E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Paratë e fajdeve me superskafe në Itali”

 

Trazhgim Sokolaj

Shteti shqiptar po përpiqet kohët e fundit për të kthyer në “atdhe” qindra milionë dollarë të qytetarëve, që ish-skemat piramidale dhe bosët e tyre nxorën ilegalisht jashtë vendit deri në vitin 1997. Bosët e piramidave mblodhën kursimet e shqiptarëve duke premtuar shumëfishimin e tyre, dhe më pas i trajtuan këto shuma sikur të ishin pronë e tyre. Fenomeni i transferimit ilegal të parave të fajdeve jashtë Shqipërisë, nuk iu nënshtrua kurrë një hetimi penal në Shqipëri ndaj në këtë sipërmarrje shumë gjëra kanë mbetur të paqarta. Verifikimet e Grupit Mbikëqyrës të Fajdeve apo Avokatit të Shtetit, kanë qenë më tepër administrative me qëllim evidentimin e llogarive dhe aseteve që piramidat shqiptare nxorën jashtë vendit e më pas, kthimin e këtyre vlerave në Shqipëri për t`ua rikthyer qytetarëve të dëmtuar. Libri “Krimi dhe Antikrimi” me autor oficerin e policisë Bujar Hoxha, i cili aktualisht drejton Sektorin e Hetimit të Krimeve të Rënda në policinë e Shtetit, sjell fakte sipas të cilave, disa prej bosëve të skemave piramidale shqiptare arritën 11 vjet më parë deri aty, sa të vinin në përdorim skafe të fuqishme të cilat të ngarkuara me paratë që fajdet mblodhën nga shqiptarët, kalonin detin dhe shumat miliona dollarëshe u dorëzoheshin grupeve kriminale në Itali. Një formë kjo e transferimit të “milionave” që mblodhën piramidat shqiptare e cila të paktën publikisht nuk njihej më parë por që siç duket, policisë nuk i kanë munguar të dhënat rreth saj. Vitet e fundit një hetim penal në Greqi, hodhi dritë mbi transfertën e 8.9 milionë dollarëve të ish-shoqërisë huamarrëse “Cenaj& CO”, të cilat u vendosën në bankat e nivelit të dytë në vendin fqinj pasi u kaluan kesh me çanta në kufi. Arrestimi i kapove të skemave piramidale dhe gjyqet ndaj tyre, ekspozuan episode të pjesshme rreth nxjerrjes së parave të fajdeve jashtë Shqipërisë, përmes kontratave me kompani të huaja apo blerjeve të pronave dhe hapjes së aktiviteteve gjigande nga Italia në Greqi, nga Holanda në Greqi e madje deri në Zvicër e Gjermani. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht jashtë Shqipërisë kanë mbetur llogari dhe asete të ish-kompanive “Vefa” me vlerë rreth 15 milionë USD, “Gjallica” llogari në Itali, Greqi dhe Turqi dhe “Cenaj& CO” rreth 8 milionë euro në Greqi dhe 5 milionë euro në Zvicër.
Fajdet dhe krimi i organizuar
Libri “Krimi dhe Antikrimi”, me autor zyrtarin e policisë Bujar Hoxha, në kapitullin kushtuar fajdeve shqiptare, i konsideron ato si “ofiçina” financiare që funksionuan sipas skemave mafioze të projektuara jashtë Shqipërisë dhe të vëna në jetë në vendin tonë përmes njerëzve me aktivitet të dyshimtë. Oficeri Hoxha thekson në libër, se në këto veprimtari pati një përzierje dhe bashkëpunim kriminal mes shqiptarëve, italianëve dhe grekëve. “Është interesant fakti, që vendosja e firmave “Gjallica”, “Cenaj”, “Silva”, “Vefa” e “Kamberi” dhe ndonjë tjetër, të dislokoheshin në Vlorë, ndoshta jo rastësisht, mundet që të ishte pjesë e taktikave të orientuara mafioze të lidhura me klanin mafioz italian të Cosa Nostrës”, thuhet në libër. Më tej, oficeri i policisë, shkruan se “në këtë aktivitet financiar gjigand, jepeshin opinione, informacione apo dëshmi gojore, që klanet mafioze të penetruar në strukturat “piramidale”, blinin skafe të fuqishëm dhe nëpërmjet brigjeve të Vlorës, dërgonin “CASH”, miliona dollarë në