Fier: Pensionistët: Shpërblimi i fundvitit, ironi e qeverisë
Shoqata e pensionistëve të Fierit shpërfill shpërblimin e dhënë nga qeveria për Vitin e Ri. Sipas kryetarit të kësaj shoqate për degën e Fierit, Ramiz Basha, mësohet se është marrë vendimi që jo vetëm të mostërhiqet shpërblimi i premtuar për pensionistët, por kjo shtresë të hidhet në protesta pa afat. "Shkak i shpërfilljes është masa e tij prej 2500 lekësh, që Kryeministri premton. Për brezin tonë kjo është një shumë skandaloze dhe tallëse. Ne jemi shtresa më e vuajtur e popullsisë dhe sot duhet të përballemi me ironinë e Kryeministrit", ka thënë Basha.
Mbi 200 pensionistë të Fierit janë mbledhur dhe kanë protestuar në dy lulishtet kryesore të qytetit dhe kanë deklaruar se do t‘i dërgojnë një peticion Kryeministrit. "Le ta ketë Kryeministri këtë peticion si një dhuratë për Vitin e Ri nga 540 mijë pensionistët e vendit. Së bashku me të, Kryeministri të festojë edhe me lekët që ka dhënë për ne", thonë pensionistët e Fierit.
Ata deklarojnë se do të vijojnë reagimet e tyre me protesta edhe gjatë ditëve në vijim, ndërkohë që thonë se viti 2010 do të jetë një vit protestash për ta. "Është energjia elektrike dhe çmimi i saj ai që na bën ne pensionistët të protestojmë. Nuk do ta pranojmë atë çmim të shtrenjtë. Nuk kemi mundësi. Nuk po marrim dot ilaçet aktualisht dhe jo më të pretendosh për energji", thonë të moshuarit. Në fillim të javës së kaluar Kryeministri deklaroi se të moshuarit në gjithë vendin do të marrin shumën e 2500 lekëve për shpërblim, ndërsa në janar pritet të nisë rritja e energjisë elektrike.
Ma.Tr.