E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tentoi të grabiste argjendarinë, arrestohet nga policia



Grabitësi, i cili kishte vendosur një paruke për të mos u njohur, u arrestua në flagrancë, ndërsa po përpiqej të largohej nga uniformat blu

Policia e Tiranës arrestoi në flagrancë një 32-vjeçar, i cili po tentonte të grabiste një argjendari në kryeqytet. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në një dyqan në rrugën “George W. Bush” dhe në prangat e uniformave blu ra Altin Ndini. Sipas burimeve nga policia, i riu ishte futur brenda në argjendarinë “Rita” i armatosur dhe pasi kishte kërcënuar shitësen, kishte marrë me forcë disa bizhuteri dhe ishte larguar. Por aventura e tij ka zgjatur vetëm pak, pasi ai menjëherë është parë nga një punonjës policie dhe është ndaluar. 32-vjeçari është shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Grabitja ka ndodhur rreth orës 9:00 të mëngjesit të ditës së djeshme. Argjendaria ndodhet në rrugën “George W. Bush”, afër vendit të quajtur “Ushtari i panjohur”. Grabitësi po priste sa të hapej argjendaria për të realizuar vjedhjen. Ai ka pritur ndërsa shitësja të niste punën dhe është futur menjëherë brenda. Sipas burimeve nga policia, 32-vjeçari kishte veshur një paruke në kokë, në mënyrë që ta vështirësonte punën e policisë për ta identifikuar. Ai ka qenë i armatosur me një thikë dhe ka kërcënuar shitësen se nëse ajo nuk do t’i jepte paratë, ai do ta godiste. Por ndërsa punonjësja nuk i është bindur kërcënimeve të tij, ai ka rrëmbyer me forcë varëset dhe bizhuteritë e tjera me vlerë që ndodheshin aty. Por, veprimet e tij kanë tërhequr vëmendjen e personave të tjerë, kjo edhe nga të bërtiturat e punonjëses. Në një situatë të tillë, grabitësi është përpjekur që të largohet me shpejtësi. Por afër vendit të ngjarjes ka qenë edhe një punonjës i policisë, i cili i është vënë nga pas. Gjatë ikjes, 32-vjeçarit i ka rënë parukja nga koka. Më pas, ai është arritur nga punonjësit e policisë, të cilët e kanë vënë në pranga. Ata kanë sekuestruar edhe armën e ftohtë me të cilën ai kishte kërcënuar punonjësen si dhe bizhuteritë e vjedhura me forcë. Sipas burimeve nga policia, rezultoi se identiteti i grabitësit është Altin Ndini, banues në Tiranë. Kjo nuk është hera e parë që në zonën afër vendit të quajtur “Ushtari i panjohur”, të ketë grabitje të argjendarive dhe të pikave të këmbimit valutor. Nisur nga ky problem shqetësues, policia e Tiranës ka shtuar kontrollet dhe patrullimet në atë zonë, duke e kthyer atë në më të sigurt. 32-vjeçari i arrestuar është shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ai akuzohet për konsumimin e veprës penale të “vjedhjes”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›