Falstaf, Don Zhuan i dhjamosur
Falstafi, Don Zhuan i dhjamosur e komik. Është ky personazhi, rreth së cilit do të vërtitet një kastë e tërë artistësh, duke na sjellë në skenë premierën absolute, operën komike të kompozitorit Verdi, “Falstaf”. E ndërtuar mbi veprën e Shekspirit “Gratë gazmore të Uindsorit”, regjisori Nikolin Gurakuqi i ka besuar sërish një tjetër rol tenorit të ftuar nga Bullgaria, Dobromir Tzvetanov. Pas operës “Triptik”, ai do të na sjellë një tjetër personazh, atë kryesor. Duke përfituar nga rastësia që roli i përfytyruar nga vetë regjisori përputhet më së miri me tenorin bullgar, fizikisht, ashtu edhe vokalisht, ai gjen rastin të justifikojë ardhjen e tij të dytë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Veç kësaj, ai ndihet mirë mes shqiptarëve. Ai mahnitet nga realiteti që gjen realisht në Shqipëri, veçanërisht mbi mënyrën se si trajtohet një artist, para çdo shfaqje a premiere. “Është shumë e rrallë dhe shumë e rëndësishme për një artist që të ketë në dispozicion një orkestër të madhe, të sigurojë rolin, ku ky i fundit më hap edhe rrugën drejt karrierës, pasi është shumë e vështirë që jashtë skenës suaj të ndodhë e njëjta gjë, sidomos kur ke një rol premierë”, - shprehet tenori bullgar.
Pas pjesëmarrjes suaj në operën “Triptik”, konkretisht në aktin “Xhani Skiki”, vini sërish në skenën e teatrit shqiptar. Si ndiheni?
Jam shumë i lumtur që kam marrë një tjetër ftesë për të interpretuar kështu për të dytën herë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe kësaj here jam pjesë e një premiere absolute dhe më konkretisht regjisori Gurakuqi më ka besuar rolin kryesor, atë të Falstafit, e cila është një opera e mrekullueshme. Shpresoj që ta realizoj sa më mirë.
Po na thoni që roli juaj është kryesor, Falstaf. Si do të na e prezantonit më pak fjalë atë?
Është një personazh shumë interesant. Më pëlqen mënyra e tij e jetesës i cili gjithnjë është në kërkim të aventurave të reja, një jetë që vetëm pi dhe ha, asgjë më shumë. Një jetë e shkujdesur, siç është ajo e Falstafit. Por nga ana tjetër është edhe një person shumë inteligjent e shumë finok. Do të shikoni që ai karakterizohet edhe nga veprime prej Don Zhuani, ndonëse është shumë i shëndetshëm fizikisht, pra është paksa i dhjamosur e jo i pastër. Nuk vjen si ata djemtë tipikë Don Zhuanë, siç ne e përfytyrojmë, i pastër, bukurosh dhe që kujdeset në maksimum për vetveten për të rënë sa më shumë në sy të femrave. Është krejt e kundërta.
Pse mendoni se regjisori ju ka përzgjedhur pikërisht ju si tenorin më të denjë për të sjellë rolin e Falstafit në skenën e TKOB?
Kam përshtypjen se regjisorit i kanë rënë në sy disa cilësi tek unë, siç mund të jenë gjatësia, trupi, shëndeti, gjë që janë më se të përshtatshme me këtë personazh. Shpresoj që edhe kostumet që priten të vijnë plotësojnë të tërin. Po ashtu, edhe aftësia ime për të kënduar rolin e këtij personazhi, sepse pjesa e tij është shumë e vështirë. Nuk është se ndjek një vijë të drejtë melodike nga fillimi deri në fund, por shumë momente falsiteti që më duhet t’i këndoj. Elementet e zërit tim janë të përshtatshme për Falstafin. Është një rol i ndërlikuar dhe shumë i ndryshueshëm në vokal. Pra, unë e plotësoj rolin si nga ana vizive, ashtu edhe nga ajo muzikore.
Cilën nga pjesët konsideroni si më të vështirë gjatë interpretimit tuaj?
Si pjesën më të vështirë do të nënvizoja faktin që unë së bashku me artistë të tjerë këndojmë në harmoni me të tjerët. Pra, nuk këndojmë në mënyrë individuale, por në grup njëkohësisht duke marrë dhe shkëmbyer batuta të ndryshme. Në këtë rast vlen të përmendim edhe angazhimin e regjisorit Nikolin Gurakuqi, pasi puna e tij është e përkryer. E ka ndjekur operën në çdo detaj.
