Jepet me koncesion HEC-i i Banjës
ENV-ja dhe Statkraft marrin me konvesion ndërtimin e 3 HEC-ve mbi kaskadën e Lumit Devoll
Projekti do të kushtojë 950 milionë dollarë dhe kapaciteti total do të jetë 340 MW
TIRANË- Konsorciumi EVN dhe Statkraft kanë fituar të drejtën e ndërtimit të tre hidrocentraleve në kasakdën e Lumit Devoll dhe secila do të ketë 50% të partneritetit. Marrëveshja koncesionare u nënshkrua dje mes përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe atyre të konsorciumit. Projekti prej 950 milionë eurosh parashikohet të përfundojë brenda tetë vitesh dhe do të ketë një kapacitet total prej 340 MW. Kompanitë partnere do të ndërtojnë tre hidrocentrale me rezervuar, të cilat do të prodhojnë energji edhe në kohë piku. Sipas ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, energjia e prodhuar do të përdoret si për konsum të brendshëm, ashtu edhe për eksport. Pjesë përbërëse e projektit, i cili në përfundimet e tij do të rrisë me 20 për qind kapacitetet prodhuese të energjisë për Shqipërinë, do të jenë HEC-et, Lozhan-Grabovë me fuqi 173 MW, Skënderbegas-Drizë, me fuqi 138 MW dhe ai i Banjës, me fuqi 28 MW. Krahas ndërtimit të digave, projekti përmban edhe ndërtimin e 62 kilometrave tunele. Ministri Ruli tha se, gjatë konsultimeve i është kushtuar një rëndësi e veçantë përfundimit të projektit të HEC-it të Banjës, ndërtimi i të cilit ka filluar qe në fund të viteve 80-të. “Përfundimi i HEC-it të Banjës ka qenë një nga kushtet e tenderit, i cili përbën një kosto shtesë për investitorin, si pasojë e gjendjes në të cilën ai ndodhet”, - tha Ruli. Sipas tij, kushti për përmbushjen e këtij projekti dhe rrezikshmëria që ai paraqet për investitorin e bën të domosdoshme shtrirjen e afatit të koncensionit për më shumë se 35 vjet, duke bërë të mundur rritjen e besueshmërisë ekonomike. Planifikimi i projektit aktual për ndërtimin e tre HEC-eve në kaskadën e Devollit ka nisur më shumë se dy vite me parë, të cilat u përmbyllën dje me nënshkrimin e marrëveshjes.
Të dhëna
950 milionë euro investim
340 MW kapacitet i instaluar
500 të punësuar gjatë realizimit
62 km tunel
8 vjet afati i mbarimit
35 vjet minimumi i kohëzgjatjes së kontratës
Koncesionet
Në kuadrin e shfrytëzimit të burimeve energjetike të Shqipërisë, krahas marrëveshjes së djeshme për ndërtimin e tre HEC-eve në kaskadën e Lumit Devoll, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ka dhënë ose është në hapat e fundit të dhënies me koncension të disa projekteve të mëdha në fushën e energjisë së rinovueshme. Një nga ato është edhe ai i Ashtës, me një kapacitet të instaluar 48 MW. Fituese për realizimin këtij projekti është kompania austriake “Verbund”, e cila deri në përfundim të tij parashikon të investojë 160 milionë euro. HEC tjetër që pritet të jepet për ndërtim është edhe ai i Skavicës, me kapacitet 350-400 MW, i cili krahas Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, konsiderohet i fundit që do të ndërtohet mbi Lumin Drin. Për realizimin e projektit në fjalë, deri tani janë në garë 6 kompani, të cilat kanë marrë pjesë në fazat parakualifikuese.