E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncim: Mësuesit janë bërë si gjobëvënës

Elbasan – Kurset private që zhvillojnë mësuesit me nxënësit e tyre janë shndërruar në epidemi. Prindërit ankohen për diskriminimin e fëmijëvëqë nuk shkojnë në këto kurse

Pasi lexova në gazetën IDEA mbi fenomenin e kurseve private nga mësuesit në tiranë, desh ta denoncoj edhe raste të ngjashme në qytetin e Elbasanit. Për shkak të frikës nga hakmarrja ndaj fëmijës, unë nuk po prezantohem por,  doja tju ftoja juve si gazetë që të hetoni mbi këtë problem edhe në Elbasan. Mësueset jo vetëm në shkollën e msme, por edhe në atë nëntëvjeçare dhe fillore i detyrojnë nxënësit të shkojnë në kurse private në shtëpitë e tyre. Djali im është në klasën e katërt dhe ai është çdo ditë nën presion që të ndjekë kursin e mësueses pasi këtë bën gjysma e klasës së tij. Ai tregon se në klasë mësuesja i favorizon nxënësit që shkojnë në kursin e saj dhe diskriminon ata që nuk shkojnë. Por nga sa di unë këtu ka edhe shumë mësues të tjerë, për të mos thënë shumica, që zhvillonjë kurse me nxënësit e tyre.

Mesa di unë kjo është e paligjshme, por edhe nëse ka nga ata prindër që duan ti dërgojnë, le ti dërgojnë. Por neve që nuk kemi mundësi të paguajmë mësuesit të mos na i diskriminojnë fëmijët.

Në një intervistë për gazetën Panorama Kryeinspektori i IKAP, Robert Gjedia, sqaron se infrastruktura e dobët, kurset private, mësimdhënia e mbetur peng i metodologjisë së vjetër mbeten plagë të sistemit arsimor parauniversitar.
Zoti Gjedia, Inspektorati Kombëtar i Arsimit parauniversitar është një strukturë e re që ka centralizuar kontrollin në këtë sistem, mund të na thoni si kryhet ky monitorim?
Inspektorati kryen inspektime të karakterit kombëtar ose rajonal, të cilat përcaktojnë me short shkollat që do të inspektohen. Numri i këtyre shkollave duhet të jetë i mjaftueshëm, që përfundimet të kenë shkallë të lartë besueshmërie. Gjatë inspektimit të një institucioni, inspektorët mbështeten te vetëvlerësimi i institucionit dhe ai i punonjësve të tij. Veprimtaria vlerësohet përmes vëzhgimeve të drejtpërdrejta në klasë, veprimtarive shkollore jashtë klase, takimeve të mësuesve me prindërit, të drejtorit me mësuesit, shqyrtimit të dokumentacionit zyrtar dhe testeve të standardizuara.
Nga inspektimet që ju keni kryer që prej krijimit të IKAP, cilat janë problematikat më të mprehta të cilat hasen në shkolla dhe a mund të bëjmë një diferencim mes Tiranës dhe rretheve sa i përket cilësisë?
Pa diskutim që janë evidentuar probleme. Kryesisht në infrastrukturë, e cila është më problematike në Tiranë për shkak të fluksit të madh në shkolla dhe të mungesës së ambienteve. Po kështu, nëse do të përqendrohemi tek mësimdhënia, ka ende shumë mësues, të cilët janë peng i metodologjive të vjetra, çka ka kosto direkt në procesion e të nxënit të nxënësve. Diferenca mes Tiranës dhe rretheve është pjesë e një studimi të veçantë, por do të thosha se, siç ka shkolla shumë të mira në Tiranë, ashtu ka edhe në rrethe e treguesi më i mirë për këtë, është pranimi në shkollat e larta.
Ju merrni në shqyrtim edhe ankesat e nxënësve në mos gaboj, cila problematikë dominon dhe si zgjidhet?
Inspektorati merr parasysh çdo ankesë që vjen nga prindër, nxënës e mësues në sistemin arsimor. Specialistët tanë verifikojnë ankesat dhe përpiqen të zgjidhin problemin mes palëve. Përgjithësisht ankesat e nxënësve në raport me mësuesit janë për vlerësimin. Nxënësit shpesh janë të pakënaqur. Kemi edhe ankesa nga prindërit për kurset private që bëhen në shkolla. Duhet të them me keqardhje që ky fenomen është ende prezent, por vitet e fundit ka një përmirësim të ndjeshëm, pasi më parë kurset bëheshin nga mësuesit edhe brenda shkollës. Ne u kemi bërë thirrje nxënësve të denoncojnë çdo praktikë të këtij tipi. Po kështu, nga ana tjetër u bëjmë apel mësuesve të mos abuzojnë. Përgjithësisht pas ankesave, Inspektorati dhe drejtoria e shkollës ka një listë të mësuesve që bëjnë kurse private dhe, në momentin që këta të fundit kapen duke ushtruar këtë aktivitet në kundërshtim me ligjin, do të largohen nga puna.
Ku është më prezent ky fenomen në Tiranë apo në rrethe dhe a është marrë ndonjë masë ndëshkuese?
Ankesat më të shumta janë në Tiranë. Por edhe në rrethe nga informacionet që ne kemi, operohet me kurse private. Në mungesë të kapjes në flagrancë, janë tërhequr kryesisht vërejtje duke sinjalizuar drejtorinë e shkollave. Kontrolli dhe monitorimi për këta mësues vazhdon.

Funksioni
Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar inspekton, monitoron, vlerëson, këshillon dhe nxjerr përfundime mbi zhvillimin e procesit mësimor-edukativ, menaxhimin e bazës materialo-didaktike të shkollës. IKAP verifikon pajtueshmërinë e veprimtarisë të institucioneve arsimore me aktet ligjore e nënligjore në fuqi. Po kështu monitoron problemet që paraqiten në shkollë me tekstin shkollor, kodit të etikës së mësuesit, punën e bordit të shkollës, si dhe të organeve demokratike të saj. Inspekton zbatimin e rregulloreve të Maturës Shtetërore dhe provimeve të lirimit.

Shkrime të tjera me interes:

  1. Rinia dhe libri, tendecën e përcaktojnë mësuesit dhe media
  2. Shkolla torturuse, tekstet e 9-vjeçares më të ngarkuar se në shkollat e BE
  3. Ministri Tafaj e pranon: Shkollat janë të mbingarkuara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›