Falsifikojnë dokumentet e pronësisë, dy në prangat e policisë
Falsifikojnë dokumentet e pronësisë, dy shtetas bien në prangat e bluve të Vlorës. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar, "Drejtësi e Vonuar", është ndaluar Dhimitër Toçaj, 48 vjeç, lindur e banues në lagjen "Pavarësia" të qytetit të Vlorës. Të njëjtat burime saktësojnë se Toçaj dyshohet që ka bërë falsifikim dokumentesh, për të përfituar disa prona në Qarkun e Vlorës. Ndërsa në Sarandë është vënë në pranga Tefik Ismaili, 51 vjeç, lindur në Sarandë dhe banues në fshatin Gjashtë të këtij rrethi. Sipas policisë, ndalimi i 51-vjeçarit është bërë për veprën penale "falsifikim dokumentesh". Blutë bëjnë të ditur se nga hetimet e kryera ka rezultuar se Ismaili ka arritur të përfitojë në mënyrë të paligjshme rreth 250.000 m2 tokë në fshatin Gjashtë dhe në Ksamil. Këto prona 51-vjeçari i kishte regjistruar pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë.
Mi.Ma.