E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blair mbron luftën në Irak, edhe pa armët e shkatërrimit në masë

Autori i Lajmit: AFP
Londër - Britania do ta kishte mbështetur pushtimin në Irak, madje edhe po të kishte pasur njohuri se Saddam Husseini nuk posedonte armë të shkatërrimit në masë, deklaroi ditën e djeshme ish-kryeministri i Britanisë, Toni Bler. Bler, i cili në fillim të vitit të ardhshëm do të paraqitet para panelit zyrtar për hetimin e luftës në Irak, deklaroi se Londra do të kishte shfrytëzuar rrugë të tjera, për të justifikuar përkrahjen e saj për luftën e SHBA-së në vitin 2003, me qëllim përmbysjen e ish-diktatorit irakian. “Unë ende do të kisha qenë i mendimit se përmbysja e tij është e drejtë. Qartazi, do të ishte dashur të shfrytëzohen argumente të tjera në lidhje me natyrën e kërcënimit”, - tha Bler në intervistën dhënë BBC-së. “Vërtet nuk mendoj se do t’i kishim punët më mirë, nëse Saddami dhe dy djemtë e tij do të ishin ende në pushtet”,- shtoi ai. Bler, i cili në mënyrë kundërshtuese mbështeti presidentin e atëhershëm amerikan, Xhorxh Bush, kur ai në mars të vitit 2003 mori vendimin për të pushtuar Irakun, pranoi se anëtarët e familjeve të personave të vrarë fajësojnë atë, por këmbënguli se të afërmit e familjarëve mund të jenë krenarë për sakrificën e tyre. “Ka prindër, të cilët janë tejet të hidhëruar dhe të cilët janë të mendimit se kjo luftë nuk ia ka vlejtur. Por ka edhe shumë të tillë, të cilët krenohen me atë që kanë bërë fëmijët e tyre dhe krenohen për çështjen për të cilën kanë luftuar”, - shtoi Bler. Ish-kryeministri i Britanisë nënvizoi gjithashtu rëndësinë e besimit të tij të krishterë dhe shpjegoi se pse nuk është konvertuar në të krishterë, deri pas largimit të tij nga funksioni në vitin 2007. “Do të kishim pasur një rrëmujë të pafund. Ndoshta thjesht më është dashur ta bëj, por për të qenë i sinqertë, si kryeministër më është dashur të përballem me aq shumë çështje, dhe kjo do të ishte e tepërt. Edhe pa e bërë këtë, kam qenë i detyruar të përballem me shumë kundërshtime të tjera”, - tha Bler. Ish-kryetari i Demokratëve liberalë të Britanisë, Menzies Campbell, theksoi dy ditë më parë se Parlamenti i Britanisë me shumë mundësi nuk do ta kishte mbështetur luftën në Irak, po të kishte pasur njohuri se Sadami nuk posedon armë të shkatërrimit në masë.
“Bleri nuk do të kishte siguruar mbështetjen e Parlamentit më 18 mars të vitit 2003, po të kishte qenë i sinqertë para deputeteve të Parlamentit, siç duket, se është tani i sinqertë para BBC-së”, - tha Campbell. Bler pritet që të paraqitet para të ashtuquajturit panel hetues ‘Chilcot’ për luftën në Irak, i cili filloi punën muajin e kaluar, në fillim të vitit 2010, qysh në janar.
Ky lajm është publikuar: 13/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›