Grupi i 'Ben Çamit', Apeli lë në fuqi Shkallën e Parë
Trafiku i drogës
Lutfi Shabani dhe bashkëpunëtorët e tij, akuzoheshin se kanë trafikuar 54 kg heroinë në itinerarin Maqedoni- Shqipëri- Itali
TIRANË- Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, deklaroi fajtorë dje gjashtë të pandehurit e akuzuar si pjesëtarë të "grupit të Ben Çamit", të akuzuar për "trafik të lëndëve narkotike" dhe "prodhimit dhe shitjes së narkotikëve" në bashkëpunim, duke trafikuar në itinerarin Maqedoni- Shqipëri- Itali, një sasi prej rreth 54 kg heroinë. Në këtë mënyrë Gjykata la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që i dënonte ata, duke i shpallur fajtorë për këtë veprimtari kriminale të kryer në bashkëpunim. Sipas vendimit, i pandehuri Lutfi Shabani, i njohur ndryshe si "Ben Çami" është cilësuar si organizator i këtij rrjeti të trafikut të drogës, me porosi në Maqedoni 54 kg heroinë, nga të cilat 34 kg, janë dërguar dhe sekuestruar në Itali ndërsa brenda territorit shqiptar janë sekuestruar 20 kg heroinë. Për trafikimin e kësaj sasie droge, gjykata e deklaroi fajtor Shabanin duke e dënuar përfundimisht me 12 vite burg. Shqiptaro-maqedonasi Isen Nasufi, në vendimin e gjykatës, është cilësuar si bashkëpunëtori kryesor i "Ben Çamit" dhe personi që organizonte transportin e drogës nga Maqedonia në Shqipëri. Për këto veprime gjykata vendosi dënimin e tij me 9 vite burg. Ndërsa, për katër të pandehurit e tjerë: Dritan Gjura, Madrit Istrefi, Françesk Shkambi dhe Arif Kurti, gjykata vendosi t'i deklarojë fajtorë për kryerjen e veprës penale të "Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve" në bashkëpunim, duke i dënuar me nga 7 vite e 6 muaj burg secilin. Këto masa ishin dhënë në Shkallën e parë të Krimeve të Rënda, pas një gjykimi në formë të shkurtuar të kërkuar nga të pandehurit. Sipas vendimit, të lënë në fuqi dje nga Apeli, 6 të pandehurit, të drejtuar nga Lutfi Shabani, i njohur gjithashtu edhe me emrin Arben Shalaj, apo Ben Çami, kanë sjellë së bashku në kohë të ndryshme, nga Maqedonia në Shqipëri rreth 54 kg heroinë. Kjo sasi droge, mësohet se është sekuestruar nga autoritetet e policisë shqiptare në dy raste, në muajin korrik dhe shtator të vitit 2008. Në këto dy raste, janë arrestuar të pandehurit Lutfi Shabani, Isein Nasufi, Dritan Gjura, Madrit Istrefi, Françesk Shkambi dhe Arif Kurti. Ata po transportonin nga Maqedonia në Shqipëri rreth 20 kg heroinë. Në dy raste të tjera, goditja është kryer nga autoritetet italiane, pasi në muajin maj të vitit 2004, janë sekuestruar 34 kg heroinë që po transportoheshin nga 5 korrierët, Nevruz Shabani, Elton Nikocaj, Feti Ramadani, Bashkim Hiseni dhe Ilirjan Çipo, të cilët janë arrestuar dhe gjykuar në Milano të Italisë. Sipas kërkesës për gjykim, një pjesë e dosjes me dy episodet e sekuestrimit të 34 kg heroinë ka ardhur nga shteti fqinj, ku është provuar se pronar i kësaj sasie droge ishte Ben Çami.
DËNIMET
Lutfi Shabani, u dënua me 12 vjet burg
Isein Nasufi, u dënua me 9 vite burg
Dritan Gjura, u dënua me 7 vjet e 6 muaj burg
Madrit Istrefi, u dënua me 7 vjet e 6 muaj burg
Françesk Shkambi, u dënua me 7 vite e 6 muaj burg
Arif Kurti, u dënua me 7 vite e 6 muaj burg
Dënimi sipas gjykimit të shkurtuar
Lutfi Shabani 8 vjet
Isein Nasufi 6 vjet
Dritan Gjura 5 vjet
Madrit Istrefi 5 vjet
Francesk Shkambi 5 vjet
Arif Kurti 5 vjet