Master për pasuritë arkeologjike
GJIROKASTER - Për herë të parë në historinë 41-vjeçare të universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës do të nisë cikli i dytë i studimeve në nivelin master për profilin “administrim të pasurive arkeologjike”. Bashkëpunimi disavjeçar ndërmjet këtij institucioni dhe universitetit të Maceratës (Itali) është konkretizuar pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave, që vendosi fillimin e këtij niveli studimesh. Prof. Ass. Bektash Mema, pedagog i departamentit Histori-Gjeografi, njëherësh bashkëhartuesi i këtij projekti, e ka cilësuar këtë vendim si një hap tejet të rëndësishëm në ngritjen e nivelit pedagogjik të institucionit më të rëndësishëm të arsimit në jug të vendit. “Përveç nivelit të lartë të studimeve që garantohet nga stafi i përzgjedhur i pedagogëve shqiptarë e italianë, por edhe nga mjaft ekspertë të monumenteve e arkeologjisë, do t’u japë mundësi studentëve të kenë një diplomë të barazvlefshme me atë të studentëve evropianë”, shprehet Mema për gazetën “Panorama”. p.n