Ati i Shenjtë bekon Shqipërinë Evropiane
543 vjet, pasi kreu i kishës katolike kishte pritur heroin kombëtar, Gjergj Kastriotin, Ati i Shenjtë, Benedikti XVI ka pritur në audiencë të posaçme Kryeministrin Sali Berisha, duke i dhënë të gjithë mbështetjen e Vatikanit në përpjekjet për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE. Çështjet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë në qendër të audiencës së rëndësishme, por edhe evidentimi i vlerave të familjes tradicionale, si një trashëgimi e përbashkët dhe e vyer e të gjithë shqiptarëve
Kryeministri i vendit Sali Berisha u prit dje në një takim të posaçëm në Romë, nga Papa Benedikti i XVI. Kjo është një vizitë kulmore, pasi 543 vjet më parë, më 12 dhjetor, prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar, Skënderbeu u prit në Vatikan, nga Papa Pali II, për të mbrojtur vokacionin perëndimor të kombit shqiptar.
Në dhjetor të viti 1990, të parët e më të parëve, që erdhën për të mbështetur opozitën shqiptare, që erdhën për të mbështetur shqiptarët në rrugën e lirisë, ishin përfaqësuesit e Papës Gjon Pali II, Monsignor Vincenzo Paglia dhe të dërguar të tjerë të Vatikanit, të cilët na shoqëruan ne, na ndihmuan ne, në betejën tonë për të nxjerrë vendin nga diktatura.
Por në memorien e shqiptarëve do të mbetet gjithmonë e gjallë mbështetja e madhe që Vatikani i ka dhënë popullit të Kosovës, në përpjekjet e tij për liri dhe dinjitet.
Kryeministri Berisha u prit në një audiencë të veçantë nga Shenjtëria e Tij, Papa Bendikti XVI, në Vatikan, së bashku me zonjën e tij Liri Berisha dhe delegacionin që e shoqëronte. Pas ceremonialit të rojeve zvicerane, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim të zgjatur kokë më kokë, me Papa Bendikti XVI, takim i cili kaloi në një atmosferë mjaft të përzemërt. Më pas, Shenjtëria e Tij, takoi edhe zonjën Berisha, si dhe delegacionin që shoqëronte Kryeministrin Berisha. Në takim, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen e thellë Papës, për mbështetjen e madhe që Selia e Shenjtë i ka dhënë konsolidimit të demokracisë shqiptare, zhvillimit ekonomik dhe kulturor të vendit, që në fillimet e demokracisë e deri më sot.
Gjithashtu Kryeministri Berisha i dorëzoi Papa Benedikti XVI ftesën zyrtare për të vizituar Shqipërinë vitin e ardhshëm, vit që përkon me 100-vjetorin e lindjes të shqiptares të madhe Nënë Tereza. Papa Bendikti XVI u shpreh se Selia e Shenjtë do të mbështesë plotësisht integrimin e Shqipërisë në BE dhe zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Ky takim do të mbetet i pashlyer në kujtesën e të pranishmëve, pasi pikërisht 543 vjet më parë, më 12 dhjetor 1466, Papa Pali II do të priste në Vatikan, në audiencë Gjergj Kastriot Skënderbeun, ditë të cilën Kryeministri Berisha, e cilësoi një datë të paharrueshme.
Pas takimit me Atin e Shenjtë, kryeministri Sali Berisha ka patur një takim edhe me sekretarin e shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarcizio Bertone, i cili shoqërohej nga sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, monsinjor Dominique Mamberti. Në deklaratën për shtyp të Vatikanit, ndër të tjera u theksua se kryeministri Berisha diskuroi me Atin e Shenjtë si dhe me sekretarin e Shtetit për tema të ndryshme që përbëjnë interes në zhvillimet ndërkombëtare, veçanërisht ato që kanë lidhje me Ballkanin Perëndimor. Gjatë bisedës, u përmend edhe stacionet kryesore të marrëdhënieve dypalëshe, duke u vlerësuar nga të dyja palët si një rrugë bashkëpunimi shumë pozitive, dhe në fund – siç citohet komunikata zyrtare e Vatikanit – u përmend edhe vlera e familjes tradicionale, si një trashëgimi e përbashkët dhe e vyer e të gjithë shqiptarëve.