E Diel, 1 Nëntor 2026

Familja Dalipi, një jetë me futbollin...

16/01/2012  Ceremoni nderimi për Kutjim Dalipin, futbollistin e shquar elbasanas dhe kontributin e tij

Miqtë dhe sportdashësit kujtojnë lojën e tij brilante. Tre djemtë e tij vazhdojnë rrugën e babait

ELBASAN- Të flasësh për futbollin në vite do të prekësh shumë emra që i kanë dhënë tonin “lojës magjike” në qytetin e Elbasanit. Dhe rastisi që sot ne të flasim për Kujtim Dalipin, njërin nga sportistët me emër në këtë qytet që ka luajtur shumë vite për ngjyrat portokalli të Elbasanit. Por më e veçanta është se rastis jo shpesh që futbolli të trashëgohet nga njëri brez në tjetrin brenda një familjeje, por sigurisht askush nuk mund të mohojë faktin që në vendin tonë ka familje të nderuara që kanë dhënë shumë për futbollin shqiptar. Që nga Memët e Tiranës, Zmijanët e Shkodrës e Gjikët e Elbasanit, të gjitha këto familje me gjak futbolli do të mbeten të respektuara në etapat e historisë së këtij sporti në Shqipëri.

Kujtim Dalipi

Kujtim Dalipi njihet si një nga futbollistët me jetëgjatësi të konsiderueshme për kontributin që ka dhënë në sportin e futbollit. Teksa mbushte 60 vjeç mes miqsh dhe tre djemve të tij sportistë, Kujtimi u vlerësua nga Sport Klub Elbasani, por edhe Bashkia e qytetit, me mirënjohje për kontributin e dhënë në fushën e sportit në qytet.

Miku i tij Dhimitër Bardhi, një ndër studiuesit e pasionuar të sportit në Elbasan tregon disa momente të jetës së futbollistit që nisi të luajë në moshë të mitur dhe tashmë mbetet i dashuruar pas ekipit të Elbasanit dhe e mbështet atë sa herë që kërkohet ndihma e tij. “Kujtimi është aktivizuar në sport që në moshën 11-vjeçare në pallatin e pionierëve në Tiranë atje ku edhe ka lindur. Vetëm në moshën 15-vjeçare Kujtimi renditet në radhët e të rinjve të klubit të sportit “Dinamo” në rolin e sulmuesit”. Këtu merr rrugë profesioni dhe dëshira e Kujtimit për të vijuar të luajë dhe të korrë fitore e sukses në sportin e futbollit. Rreth moshës 20 vjeç Kujtimi transferohet me familjen në Elbasan, dhe për disa muaj vazhdon të aktivizohet si sulmues me ekipin e të rinjve në Elbasan. Por duke parë dëshirën për të luajtur sa më mirë trajneri Shefqet Lamçja e inkuadron me ekipin e futbollit të të rriturve të “Labinotit”, vijon Bardhi.

Nga viti 1950 e deri sa u largua nga futbolli, Kujtim Dalipi e kaloi kohën më të gjatë të karrierës së tij sportive me ekipin “Labinoti”, duke u renditur midis futbollistëve më të mirë. Në të gjitha ndeshjet miqësore që ka kryer ekipi në vitin 1971 në Kinë me disa skuadra nga më të mirat, Kujtimi u dallua si mesfushori më i mirë. Si mesfushor i talentuar ai nuk njihet vetëm në ekipin e “Labinotit”, por edhe të “Partizanit”, si edhe me ekipin kombëtar “Shpresa”, vijon Bardhi. Një nga çaste emocionuese që Kujtimit i ka mbetur në kujtesë ishte turneu në një takim miqësor në Shangai ndaj përfaqësueses së Kinës, ku ishte trajner i madhi Loro Boriçi dhe në atë takim shënon 2 gola në një fitore 2 me 0. “Duke marrë falënderimet e trajnerit të madh Boriçi që pas takimit m’u afrua dhe më tha. Të lumtë Dalipi, u tregove vërtet i zoti. Ishte një emocion shumë i madh kur e dëgjoja nga goja e tij”, kujton me mall Kujtimi, i cili pas vitit ‘75 do të kthehej në Elbasan për të luajtur me këtë ekip deri në vitin 1983 kur një dëmtim në gju e detyroi të tërhiqej përfundimisht nga futbolli. Gjatë kësaj kohe historia merrte drejtime sa pozitive aq edhe negative për të. Më parë një Kupë Republike në vitin 1975 me Elbasanin, një numër i madh golash e paraqitjesh të shkëlqyera ishin “torta” e Kujtim Dalipit që gjithsesi nuk gjeti shumë qetësi në vazhdim, pasi dëmtimi në gju nuk do t’i lejonte atij pasurimin më tej të karrierës.

