Matura, zbardhet skema zyrtare për pikët në 4 provimet
ZIRINA LLAMBRO
Pyetjet me zhvillim do të zënë peshën më të madhe në Maturën Shtetërore të këtij viti. Me anë të tyre nxënësit do të kenë mundësi të grumbullojnë më shumë pikë. Kreu u Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve, Edmond Lulja, pohon se në këtë mënyrë vlerësimi i kandidatëve nuk i lihet rastësisë. “Skema e aplikuar dhe vjet i jep rëndësi formimit real të secilit maturant dhe për asnjë rast nuk ka vlerësime të pamerituara”, sqaron Lulja. Kështu testi për secilin nga provimet e detyruara (Matematikë dhe Gjuhë-Letërsi) do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative, që do të vlerësohen në total me 13 pikë nëse janë të sakta dhe 12 pyetje me zhvillim. Nëse maturanti nuk gabon, për këtë kategori përgjigjesh do të marrë 37 pikë. “Për çdo provim të detyruar, një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë”, nënvizoi kreu i AVA-s. Për provimet me detyrim, nxënësit do të kenë 2 orë e 30 minuta koha. Sa i përket testeve të provimeve me zgjedhje, secila lëndë do të përmbajnë 20 pyetje, prej tyre 10 me alternativa dhe 10 pyetje me zhvillim. Për të pasur rezultate maksimale, çdo kandidat i shkollave të larta duhet të grumbullojë 40 pikë. Sidomos për këto lëndë i është dhënë më shumë prioritet pyetjeve me zhvillim, të cilat nëse kanë përgjigje të sakta do të vlerësohen me 30 pikë, ndërsa ato me alternativa në total kanë 10 pikë. Pra, për të njëjtin numër pyetjesh, raporti i vlerësimit është 3 me 1. Për plotësimin e testeve kandidatët për në shkollat e larta do të kenë 4 orë kohë në dispozicion të tyre. Ndërkaq ka nisur plotësimi i formularit A1, ku vendoset për lëndët me zgjedhje që do të jepen provim. Maturantët kanë afat deri më 10 mars për t’i dorëzuar në shkollat ku mësojnë. Ky formular është i detyrueshëm për të gjithë ata që përfundojnë shkollën e mesme. Nga sa ka bërë me dije MASH, në prill do të publikohet edhe formulari A2. Me anë të tij, kandidatët për në shkollat e larta do të zgjedhin degët e preferuara.
Vlerësimi
Për të qenë sa më objektive me vlerësimin, AVA ka vendosur që testi të korrigjohet nga dy persona. Kështu, në rast se një pyetje me zhvillim ka 3 pikë dhe maturanti i përgjigjet vetëm një pjese të saj, atëherë ai do të marrë aq pikë sa ka arritur të zhvillojë pyetjen. Ky vlerësim mund të jetë edhe 1 apo më shumë pikë. Përshkallëzimi i testimit, i aplikuar për herë të parë vjet, ka rezultuar efikas në vlerësim. Në bazë të tij testet e Maturës Shtetërore do të jenë me tre nivele vështirësie, në mënyrë që të gjithë maturantët të kenë hapësirën e vet për t’iu përgjigjur pyetjeve, qofshin ato të lehta apo edhe të vështira. Nga sa kanë vendosur specialistët, në test do të ketë hapësirë për nxënësit e dobët, ata mesatarë dhe nxënësit e mirë dhe shumë të mirë. Kështu të gjithë maturantët, të cilët hyjnë në kategorinë e nxënësve të dobët, do të kenë pyetjet e nivelit të tyre në secilin prej testeve të provimeve të Maturës Shtetërore. Kështu, në masën 40 për qind, AVA do të përgatisë pyetje pikërisht për këtë nivel, i cili korrespondon me nivelin e tretë, ose nxënësit më të dobët. Niveli i dytë, ku hyjnë nxënës mesatarë, do të zërë në teste plot 80 për qind të totalit të pyetjeve. Niveli i parë, ose niveli i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë, do të ketë 100 për qind hapësirë në test. “Në këtë mënyrë testi përgatitet për të gjithë maturantët, për çdo nivel dhe po në këtë mënyrë bëhet edhe vlerësimi i tyre”, sqarojnë drejtuesit e AVA-s. Sipas tyre për përcaktimin e pyetjeve të testit do të përdoret një fond kërkesash dhjetë herë më i lartë.