Sa real do të vijë personazhi i “Falstafit”? A ka elemente të përditshmërisë në brendësi të tij?
Në këtë vepër gjenden shumë elemente njerëzore, pra është një opera shumë humane. Në brendësi të saj do të ndeshen shumë situata që ndodhin sot realisht në jetën e përditshme, kështu që njerëzit do ta kuptojnë shumë thjesht, po ashtu e njëjta gjë ndodh edhe me personazhin e Falstafit.
Po ju vetë, si e gjykoni këtë kategori njerëzish?
Gjykimin tim ju do ta shikoni në skenë, pra tek mënyra se si do ta interpretoj unë rolin e Falstafit. Megjithatë, mua më pëlqejnë njerëz të tillë. (qesh)
Na zbuloni një detaj të vogël që i përket këtij personazhi, e pathënë më parë...
Sipas meje, dueti i Falstafit me Fordin është pjesa më e bukur e operës. Është ai moment që godet më shumë.
Po pjesa më komike, cila është?
Pjesa më komike është pjesa e fundit e operës, kur të gjithë hakmerren ndaj meje, duke më qëlluar me bastun apo me gjithçka që kanë në dorë, por edhe pjesa e parë, kur qëlloj dy shërbëtorët e mi, të cilët nuk janë dakord me planet që unë dua të vë në jetë.
Hera e dytë që bashkëpunoni me artistë shqiptarë. Si do t’i vlerësonit ndërthurjet artistike me shqiptarët?
Do ta vlerësoja shumë pozitivisht, pasi kam parë që këtu punohet shumë. Flas si për ata që kanë vite në këtë skenë, që e njohin operën me detaje, por edhe për të rinjtë, që vijnë nga Akademia e Arteve. Janë të përgatitur e janë të gatshëm për rolet që u përcaktohen. Edhe herën e parë, pra tek “Triptik”, kam punuar me kastin e rinj të këngëtarëve të operës, veç artistëve në karrierë. Kemi arritur një nivel të lartë artistik.
Ju frikëson, ju bën skeptik në rezultatin e veprës nisur nga fakti që ju po punoni më së shumti me një kastë të rinjsh?
Kjo opera kërkon vërtet një staf të ri. Edhe unë vetë jam pak i ri për personazhin që më është përcaktuar, do të përpiqem që të jap maksimumin tim. Kështu që më nuk më frikëson e as nuk më bën skeptik për rezultatin artistik që mund të marrë kjo opera.
Sa energji keni djegur për të përgatitur këtë rol?
Për këtë premierë kam punuar dy muaj me radhë, duke konsumuar rreth tri apo katër orë në ditë. Ndërsa zakonisht, bashkë me pedagogun tim, punoj tri herë në javë me orare të përcaktuara.
A ndiqni ndonjë metodë për përgatitjen e një roli?
Po, fillimisht shqyrtojmë tekstin në mënyrë të përkryer me qëllim që të hyj në brendësi të çdo fjale. Më pas, përgatis muzikën, pasi kjo është një prej pikave më të rëndësishme, ku në këtë rast duhet të jesh shumë i përgatitur. Më tej, mund të shikohen edhe regjistrime që kanë realizuar artistë të mëdhenj më parë në skenë, për të marrë ndoshta disa maniera prej tyre. Kjo bëhet për ta kuptuar më mirë e për ta bashkuar sërish më mirë muzikën dhe tekstin.
Çfarë mendoni se do të përfitoni në një bashkëpunim me artistët shqiptarë?
Është shumë e rrallë dhe shumë e rëndësishme për një artist që të ketë në dispozicion një orkestër të madhe, të sigurojë rolin, ku ky i fundit më hap edhe rrugën drejt karrierës, pasi është shumë e vështirë që jashtë skenës suaj të ndodhë e njëjta gjë, sidomos kur ke një rol premierë. Duhet të jesh shumë i garantuar. Këtu të jepen shumë mundësi. Opera është një art që nuk të jep para. Duhet të hedhësh shumë para dhe të mos pretendosh që të fitosh. Duhet të investosh që të jetë një art elitar. Edhe sponsorët që investojnë në këtë periudhë krize e ndiejnë dhe nuk rrezikojnë në që të investojnë në një art që nuk sjell.
Mësuam që gjatë gjithë kohës bëni një jetë në lëvizje, me valixhe në krah pas ftesave për role artistike në skena të ndryshme. Sa e lodhshme është kjo lloj jete? Çfarë ju mungon më shumë?
