Krimet e Rënda, hetim për trafikun e “mini-blow”-ve
TIRANË – Çështja në ngarkim të një shtetasi nga Elbasani, i cili u kap dy ditë më parë në Elbasan me një sasi pistoletash të tipit “mini-blow” do të kalojë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në kryeqytet. Ky fakt është pohuar nga burime zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, të cilat bëjnë të ditur se tashmë kanë nisur hetimet ndaj shtetasit Agim Shëngjoni. 31 vjeçari me banim në Elbasan, akuzohet për "trafik të armëve dhe municioneve luftarake". Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se 31-vjeçari Shëngjoni u kap ditën e premte në qytetin e Elbasanit në kuadër të operacionit të koduar "Golt", i organizuar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Me cilësinë e provës materiale atij iu gjetën dhe i'u bllokuan tre pistoleta, njëra tip "Browning SA" e kalibrit 9 mm, tjetra tip "Golt" dhe një pistoletë tip "Browning", e kalibrit 7 mm si dhe 342 copë – fishekë. Sasia e armëve dhe municionit luftarak të sekuestruar mendohet se ka hyrë në Shqipëri përmes dërgesave postare, që i arrestuari ka bërë nga Holanda, ku ka qëndruar për disa vite. Sipas burimeve zyrtare, ky shtetas duke përdorur të dhëna të rreme ka dërguar disa pako postare nga Holanda në adresë të familjes së tij në qytetin e Elbasanit, të cilat po verifikohen nga policia. Çështja në ngarkim të shtetasit Agim Shengjoni po ndiqet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ai ndodhet i izoluar në dhomat e paraburgimit të Tiranës.
21 Prill 2008