjithë sa thamë më lart mendojmë se procedimi penal nuk duhej pushuar.
Prokuroria: Nuk kemi marrë vendimin
Prokuroria e Përgjithshme tha se nuk është njohur ende me vendimin e Gjykatës së Lartë për pushimin e dosjes penale ndaj Fatmir Mediut. Sipas burimeve zyrtare nga organi i akuzës, Prokuroria është në pritje prej ditësh, për vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë me qëllim shqyrtimin e mundësive ligjore për zgjidhjen e çështjes. Megjithatë edhe dje, pasi Gjykata e Lartë ka bërë publik vendimin e zbardhur dhe të arsyetuar mbi të cilin u vendos pushimi i hetimeve dhe i gjykimit ndaj Mediut, organi i akuzës tha se pret të njihet me vendimin zyrtarisht e më pas të shqyrtojë mundësitë ligjore që i kanë mbetur.