Ngrihet edhe në Dibër shtabi antikanabis
Ngrihet shtabi për parandalimin dhe luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike në Qarkun e Dibrës. Në takimin e organizuar për këtë qëllim pranë prefekturës, përveç përgjegjësve, aktorëve dhe palëve të interesit, mori pjesë edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hamdi Fiora. Në takim ra në sy një mungesë e theksuar e drejtuesve të qeverisjes vendore dhe institucioneve të tre rretheve, Dibër, Bulqizë dhe Burrel. Edhe pse në informacionin e dhënë nga prefektura u vlerësua puna e deritanishme për antidrogën, përsëri u tha se mbetet shumë për t’u bërë në këtë drejtim. Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hamdi Fiora, është përqendruar në intensifikimin e punës për kapjen e prodhuesve të drogës. “Gjatë vitit të kaluar në shkallë qarku janë kapur vetëm 3 raste me 423 rrënjë bimë, që edhe pse në numër të ulët, nuk duhet të na çojë në vetëkënaqësi. Ende nuk janë evidentuar autorët, gjë që policisë nuk i falet, si dhe nuk përjashtohet mundësia e rasteve të tjera të kultivimit të bimëve narkotike”, tha Fiora. Ndërkohë, kreu i Drejtorisë së Policisë Dibër, Ilia Nasi, i garantoi të pranishmit në këtë takim se plani i masave do të realizohet me sukses, si dhe premtoi se nuk do të ketë raste të evidentimit të kultivimit të bimëve narkotike pa autor. Ndërkohë, kryetari i Komunës Gjoricë, Xhelal Mera, që i përket brezit kufitar me Maqedoninë, tha: “Duhet bërë më shumë për t’u njohur me teknologjinë e kultivimit të kësaj bime, pasi kanabisi nuk njihet nga ana jonë. Drejtoritë e bujqësisë dhe ato të pyjeve, nuk janë angazhuar sa e si duhet në luftën antidrogë, pasi deri më tani nuk kanë përgatitur qoftë edhe një fletëpalosje ku të bëhet fjalë për teknologjinë e kultivimit të bimëve narkotike”.
#