Është shumë, sepse asnjëherë nuk je i garantuar se si mund të jetë ky vit apo viti i ardhshëm. Je gjithnjë në ankth sa u përket ftesave. Por gjithnjë duhet të jesh i sigurt në vetvete që në çdo moment që të të ofrojnë role, duhet të kesh jo vetëm valixhen, por edhe zërin gati. Kjo lloj jete ndikon shumë edhe në krijimin e marrëdhënieve familjare. Duhet të kesh afër një person që të kupton dhe të rri afër.
Historia e veprës
Verdi 80-vjeçar deklaronte atëherë se për më tepër së 40 vjet kishte dashur të kompozonte një opera komike. Dhe ja në vitin 1889 Arrigo Boito nis të punojë për libretin e “Falstafit” dhe ia dorëzon kompozitorit në fillimin e vitit që pasoi, pas disa vështirësive të shkaktuara nga disa keqkuptime mes të dyve. Me një shpirt të ri, duke marrë parasysh dhe moshën e madhe, Verdi nisi të muzikojë operan thuajse për të kaluar kohën, pa qenë i detyruar të respektojë afate dhe krejtësisht i lirë në krijimtari. Punon në mënyrë të shkujdesur, por të përpiktë njëkohësisht e në vitin 1892 i jep botuesit partiturën. Në 9 shkurt 1893, shfaqet premiera e operas “Falstaf” në La Scala të Milanos nën drejtimin e Edoardo Mascheronit. Publiku ishte ai i okazioneve të mëdha, një publik i veçantë ku shiheshin dhe personalitete të botës së kulturës si Carducci, Giacosa, Puccini dhe Mascagni. “Falstaf” është opera e fundit e kompozuar nga Giuseppe Verdi. Ju, tek ravijëzoni “Falstafin” a keni menduar ndonjëherë për numrin e madh të viteve të mia?” Kështu nis komunikimi gjithmonë e më tërheqës, letër pas letre mes Verdit dhe Arrigo Boito-s të angazhuar në një sipërmarrje të shpejtë të kësaj vepre mbi subjektin e Shekspirit. Edhe në këtë rast, pas triumfit të “Otellos” në 1887, raporti i tyre u vulos nga respekti reciprok. Boito ishte gjithmonë gati të shkrinte çdo dyshim të bashkëbiseduesit të tij dhe ishte fitorja e tij kur Verdi, në vitin 17 mars 1890, i shkroi: “Akti i parë mbaroi pa asnjë ndryshim të poezisë”. Ishte hera e parë një kompozitori i bënte një deklaratë të tillë libretistit të tij. Dhe arsyet nuk mungonin. Kishte ndër duar një bizhu të vogël, të thurur me elementë gjuhësorë preciozë në një stil perfekt dramatik. Verdit i mungonte një sukses i madh në operan komike dhe ndërkohë kishte dhënë shumë prova për aftësinë e tij ndaj operas “Bufa”, po të kihet parasysh “ngjyrimi” i shkëlqyer tek “Ballo in maschera”, dhe konturet që ravijëzojnë “La forza del destino”. Që kur Boito i propozoi Verdit subjektin e ri shekspirian, “Falstaf” ishte i realizueshëm, pa lodhje, pa dhimbje, deri tek suksesi që rrëmbeu e fundit e mrekullueshme opera e maestros 80-vjeçar në La Scala. Prej atij momenti opera zuri në mënyrë të qëndrueshme skenat e gjithë botës, dhe u bë “cavallo di battaglia” për gjithë dirigjentët virtuozë si Mahler e Toscanini, Karajan e Bernstein. Me këtë vepër, Boito e Verdi përbëjnë vëllazërinë perfekte mes “muzikës” e “dramës”, harmoni që nuk dukej që prej kohës së “Nozze di Figaro”. Dhe nuk janë të pakta ngjashmëritë mes dy kryeveprave. Në 1890, Verdi 70-vjeçar i shkruante Gino Monaldi-it: “Prej 40 vjetësh dëshiroja të shkruaja një opera komike dhe prej 50 vjetësh njoh veprën “Gratë gazmore të Uindsonit”; madje… të zakonshmit, por që janë gjithandej, përpiqeshin të pengonin këtë dëshirë timen. Tashmë Boito ka shkrirë gjithçka, dhe krijoi një komedi lirike që nuk i ngjan asnjë vepre tjetër. Dhe unë argëtohem duke i kompozuar muzikën; “Falstaf” është një i trishtuar që kryen veprime të këqija… por në formë argëtuese. Është një tip! Ka shumë tipa në fakt! Opera është krejtësisht komike!”