Falsifikimi i 257 ha tokë të Konomit, hije dyshimi mbi Gjykatën e Durrësit
Hetimi për falsifikimin e 257 hektarëve tokë në Gjirin e Lalzit, drejt mbylljes. Zbulohet se procesi i falsifikimit të aktit të trashëgimisë është kryer në një nga zyrat e Gjykatës së Durrësit
Tiranë Hetimet e Prokurorisë së Tiranës në lidhje me akuzat e familjes Konomi për falsifikimin e dokumenteve të 275 ha tokë kanë përfunduar, ndërsa duket se rezultatet e këtyre hetimeve kanë nxjerrë në pah fakte interesante. Përveçse është mundur të vërtetohet pretendimi i familjes Konomi për falsifikimin, hetimi zbuloi se procesi i falsifikimit është kryer në një nga zyrat e Gjykatës së Durrësit, ndërsa nuk bëhen të ditura detaje në lidhje me punonjës të gjykatës që kanë lidhje me falsifikimin. Tashmë, dosja hetimore është dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme, nga e cila pritet “fjala e fundit” mbi këto hetime dhe ecurinë e mëtejshme të kësaj çështjeje. Falsifikimi bën fjalë për një fletë nga regjistri i pronave, ku është shënuar një akt trashëgimie në emër të familjes Shallvari, trashëgimtare e të cilit është edhe familja e gjyqtarit të vrarë në Vlorë.
Hetimi ka vërtetuar falsifikimin e këtij dokumenti që mban datën 1942, por ende nuk ka përgjegjës për këtë konflikt pronësie që vazhdon të jetë në proces gjyqësor.
Dyshohet se dokumenti në fjalë që u njeh të drejtën e pronësisë pretendentëve për këtë tokë, është futur i falsifikuar në Arkiv dhe më pas është tërhequr po nga të njëjtët persona. Gjatë hetimit gati 7-mujor, Task Forca në prokurorinë e Tiranës ka mundur të zbardhë skemën e mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, me anë të të cilave synohet përfitimi i 275 ha tokë. Sipas burimeve konfirmohet se dokumenti në fjalë ka të dhëna dhe shenja lehtësisht të dallueshme, pavarësisht përpjekjeve të falsifikatorëve që kjo fletë e regjistrit të duket e njëjtë me të tjerat. Dy ekspertë të përzgjedhur nga prokuroria kanë mundur të përcaktojnë se fleta e regjistrit nuk është origjinale, duke renditur një sërë elementesh, të cilat provojnë falsifikimin. Pas këtij konstatimi, hetuesit kanë mundur të zbardhin rrugën e ndjekur nga përdoruesit e dokumentit fals, i cili është futur në Arkiv, për t’u tërhequr më pas si dokument zyrtar. Lidhur me këtë pjesë të hetimit dhe personat e përfshirë në këtë aferë, nuk jepen detaje, pasi çështja pritet të jetë pjesë e një analize të detajuar. Konfirmohet fakti se prokuroria ka zbardhur tashmë organizatorët e kësaj skeme, edhe pse personat e interesuar kanë deklaruar se këtë dokument e kanë marrë zyrtarisht pranë Arkivit. Në prill të këtij viti, të afërm të gjyqtarit Skerdilajd Konomi denoncuan në prokurori falsifikimin e dokumenteve për pronësinë e një sipërfaqeje prej 275 ha tokë. Më herët, një kallëzim i tillë ishte bërë edhe në Prokurorinë e Durrësit, e cila vendosi pushimin e çështjes, pasi vepra penale ishte parashkruar. Në vendimin e pushimit u konstatua se dokumenti në fjalë ishte i falsifikuar, sepse transkripti i tij ishte i ndryshëm nga dokumenti. Duke qenë se transkripti ishte marrë zyrtarisht nga Arkivi, nuk mund të përcaktohej mënyra sesi një dokument i tillë ishte futur në këtë zyra dhe cilët ishin personat që qëndronin pas kësaj afere. Por në hetimin e kryer nga Prokuroria e Tiranës, sipas të dhënave, mësohet se tashmë kjo skemë është zbardhur dhe pritet analiza përfundimtare për të vijuar me veprimet e mëtejshme. Kur ka kaluar më shumë se një muaj e gjysmë nga vrasja e gjyqtarit, hetimet janë përqendruar në pistën e pronave si motiv kryesor për ngjarjen e rëndë. Edhe familjarët e gjyqtarit të ndjerë, nëpërmjet dy letrave për krerët e shtetit dhe të drejtësisë, hodhën dyshime se vrasja e të afërmit të tyre është bërë për motive pronësie, duke kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronësisë. Gjyqtari Skerdilajd Konomi u vra vetëm pak ditë pasi Gjykata e Lartë kishte zbardhur një vendim, i cili i njihte atij dhe të afërmve të drejtën e pronësisë për 2 mijë hektarë tokë në Gjirin e Lalzit.