20 pyetje
do të ketë këtë vit testi për njërën nga lëndët me zgjedhje. Ato do të jenë të ndërthurura. Pyetjet me zhvillim zënë gjysmën e testit.
3 pike
do të ketë secila përgjigje e saktë për pyetjet me zhvillim të lëndëve me zgjedhje. Ndërsa vlerësimi për çdo përgjigje të dhënë mirë, në pyetjet me alternativa do të jetë 1 pikë.
40 pike
duhet të grumbullojë maturanti për secilën nga lëndët me zgjedhje, për të marrë notën maksimale. Shanset më të mëdha për të marrë pikë më shumë janë te pyetjet me zhvillim.
Datat, provimi i parë më 2 qershor,brenda korrikut jepen të 4 testet
Maturantët do të mbyllin vitin shkollor më 22 maj. Më tej ata do t’u nënshtrohen provimeve me detyrim e atyre me zgjedhje. Disa ditë më parë ministria, në një udhëzim të posaçëm ka përcaktuar afatet. Kështu letërsinë, nxënësit e gjimnazeve do ta japin më 2 qershor, ndërsa matematikën në datë 11 qershor. Nëse duan të ndjekin një shkollë të lartë, ata duhet të japin lëndët me zgjedhje më datë 10 korrik. Në udhëzimin e saj veç gjimnazeve, MASH ka përcaktuar datat edhe për profilet e tjera të shkollave të mesme. “Viti mësimor 2008-2009, për vitet e fundit të shkollave të mesme 4-5 vjeçare, të mbyllet me programe të realizuara brenda datës 22 maj, duke shfrytëzuar orët në dispozicion dhe ditët e shtuna. Notat përfundimtare për çdo lëndë të nxirren brenda kësaj date”, thuhet në udhëzimin e ministrisë. Nga sa përcakton ai, maturantët do të kenë një javë kohë për t’u konsultuar me mësuesit për dy provimet e detyruara. “Në periudhën javore 25–29 maj do të zhvillohen konsultime me të gjithë nxënësit për provimet e matematikës dhe letërsisë”, saktëson udhëzimi. Sa i përket provimeve me zgjedhje, konsultimet e grupuara sipas lëndëve me nxënësit të zhvillohen pas përfundimit të provimeve të detyruara. Për të gjithë ata nxënës që rezultojnë mbetës në këto të fundit, drejtoritë arsimore duhet të dërgojnë brenda datës 25 maj në Agjencinë e Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve emrat e maturantëve të klasifikuar mbetës në përfundim të vitit të fundit të shkollave të mesme. Kjo me qëllim që të hiqen nga lista e provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore.
Qendrat
Katër qendra për të korrigjuar provimet e maturës. Në këtë mënyrë procesi i vlerësimit të testeve do të kryhet në disa rrethe. Gjithçka për të përfunduar sa më shpejt procesin por në të njëjtën kohë për të qenë sa më i saktë. Veç një qendre në Tiranë, testet do të dërgohen në tre qytete të tjera si në Fier, Shkodër dhe Elbasan. Qendrat në fjalë janë menduar të ruhen në mënyrë të rreptë nga policët dhe kamerat. Testet e maturantëve në Tiranë, një pjesë do të korrigjohen këtu dhe një pjesë tjetër në rrethe. Është vendosur gjithashtu që të trajnohen paraprakisht të gjithë personat që do të rekrutohen për vlerësimin.
50 pike
duhet të grumbullojë maksimalisht një maturant në provimet e detyruara. Më pas në një fazë të dytë, pikët konvertohen në notë nga Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve.
Formulari A1
Ministria e Arsimit këtë vit e ka lehtësuar jo pak formatin e formularit. Përpos kësaj është bërë edhe një tjetër ndryshim në favor të të gjithë atyre kandidatëve që kanë dhënë 3 vitet e fundit provimet me zgjedhje. Nëse ata nuk duan t’i rijapin, MASH do t’u njohë rezultatet. Me to mund të aplikojnë për në shkollë të lartë. Për ta është publikuar një tjetër variant i formularit A1. Formularin A1-Z, të cilin do ta plotësojnë kandidatët që kanë marrë pjesë në provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2006, 2007, 2008,dhe që duan të mbartin njërën ose të dyja lëndët me zgjedhje, në Maturën Shtetërore 2009.