E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre vajza të mitura, jetesë nën urë me prostitutën

20/12/2008  Babai alkoolist, i nxjerr në rrugë për të lypur. Më e madhja nën kërcënimin e prostitucionit

DURRES- Tre fëmijë të një familje të varfër jetojnë në kushte shumë të vështira duke tërhequr vëmendjen e opinionit shoqëror si dhe të organizatave të huaja. Enver Ymeri së bashku me tre vajza ka vendosur një tendë nën Urën e Dajlanit dhe jeton me ato para që sjellin vajzat në mbrëmje.

Drama

Familja me 4 anëtarë nuk ka grua në shtëpi, ndërkohë që babai i vajzave është përdorues alkooli. “Banesa” e tyre është në territorin e komunës që mbulon lagjen numër 14 të Durrësit në hyrje të Shkozetit. Tre vajzat janë në moshë të mitur dhe dy prej tyre ushtrojnë zanatin e të lypurit në rrugë, por në mbrëmje ato nuk mund të blejnë as bukë sa për të ngopur barkun, pasi të gjitha paratë ua merr i ati për të pirë alkool. Xhoana Ymeri vetëm 4 vjeç duket se i ka shpëtuar varfërisë. Ajo është sistemuar në një qendër të shërbimit social në Tiranë, duke lënë në rrugë të madhe dy motrat e saj. Sabrie Ymeri 11 vjeç dhe Eliona Ymeri 10 vjeç detyrohen nga i ati që të zgjohen herët dhe të shtrijnë dorën e lypësisë në anë të rrugëve, në lokale dhe institucione. Asnjëra nga vajzat nuk frekuenton shkollën. Sabria dhe Eliona nuk dinë as shkrim e as këndim dhe kjo gjendje i ka shtyrë ato edhe më tej në rrugën e lypësisë. Por ndërsa vajzat e kanë ushtruar këtë zanat që në moshën 4-5 vjeçe, tani vajzat rrezikojnë të bien në dorën e rrjeteve të prostitucionit.

Kërcënimi

Ndonëse Sabria është minorene, 11-vjeçarja mësohet se u ka treguar punonjësve socialë të Bashkisë së Durrësit, se është ngacmuar disa herë dhe se persona të panjohur kanë tentuar ta marrin atë në “mbrojtje” për ta hedhur më pas në tregun e prostitucionit. Burime nga policia bëjnë me dije se vajzat janë të rrezikuara edhe në vendin ku ato banojnë me të atin, nën Urën e Dajlanit. Pikërisht në këtë vend dhe fare pranë barakës së 3 vajzave jeton një grua me një fëmijë të vogël, e braktisur nga pjesa tjetër e familjes. Nga të dhënat që kanë ofruar shërbimet e policisë, të cilët kanë investiguar gjatë veprimet e gruas kanë arritur në konkluzionin se ajo jeton duke shitur trupin dhe se kjo mund të sjellë pasoja të rrezikshme për 3 vajzat minorene të Enver Ymerit. Madje thuhet se gruaja, emri i së cilës nuk bëhet publik, është kapur disa herë duke kryer marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës. Vetë fëmijët janë shprehur teksa janë marrë në pyetje nga agjentët e policisë se kanë parë gruan teksa ushtronte prostitucion. Kjo familje me tre vajza në mënyrë të përsëritur kanë kaluar natën të paushqyer, ndërsa fëmijët tregojnë se shpesh herë atyre u kanë dhënë bukë, ushqime e veshmbathje persona që ata nuk i njohin. Pas Xhoanës, 4 vjeçe, po bëhen përpjekje për t’i strehuar në qendra të fëmijëve edhe Sabrien me Elionën, por para se të merret një hap i tillë punonjësit social duhet të bindin babanë e fëmijëve për rrezikun e afërt që u kanoset vajzave. Por me sa duket këto shërbime do ta kenë mjaft të vështirë, pasi ai prej kohësh keqtrajton të bijat duke i nxjerrë në rrugë për të lypur e më pas t’ua marrë paratë për të pirë alkool.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›