E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falsifikuan dokumentet për viza, i denoncon Konsullata Italiane

Vlorë Tre persona po ndiqen penalisht për vërtetimet e rreme të sigurimeve

Mbas disa dyshimeve paraprake, Konsullata Italiane në Vlorë ka kërkuar ndihmën e organeve kompetente të Policisë dhe Prokurorisë së Vlorës, me qëllim hetimin dhe verifikimin e disa dokumenteve të paraqitura në konsullatë për aplikim vizash, për të cilat konsullata kishte dyshimet e saj. Mbas një pune disaditore u vërtetua se shtetasit Astrit Jaho, Mjaftime Jaho dhe Jola Prishka kanë paraqitur në Konsullatën Italiane në Vlorë vërtetime mbi kontributet shëndetësore e shoqërore të falsifikuara, me qëllim për t’u pajisur me viza për të shkuar në Itali te të afërmit e tyre.

Verifikimi i dokumenteve të falsifikuara të dy institucioneve është bërë në bashkëpunim me zyrat përkatëse, si ajo e kontributeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore, ku u vërtetua se asnjë prej këtyre dokumenteve nuk ishte lëshuar prej tyre, por nga falsifikatorë.

Policia dhe prokuroria po kryejnë hetime për përcaktimin se ku janë prodhuar dokumentet false, si dhe bashkëpunimi dypalësh, midis falsifikatorëve dhe personave. Mbi tre personat tashmë rëndon akuza për veprën penale falsifikim të dokumenteve në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 e 25 i Kodit Penal.

Sipas autoriteteve kosullore, edhe herë të tjera janë konstatuar paraqitje të dokumenteve false nga persona të ndryshëm. Pas verifikimit të tyre, personat i janë dhënë drejtësisë për ndëshkim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›