Falsifikuan dokumentet e aplikimit për pasaportë, hetohen në gjendje të lirë
Tiranë - Pas falsifikimit të dokumentacioneve për aplikim për pasaportë do të ndiqen penalisht. Burimet thanë se u dërguan materialet në Prokurori për veprat penale të “falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave dhe vizave”, si dhe “falsifikim i akteve të gjendjes civile”, ndaj Donika Bilbilit, 50 vjeçe dhe Engjëll Bilbilit, 55 vjeç, që të dy lindur dhe banues në Tiranë. Donika Bilbili dyshohet se më datë 11 mars 2008 ka aplikuar për t’u pajisur me pasaportë dhe gjatë verifikimit të dokumentacionit është konstatuar se në pasaportën e parë ka pasur vendlindjen Përmet dhe jo Tiranë. U kryen veprimet procedurale nga seksioni i Krimit Ekonomiko-Financiar pranë Policisë së Tiranës, ndërsa në cilësinë e provës materiale u bllokua praktika e aplikimit, e cila u dërgua në Prokurori.
Engjëll Bilbili, po më datë 11 mars 2008, ka aplikuar për t’u pajisur me pasaportë, ku gjatë verifikimit të dokumentacionit është konstatuar se në pasaportën e parë ka pasur vendlindjen Sarandë dhe jo Tiranë. U kryen veprimet procedurale, në cilësinë e provës materiale u bllokua praktika e aplikimit, e cila u dërgua në Prokurori.
Ishte dënuar me burg për moskallëzim krimi, arrestohet
Tiranë - Është dënuar me 4 muaj burg për “moskallëzim krimi” dhe u kap nga sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Policinë e kryeqytetit, njëherazi duke ekzekutuar vendimin e formës së prerë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin Aleksandër Dikolli, 32 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë. Ndërkohë, ky shtetas, nga data 04 dhjetor 2006 deri më 22 shkurt 2007 ka vuajtur dënimin “arrest në burg” me 2 muaj e 18 ditë, nga ku aktualisht i mbeten për të vuajtur dënimin për konsumim të kësaj vepre penale edhe 3 ditë burg.
21 Prill 2008