Tre të plagosur në aksident, policia ndalon djalin e Gramoz Ruçit
Dy makina përplasen në kryqëzimin kryesor të rrugës së Elbasanit, duke shkaktuar plagosjen e tre të rinjve. Një vajzë 28-vjeçare, në gjendje kritike për jetën në Spitalin Ushtarak. Ndalohet drejtuesi i BMW X6, Ledion Ruçi, i cili po merret në pyetje për rrethanat e aksidentit për shkak të shpejtësisë
Tiranë Përplasja e fortë e dy makinave në rrugën e Elbasanit ka shkaktuar plagosjen e tre të rinjve, njëra prej të cilëve në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak. Policia ka shoqëruar djalin e deputetit socialist Gramoz Ruçi, Ledionin, si të përshirë në aksident, ndërsa po punohet për të zbardhur rrethanat e përplasjes. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:20 minuta, në kryqëzimin kryesor të rrugës së Elbasanit, kur një automjet “Mini Cuper” dhe një BMW X6 janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë janë plagosur rëndë 2 vajza dhe një djalë i ri. Policia bën të ditur se tre të plagosurit janë dërguar me urgjencë në drejtim të Spitalit Ushtarak, ku 28-vjeçarja me inicialet B.P. është në rrezik për jetën. Burime nga spitali thanë për MAPO-n se ajo është paraqitur me plagë të rënda në kokë dhe është futur menjëherë në sallën e operacionit, ku mjekët po përpiqen t’i shpëtojnë jetën. Dy të plagosurit e tjerë, një vajzë dhe një djalë janë jashtë rrezikut për jetën. Pak minuta pas ngjarjes, policia e Tiranës bëri të ditur se i përfshirë në aksident është dhe shtetasi Ledion Ruçi, djali i deputetit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i cili ishte duke drejtuar automjetin BMW X6. Në orët e vona të mbrëmjes policia ka marrë në pyetje djalin e deputetit, për të sqaruar rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë në këtë ngjarje. Burime nga policia bënë me dije se, megjithëse makina BMW është zhvendosur disa metra nga vendi i përplasjes, Ruçi ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore. Në vendngjarje mbërritën menjëherë ambulanca dhe policia. Efektivët kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. “Përplasja ishte e tmerrshme dhe ishte fat që makinat nuk u futën te dyqanet tona”, - thotë punonjësi i një fast-food-i, dëshmitar okular i aksidentit. Paraprakisht shkak i aksidentit dyshohet shpejtësia e madhe dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit. Automjeti tip BMW X6, pas përplasjes me ‘Mini Cuper’ më pas ka hyrë në trotuarin anësor dhe është përplasur me një nga muret e ndërtesave. Fatmirësisht, asnjë kalimtar nuk ka pësuar dëmtime, vetëm muri anësor i një prej dyqaneve të asaj zone. Dyshohet se të dyja automjetet kanë qenë me shpejtësi të madhe, por do të jenë hetimet që do të përcaktojnë se cili nga automjetet ka qenë shkaktar për aksidentin e rëndë që i rrezikon jetën një vajze 28-vjeçare.