brigjet italiane, të cilat dorëzoheshin në duart e organizatave kriminale në Itali”. Zyrtari i policisë sjell në librin e tij tek kapitulli për fajdet edhe një fakt interesant, sipas të cilit “duke vlerësuar kanalet e trafikut që kalonin nga mafia amerikano-jugore në Ballkan, shërbimet amerikane paralajmëruan që në vitin 1995 për “lavatriçet e pastrimit të parave në të gjitha Vendet Ballkanike”. Duke e konsideruar veprimtarinë e fajdeve si element të krimit të organizuar, oficeri Hoxha në librin e tij shkruan se “shembja e papritur e “firmave piramidale” nxiti revoltat e vitit 1997, duke nxjerrë jashtë loje për disa kohë strukturat e shtetit në pamundësi për të frenuar apo kontrolluar situatën dramatike që vazhdonte të rritej dhe përkeqësohej, finalizimi i të cilës çoi në grabitjet e kazermave ushtarake dhe armatosjen e gjithë popullit”. Dalja jashtë funksionit e institucioneve dhe përhapja e armëve në masë u kthye në një faktor favorizues për krijimin e grupeve kriminale, që me kohën po vendosnin zonat e tyre të kontrollit.
Lulëzimi i krimit dhe trafiqeve
“Grupe kriminale të njohura do të krijonin zonat e tyre të influencës duke predikuar “autonominë” do të diktonin në terrorizimin e njerëzve të thjeshtë dhe kryerjen lehtësisht të krimeve të ndryshme. Do të ishin këta njerëz, që më 5 prill 1997 do t’i zinin pritë Kryeministrit të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar në vendin e quajtur Bushat dhe nën kërcënimin e armëve të mos e lejonin të futej në Shkodër dhe të detyrohej për t’u kthyer me gjithë ekipin e tij për në Tiranë. Do të ishin po këta njerëz, që në nëntor 1997, do të organizoheshin për të penguar ardhjen e Kryeministrit të dalë pas zgjedhjeve që të futej në Shkodër, duke planifikuar edhe një atentat të mundshëm. Është interesante por njëri nga organizatorët e këtyre ngjarjeve, për disa vite do të hidhte kandidaturën për deputet në Parlamentin Shqiptar ndërsa disa të tjerë do të eliminoheshin nga bandat rivale”, thuhet më tej në librin “Krimi dhe Antikrimi”. Duke i shikuar ngjarjet e atij viti një dekadë me vonë dhe në këndvështrimin e një oficeri të policisë, autori i librit thekson më tej se grupet kriminale u përqendruan egërsisht në veprimtarinë e trafiqeve. “Egërsia e këtyre grupeve nuk ndalej dhe në ditët e fundit të marsit 1997, rrëmbyen motobarkën ushtarake “Katër i Radës” ku gjatë rrugës për në Itali, në Otranto, qëllimisht u godit nga një anije luftarake italiane që çoi në fundosjen e saj dhe të 88 klandestinëve shqiptarë, shumica fëmijë dhe gra, nga 122 vetë që ndodheshin në bordin e këtij mjeti detar. Si pasojë e bashkëpunimit me grupet kriminale italiane dhe malazeze, trafikantët shqiptarë “arritën të sigurojnë anijen “Vicky”, e gjatë 30 metra, me një kapacitet 30-vendësh për të ardhur në brigjet shqiptare, ku më parë për të ishte paguar shuma prej 100 mijë dollarë dhe që do të përfundonte në Bari të Italisë me 570 klandestinë shqiptarë. Duke bërë llogaritë, trafikantët e kënaqur nga ky biznes panë se në arkën e tyre ishin derdhur 450 mijë dollarë me një fitim neto prej 250 mijë dollarë amerikanë”, thuhet më tej në librin që citon Sekretarin për Punët e Brendshme të Italisë Giannicola Sinisi, të shprehej në atë kohë se “ky është një biznes i drejtuar nga krimi i organizuar” ndërsa Prokurorin e Antimafias italiane Vigna të thoshte se “është mafia shqiptare ajo që drejton trafikun e klandestinëve në Durrës dhe Vlorë”.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›