Vrasje mafioze në Madrid, ekzekutohet një shqiptar
Ngjarja ndodhi në Sheshin San Blaz, ndërsa viktima dhe miku i tij sapo kishin hipur në makinë. Dyshohet për përplasje mes grupeve kriminale nga Evropa e Lindjes
Dy emigrantë shqiptarë janë sulmuar me armë në Madrid, ku njëri prej tyre ka humbur jetën, ndërsa shoku i tij ka mbetur i plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi në afërsi të hotel “Puertas”, në qendër të kryeqytetit spanjoll. Sipas mediave spanjolle, viktima është 35-vjeçari N. Dhimitri, ndërsa ka mbetur i plagosur rëndë Domart K. Policia ka nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje, ndërkohë që po punohet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Sipas medias iberike ABC.es janë shoqëruar në komisariat disa prej personave të cilët mund të japin dëshminë e tyre për këtë ngjarje. Sipas mediave spanjolle, nga hetimet e agjentëve dyshohet se vrasja e shqiptarit dhe plagosja e mikut të tij mund të ketë ndodhur për larje hesapesh midis bandave rivale.
Ngjarja
Rreth orës 20:00 të mbrëmjes së datës 21 janar, N. Dhimitri dhe Domart K. sapo kishin hipur në makinën e tyre të parkuar afër një rreth rrotullimi në sheshin San Blaz pranë hotelit “Puertas”. Ndërsa ata po lëviznin me makinën në ngjyrë gri tip Volkswagen, një person i cili i kishte ndjekur u është afruar. Ai ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar ndaj tyre tetë herë. Makina ka ecur edhe pak në rrugë, ndërsa i ka kërkuar ndihmë një kalimtareje për të lajmëruar ambulancën. Ndërkohë, vrasësi është larguar me shpejtësi, duke u drejtuar tek një furgon, i cili po e priste dhe menjëherë është zhdukur. Në makinë kanë qenë dy persona, shqiptarë. 35-vjeçari Dhimitri N. është goditur dy herë në gjoks me armë, ndërsa miku i tij 36-vjeçar ka pësuar tri plagë dy në të dy krahët dhe një afër nofullës. Kalimtarët e zonës kanë lajmëruar menjëherë policinë, e cila ka shkuar në vendngjarje si dhe ndihmën e shpejtë. Me gjithë ndihmën e dhënë ndaj 35-vjeçarit, ai ka humbur jetën. Viktima kishte pësuar atak kardiak dhe nuk arriti të mbijetonte duke humbur kështu jetën. Ndërsa shoku i tij arriti të mbijetonte dhe ndodhet i shtruar në spitalin e La Pazit në kryeqytetin spanjoll.
Dëshmitë
“Sapo isha larguar nga zyra dhe u përballa me pamjen e rëndë, ku dy persona ishin të shtrirë në tokë të përgjakur”, - shprehet një prej dëshmitareve të natës kur u qëlluan dy emigrantët duke shtuar: “Njëra prej viktimave kishte nxjerrë dorën jashtë nga dritarja dhe më kërkoi që të lajmëroja një ambulancë”. Një tjetër dëshmitar tregoi se si e kishte parë ai ngjarjen. “Pashë teksa ata vraponin dhe njëri prej tyre kishte një pistoletë në dorë. Ishin dy burra të fortë, me xhaketa të errëta dhe flokë të krehur të shkurtër”. Ndërsa një çift që po kalonte menjëherë pas sulmit me armë, pa teksa autorët po largoheshin me shpejtësi dhe hipën në një furgon duke u larguar. Kanë qenë banorë të zonës të cilët kanë dëgjuar krismat e armëve dhe kanë lajmëruar menjëherë policinë e kryeqytetit spanjoll.
Një prej tyre u shpreh se ishte mbështetur në një prej ballkoneve, kur pa një burrë me një pistoletë që u qëllonte dy personave, të cilët ndodheshin në brendësi të një makine. Sipas kësaj dëshmie, vrasësi qëlloi tetë herë me pistoletë e më pas u largua me vrap në rrugë.
Hetimet
Një kalimtare e zonës ka lajmëruar menjëherë policinë e Madridit, e cila ka shkuar në vendngjarje. Menjëherë u ngrit një grup pune për të nisur hetimet në lidhje me vrasjen e 35-vjeçarit dhe plagosjen e mikut të tij. Agjentët gjetën dy pasaporta, të cilat tregonin edhe shtetësinë shqiptare të dy të sulmuarve me armë. Sipas mediave spanjolle, killeri ka qenë i gjatë, i dobët me flokë të errëta. Ndërkohë që ende ka paqartësi në lidhje me këtë rast, pasi nga dëshmi të tjera është thënë se në këtë vrasje kanë qenë dy personat që kanë sulmuar. Policia spanjolle dyshon se shkak i vrasjes ka qenë një konflikt mes bandave rivale me origjinë nga Evropa Lindore, të cilat veprojnë në kryeqytetin spanjoll. Po punohet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të ngjarjes.
.............