E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet emigranti 30-vjeçar, dyshohet për larje hesapesh

VLORË- Një emigrant ka qenë shënjestra e një atentati, ndërsa shkaqet e ekzekutimit të të riut mbeten ende mister. Ekzekutimi i 30-vjeçarit ndodhi në orët e vona të mbrëmjes të së mërkurës në afërsi të banesës së tij, në lagjen “1 Maji”. Plumbat e qëlluar nga afër kanë depërtuar të tëra në trupin e tij, duke mos i dhënë të riut asnjë mundësi shpëtimi.

Vrasja

Mësohet se Klaudon Leka, jetonte prej vitesh në Itali dhe ishte kthyer me pushime tri ditë më parë. I riu së bashku me prindërit ndodhej prej më shumë se 14 vjetësh rezident në Itali. Ai kishte ardhur te gjyshja e vet, të dhëna këto që jepen paraprakisht pas ngjarjes.

I riu ka qenë pranë banesës së tij, kur autorët e vrasjes, dy persona që udhëtonin me motor kanë qëlluar me armë në drejtim të tij. Leka ka marrë plumba në pjesë të ndryshme të trupit, plot 6 të tillë. Autorët ende nuk janë identifikuar. Ajo çka dihet paraprakisht për ta është se udhëtonin me një motor, dhe pikërisht prej andej i kanë drejtuar armën Lekës, duke e qëlluar për vdekje.

Policia ka mbërritur në vendngjarje, duke kryer ekspertizat përkatëse. Gjithsesi, për çështje hetimi nuk jepen detaje. Një ndër pistat e mundshme grupi hetimor ka larjen e hesapeve, që mund të lidhet me qëndrimin e të riut në Itali.

Policia

Policia ka dalë me një deklaratë për shtyp, me anë të së cilës bëhet me dije se 30-vjeçari ka ndërruar jetë në spitalin rajonal Vlorë. “Nga hetimet paraprake ka rezultuar se viktima në momentin e ngjarjes ka qenë në shoqërinë e dy personave, duke biseduar, në trotuarin e rrugës në lagjen “1 Maji”. Në këtë moment janë afruar dy persona me motoçikletë me skafandra të vendosura në kokë. Një prej tyre ka zbritur nga motori dhe ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të të dëmtuarit, duke e plagosur rëndë dhe më pas janë larguar me shpejtësi për në brendësi të lagjes “1 Maji” Vlorë. I dëmtuari, si rezultat i plagëve me armë zjarri, ka gjetur vdekjen më vonë në spitalin rajonal të qytetit të Vlorës. Nga hetimet paraprake rezulton gjithashtu se viktima jetonte në Itali së bashku me familjen e tij që prej vitit 1994 dhe kishte disa ditë që ishte kthyer nga Italia dhe rrinte te gjyshja e tij në lagjen “1 Maj” në qytetin e Vlorës”.

Duke qenë se 30-vjeçari jetonte prej vitesh jashtë, e me lidhje të pakta këtu, pistat kanë qenë thuajse të vakëta për policinë shqiptare. Dyshimet e para janë hedhur për ngjarje që kanë të bëjnë me jetesën në Itali. Mënyra tipike e ekzekutimit ka sjellë në vëmendje një larje të mundshme hesapesh, e cila mbetet thjesht një hipotezë. Specialistët e policisë së Vlorës kanë dokumentuar ngjarjen, kanë dërguar gëzhojat e gjetura për ekspertim të mëtejshëm, ndërsa kanë shoqëruar dy personat me të cilët është përshëndetur së fundmi viktima, teksa shkonte për në banesë. Mbajtja e skafandrave nuk ka ndihmuar për shumë detaje, të paktën në përshkrimin fizik të ekzekutorëve. Mësohet se pas atentatit të të riut, drejt Vlorës të kenë udhëtuar edhe familjarë të viktimës, që ndodheshin në Itali, të cilët kanë mbetur të shokuar nga lajmi i marrë.

E.Haruni

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›