E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falsifikonin lekë, 26 të arrestuar

Policia bllokoi 1.4 milionë lekë, pajisje elektronike telefona celularë dhe armë në banesat e të arrestuarve që hetoheshin prej 6 muajsh

Njësia operacionale vuri në pranga të dyshuarit që paratë false i shkëmbenin në pika karburanti dhe klube nate
TIRANË- 26 persona të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës, të përfshirë falsifikimin e kartëmonedhave të prerjeve të mëdha nga 1 mijë dy dhe 5 mijë lekëshë. Lajmi është bërë i ditur për mediat nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, e cila në një konferencë shtypi njoftoi përfundimin e operacionit dhe arrestimin e 26 personave. Grupi i të arrestuarve dyshohet se kartëmonedhat i hidhte në qarkullim në vende të tilla si në spitale, në pika karburantesh gjatë orëve të natës si dhe në vende dhe në ditë që kishte shpërndarje rrogash.
Operacioni i Policisë së kryeqytetit i koduar "Piramida", u realizua nga Njësia e Operacioneve Speciale që kanë kryer në një pjesë të mirë të tyre edhe vëzhgimin të dyshuarve, të përfshirë në këtë veprimtari. Ndërkaq hetimi është kryer dhe drejtuar nga Zyra e Antikrimit Ekonomik bashkë me njësinë e Task-Force në prokurorinë e Tiranës. Grupi kriminal vepronte në qytetet : Tiranë, Durrës, Fier, Berat, Saranadë, Elbasan, Pogradec, Korcë, Shkodër dhe Kukës. Operacioni nisi mbrëmjen e të premtes në mbrëmje, pasi më parë ishin marrë vendimet e arrestit në mungesë nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet në bazë të kërkesës së organit të akuzës.
Fillimisht njësia operacionale, ka goditur, duke arrestuar persona të nivelit të ulët të përfshirë në rrjetin e shpërndarësve, të cilët hetoheshin prej më tepër se gjashtë muajsh. Si kryesorë policia arrestoi Artur Pashkajn, Alfred Bushgjokajn, 26 vjeç, banues dhe Xhevahir Koldashi, 21 vjeç, Arben Seferin të gjithë banues në Tiranë. Kur policia ka mbërritur në banesën e vëllezërve Pashkaj ata kanë tentuar të hedhin sendet dhe pajisjet e tyre nga ballkoni i katit të dytë të shtëpisë së tyre në afërsi në mes rrugëve "5 Maji" e "Tasim Shehu".
"Nga hetimi i kryer ka rezultuar se kartmonedhat prodhoheshin në Tiranë në afërsi të rrugës "5 Maji", në një banesë private të familjes Pashkaj nga e cila janë arrestuar tre vëllezër. Nga kontrolli i kryer janë gjetur pajisjet e nevojshme për këtë prodhim të jashtëligjshëm të kartëmonedhave",- tha policia. Sipas burimeve në banesë janë bllokuar 1.4 milionë lekë të cilat ishin printuar dhe ishin bërë gati për t'u hedhur në treg nga të arrestuarit. Po kështu janë bllokuar kompjutera desktop dhe lap topë që shërbenin për përpunimin e kartmonedhave të skanuara, printer dhe skaner me rezolucion të lartë, të cilat shërbenin për printimin e prodhimin e kartmomedhave të falsifikuara.

Për prerjen e kartmonedhave false kishte një letër të një cilësie të lartë e madje nuk mungonin edhe elementët e sigurisë në disa raste. Policia ka bllokuar në banesën e vëllezërve Pashkaj, edhe USB që përmbanin materialet e realizuar për këtë veprimtari. Ndërkaq, në banesën e vëllezërve Seferi, policia ka sekuestruar një automatik, dy pistoleta, një maskë dhe munincione të tjera. Po kështu janë bllokuar edhe një sai kartash telefoni prej 400 numrash, dhe rreth 100 aparate telefonash celularë. Ndërkaq, pavarësisht se hetimi është kryer nga Prokuroria e Tiranës nëpërmjet njësisë së Task- Force, hetimi mund të kalohet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për shkak se të arrestuarit kanë kryer veprimtarinë në mënyrë të organizuar të ngjashme me atë të grupit të strukturar kriminal.
Dashamir Biçaku

6 muaj hetim për grupin
Grupi i goditur dje nga Drejtoria e policisë së Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë të ndihmuar nga njësia operacionale dhe e mbikëqyrjes, kanë punuar prej më tepër se gjashtë muajsh, duke kryer vëzhgime, fotografime dhe filmime të personave të arrestuar duke kryer veprime të tilla të këmbimit. Pikat më të rëndësishme ishin bizneset e natës si lokalet dhe pabet e ndryshme, pikat e karburanteve, si dhe pranë spitaleve në kryeqytet apo në treg. Një kartmonedhë 1 mijë lekëshe hidhej në treg për kundrejt një përfitimi prej 300 lekësh, nga personat ndërsa 2 mijëshet edhe pesë mijëshet me një përfitim nga 600 deri në 1500 apo dy mijë lekësh.

Të arrestuarit
Altin Lala, 30 vjeç,
Besnik Gaci, 27 vjeç,
Avdi Gjika, 24 vjeç
Sali Prendi, 23 vjeç
Dritan Elezaj, 25 vjeç
A. C, 16 vjeç
Bilbil Sefa, 31 vjeç
Dëfrim Mata, 21 vjeç
Anila Kodra, 18 vjeç
Roland Skuqi, 23 vjeç
Altin Murani, 25 vjeç
Arben Seferi, 27 vjeç
Astrit Seferi, 24 vjeç
Aristogon Pashka, 22 vjeç
Artur Pashka, 21 vjeç
Eduart Pashka, 24 vjeç
Shpetim Mataj, 22 vjeç
Artan Halilaj, 21 vjeç
Alfren Bushgjokaj, 26 vjeç
Xhevahir Koldashi, 21 vjeç
Gazmend Cerpja, 27 vjeç
Ahmet Meci, 22 vjeç
Muhamed Murrani, 20 vjeç
E. D, 17 vjeç
E.I, 17 vjeç,

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›