Ish-drejtori i Pyjores rrezikon një vit burg
Një vit burg dhe pesë milionë lekë gjobë ka kërkuar organi i akuzës së Beratit për ish-drejtorin e Ndërmarrjes Pyjore, Sabri Zyka. Gjatë pretencës së djeshme, prokurori i çështjes, Klodjan Braho, i ka kërkuar gjykatës shpalljen fajtor të ish-zyrtarit për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe ka kërkuar dënimin e tij. Sipas përfaqësuesit të prokurorisë, ish-drejtori ka shpërdoruar detyrën, duke mos kallëzuar pranë organit të akuzës rastet flagrante të prerjes së pyjeve. Zyka, i cili ka drejtuar Ndërmarrjen e Pyjores për tre vite, kishte mbajtur tre praktika pune për tre raste flagrante të prerjes së pyjeve dhe nuk i ishte drejtuar prokurorisë për të kërkuan ndjekjen e çështjes në rrugë ligjore, madje nuk e kishte ndjekur fare si çështje. Zyko u hetua për një vit në gjendje të lirë.
#