Vendimi në mesnatë, studentët lënë grevën
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Pas tre orë bisedime me dyer të mbyllura, studentët e universitetit të Vlorës kanë rënë dakord mbrëmë me një përfaqësi të Ministrisë së Arsimit për të dalë nga greva e urisë. Drejtoresha e kabinetit në këtë dikaster, Edlira Labe bëri të ditur mbrëmë për “Panorama” se ishte rënë dakord me studentët e sapodiplomuar të juridikut për t’iu dhënë atyre diplomën e nivelit të dytë të integruar. Përfaqësuesve të ministrisë u janë dashur disa orë derisa të bindin grevistët për të dalë nga “ngujimi”, pasi ata nuk bindeshin se urdhri i MASH mund të vihej në zbatim. Mësohet se studentët kanë rënë dakord gjithashtu edhe për modelin e ri të diplomës, si dhe detaje të tjera të saj, përfshirë këtu edhe heqjen e krediteve. Ndërkohë, deri rreth orës 23:00, orë në të cilën dolën edhe studentët nga greva, gjendja e tyre ishte e rënduar. Dje gjatë gjithë ditës, në sallën ku ishin “akomoduar” për grevën e urisë mbetur vetëm 9 prej tyre. Ndërsa dy studentë përfunduan në gjendje të rëndë në spitalin e Vlorës ku morën ndihmë mjekësore dhe serume dhe u kthyen sërish në grevë në orët e darkës. Ata paralajmëruan se nuk do të dalin nga greva pa marrë më parë diplomat. Studentët i kërkuan dje ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj që të marrë takim me ta për t’iu dhënë një zgjidhje dhe për të bërë të mundur zbatimin e urdhrit të lëshuar prej tij. kërkesës së tyre i është përgjigjur MASH duke çuar drejt Vlorës një përfaqësi të ministrisë për të negociuar me studentët. Në lidhje me gjendjen e krijuar, rektorati iu dërgoi dje vetëm një shkresë studentëve në të cilën citohet me dy rreshta se do të merret parasysh urdhri i ministrit. Në këtë shkresë nuk jepeshin detaje të tjera sqaruese dhe bindëse për ta.
“Jemi të vendosur të qëndrojmë këtu brenda deri sa të na jepet diploma e vjetër në dorë sipas urdhrit të ministrit. Nuk kemi aspak besim te rektorati se do na pajisi me diplomën e vjetër. Edhe pas urdhrit të ministrit askush prej tyre nuk ka komunikuar me ne direkt, por janë mjaftuar të dërgojnë në shkresë të paqartë”, u shprehën dje studentët grevistë. Sipas tyre, nëse nuk do të marrë zgjidhje problemi ata do të kërkonin shkarkimin e rektorit Shaska, i cili urdhëron vetëm me e-mail nga Amerika. Gjithashtu, studentët paralajmëruan se bashkë me ta do të futen në grevë edhe prindërit e tyre si dhe studentë të tjerë. Ndërkohë rektori Tanush Shaska, i cili pritet të mbërrijë sot nga SHBA ka reaguar ndaj deputetëve apo politikanëve të majtë dhe të djathtë, që kanë vizituar studentët grevistë. Shaska iu bën thirrje politikanëve të mos shfrytëzojnë për qëllime politike grevën e studentëve. “Asnjë nga ju, politikanë, nuk ju jepet e drejta të shtireni, sikur ju dhimbsen këta ish-studentë. Ju kujtojmë të gjithë politikanëve që behën në Vlorë për të ndërtuar kapital politik në një problem krejtësisht apolitik, midis të cilëve Dashamir Tahiri, Kreshnik Cipi, Ledi Shamku, Erjon Veliaj, Eltar Deda dhe Ardi Kollozi, që të mos i fusin hundët atje ku nuk u takon. Duke iu referuar zotit Kollozi, që merr përsipër zgjidhjen e problemeve të universitetit, i kujtojmë atij se, nuk ka as kapacitetin intelektual as kompetencat ligjore për t’u dhënë zgjidhje këtyre problemeve”, shprehej ndër të tjera Shaska.