E Diel, 1 Nëntor 2026

Humbi para në lojëra fati, gjendet i varur 23-vjeçari

 

SARANDE/ SHPRESA DINE

Gjendet i vetëvarur 23-vjeçari nga Mallakastra. Flatun Shehaj, kontingjent i policisë, kishte pak kohë i liruar nga burgu, kur u gjet i pajetë brenda një godine në ndërtim, në rrugën Turizëm-Kanali i Çukës. Humbja e një shume të madhe parash në lojërat e fatit pak orë para, mendohet të ketë shtyrë të riun drejt këtij akti. Për policinë ka qenë i njohur emri i Shehajt, i ardhur vite më parë nga Kuta e Mallakastrës, e tashmë banues në Sarandë, pasi ishte dënuar disa herë në këtë qytet dhe në Fier si i përfshirë në vjedhje e në trafiqe. Mësohet se ai i ka dhënë fund jetës rreth mesnatës, për t'u gjetur pa jetë nga rojet e objektit pak minuta më vonë. Ata kanë parë trupin e një njeriu që lëkundej i varur në një nga kolonat e objektit në ruajtje. Pasi është transportuar për në morgun e spitalit të Sarandës, kufomës i është bërë ekspertiza mjekësore, ndërkohë që mësohet se kanë nisur hetimet e marra përsipër nga ekspertë të krimeve të rënda të komisariatit të policisë së Sarandës. Nga akti i ekspertizës dhe hetimet fillestare, dyshimet më të forta lidhur me varjen e Flatun Shehajt janë ato të vetëvarjes. Kjo, pasi nga hetimet e kryera nga policia është zbuluar se kohët e fundit, ky shtetas frekuentonte shpesh lojërat e fatit, në të cilat kishte humbur një sasi parash, duke bërë që kohët e fundit ai të jetonte i mbyllur në vetvete. Sipas burimeve policore, shtetasi Flatun Shehaj, në vitin 2005 ka qenë i dënuar nga Gjykata e Fierit me 6 muaj burg për vjedhje, ndërkohë që ka rënë në pranga në të njëjtin vit në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Botës. Më pas Shehaj është shpallur sërish në kërkim nga policia, i akuzuar për veprën penale "largim nga burgu". Në nëntorin e vitit 2007, Shehaj është arrestuar si autor i veprës penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim përfitimi, duke u akuzuar për marrje të 1800 eurove për person. "Këtë vepër, - sqaronin në atë kohë burimet policore, - Shehaj e kryente shpesh në Sarandë". Veprën penale të vjedhjes Shehaj e ka përsëritur edhe në vitin 2008, kur është kapur nga policia në tentativë për të vjedhur në banesën e shtetasit G.B. në qytetin e Sarandës. Pikërisht për këtë vepër Flatun Shehaj është dënuar në dhjetor të vitit 2008, nga Gjykata e Sarandës, me 6 muaj burg. Po dje, familjarët e 23-vjeçarit janë paraqitur në morgun e spitalit të Sarandës, për të marrë trupin e të riut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›