E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, “vrasësi i facebookut” ka kryer dhe një vrasje tjetër

ATHINE - Një shqiptar 26 vjeçar, i njohur ndryshe edhe si “vrasësi i facebook-ut”, i cili po mbahet në burgun e Grevenasë, në Greqi, sipas policisë akuzohet edhe për një krim tjetër.

Ai është autori i vrasjes së një nëpunësi 55 vjeçar të një agjencie bastesh sportive Pro-Po, në Petrupolis të Athinës, më 29 dhjetor 2009.

Për të njëjtën vrasje, në kërkim është edhe një person tjetër bashkëpunëtor me shqiptarin 26 vjecar. 

Seksioni i krimeve kundër jetës të sigurimit publik të Atikës e zbardhi cështjen nga ku rezultoi se autorët e vrasjes së 2 viteve më parë, u futën në agjencinë e basteve, shtinë dy herë mbi 55 vjeçarin, duke e plagosur për vdekje dhe rrëmbyen paratë e xhiros së ditës. 

Policia gjeti në vendngjarje dy gëzhoja pistolete Tokarev 7,62 mm, të cila pas analizave rezulutuan se kishin dalë nga e njëjta armë me të cilën ishte kryer vrasja e një 29 vjeçari grek, pasditen e 8 majit 2010, në kilometrin e 40-ë të rrugës Athinë - Sunion, për të cilën u arrestua shqiptari 26 vjeçar.
 
26 vjeçari për shkaqe xhelozie, meqenëse mikesha e tij mbante lidhje me viktimën, krijoi një profil vajze në Facebook, përmes të cilit la takim me "rivalin" e tij dhe kur ky mbërriti në vendtakim, e ekzekutoi brenda në makinën e vet. 

Mbi 26 vjecarin, që tashmë njihet si "vrasësi i Facebook-ut", rëndojnë tashmë 2 krime për të cilat ai do të gjykohet dhe dënohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›