Fier, në 3 muaj 137 çifte duan divorcin
FIER - Prej fillimit të vitit, 137 çifte kanë paraqitur kërkesën për divorc në Gjykatën e Fierit. Kjo shifër është bërë e njohur gjatë analizës së punës për 3-mujorin e parë në këtë gjykatë. Sipas të dhënave nga ky institucion, numri i divorceve të paraqitur shkon në 137, ndërkohë që 70% e tyre kanë mundur të zgjidhin përfundimisht martesën e tyre me vendim gjykate me ndarje, ndërsa pjesa tjetër është pushuar ose është në vazhdim gjykimi. Duke iu referuar të dhënave të Gjykatës së Fierit, vetëm ky 3-mujor shënon gati 38 për qind të divorceve të regjistruara sa për të gjithë vitin 2008, vit që numëroi 398 divorce. Shifrat janë tronditëse, sepse ky fenomen po rritet gjithmonë nga viti në vit, duke çuar në shpërbërjen e familjeve në rrethin Fier, por duke shtuar edhe kategorinë e fëmijëve të mbetur jetimë. Rreth 50% e divorceve e përbëjnë familjet e reja me një ose 2 fëmijë, ndërkohë që ndarjet e çifteve kanë pasur si motiv sërish çështjet e nivelit të ulët ekonomik, papunësisë dhe emigracioni. Avokatët janë shprehur se një nga shkaqet më thelbësore që përbëjnë prishjen e martesës së një çifti janë ato ekonomike. Gjithsesi nuk përjashtohen edhe shkaqe të tjera, nga ato më të rëndat e deri më banalet. Sipas avokatëve, 95% e çifteve në seancën e pajtimit kanë zgjidhur kurorën. Ndërkohë faktorët që e çojnë një familje të shpërbëhet janë edhe faktorët e jashtëm që ndikuan në vendin tonë, si hapja e kufijve dhe emigracioni. "Por nuk përjashtohen edhe rastet e martesave me shkuesi dhe jo mbi bazën e njohjes së vetë çiftit. Shkak tjetër është mospërputhja e karaktereve, martesat në moshë të vogël dhe të papjekur për t'i përballuar vështirësitë e jetës", etj. m.r