Trashëgimia

Por vjen një moment që çdo futbollist ndahet nga sporti i tij i dashur. Kështu ndodhi edhe me Kujtimin. Por shumë shpejt ai do të zëvendësohej në fushë nga të tjerë nga familja Dalipi. Klevisi djali i tij zëvendësoi babanë e tij duke u bërë një nga futbollistët më të mirë të Elbasanit, por edhe Shqipërisë.

“Ndjehem krenar që sot Klevisi djali im ndodhet në Portugali dhe luan me skuadrën “Overven” të Portos, në ligën e dytë të këtij vendi”, thotë vetë Kujtimi.

Dëshira e tij ka qenë që edhe djemtë e tij të bëhen futbollistë dhe duket se kjo dëshirë është realizuar tashmë, jo vetëm tek Klevisi, por edhe tek të dy djemtë e tjerë Danjeli dhe Endri.

Për merita në rritje cilësore të futbollit elbasanas dhe atij shqiptar me vendim të FSHF-së, në vitin 1996 Kujtimi është nderuar me titullin “Mjeshtër Sporti”. Edhe pse nuk luajti më Kujtimi qëndroi afër futbollit, tani në rolin e trajnerit duke stërvitur e përgatitur futbollistë të rinj. Si trajner Kujtimi është fitues i kupës “Shefqet Lamçja”. Radhët e sportistëve të stërvitur nga Kujtimi sot luajnë në ekipin e të rriturve futbollistë të njohur si Elton Capja, Endri Dalipi, etj.

Djemtë ecin në gjurmët e babait...

Tre bijtë e Kujtim Dalipit, futbollistë të njohur

Të qenit një futbollist i mirë është që të lësh diçka për atë që ke bërë edhe te fëmijët. Të tri djemtë e ish-futbollistit të njohur ndër vite Kujtim Dalipi, kanë luajtur ose vazhdojnë të luajnë futboll kush në Elbasan e kush gjetkë. Klevisi, Danieli dhe Endri janë tri futbollistë cilësorë që la pas karrierës së tij Kujtimi, i cili arriti t’i fusë në gjak djemve të tij sportin e bukur të futbollit. Megjithatë, ashtu si edhe babai i tyre, të tre këta futbollistë kanë arritur të lënë gjurmët e tyre në futboll, kush më shumë e kush më pak edhe pse dy prej tyre, Klevisi e sidomos Endri kanë ende shumë për të dhënë. Por duke i bërë një panoramë karrierës së tyre na duhet ta nisim nga 30-vjeçari Klevis, më i suksesshmi nga të tri djemtë. Klevisi e nisi karrierën e tij që në vogëli i joshur nga trashëgimia që i kish lënë i ati. Pas shkëlqimit me të rinjtë, Klevisi në moshën 16-vjeçare kalon tek të rriturit dhe më tej deri në 1997 luan për këtë ekip duke fituar falë lojës së tij edhe ekipin “Shpresa”. Me këtë skuadër duke luajtur një takim në Portugali ai gjen momentin dhe nuk kthehet më në Shqipëri, por firmos një kontratë me “Vitoria Setubal” të Ligës së Parë. Pas një sezoni të kënaqshëm me këtë skuadër largohet te një tjetër skuadër e Ligës së Parë, “Santa Klara”, ndërkohë që karriera e tij më tej e çon tek “Ovarence Naval” dhe “Braganzh” të Ligës së Dytë. Pas gjashtë sezonesh në Portugali ai rikthehet në 2003-in në kampionatin tonë edhe pse pati oferta nga ekipet e Tiranës ai zgjodhi qytetin e vendlindjes, Elbasanin. Në tri sezone me skuadrën verdheblu, Klevis Dalipi është lideri i padiskutueshëm i skuadrës, kur në sezonin e kaluar i dha edhe titullin kampion ekipit verdheblu. Shpërbërja e ekipit në këtë kampionat e detyron Klevisin të hedhë sytë tek ekipi shkodran për të përfaqësuar fanellën e ekipit të “Vllaznisë”, duke qenë edhe këtu një lojëtar lider në këtë ekip. Endri djali tjetër i është bashkangjitur ekipit verdheblu mbas disa sezonesh me ekipin e “Shkumbinit” të Peqinit, ndërsa djali tjetër Danieli, është shkëputur nga futbolli mbas një dëmtimi, i cili në vitet 1996-2001 luajti për Elbasanin si titullar, ndërkohë që më tej dy sezone me “Shkumbinin”. Por dëshira e Kujtimit është që djemtë e tij të kontribuojnë në qytetin e Elbasanit për të qenë faktor kryesor në ecurinë e ekipit elbasanas, por për këtë kërkon që edhe të vlerësohen për atë që japin pasi më mirë se elbasanasit nuk mund ta bëjnë të huajt, dëshirën e mirë për të qenë futbollist me tradita i këtij qyteti në vendet që e meritojnë.

Bashkia e vlerëson me mirënjohje

Certifikatë për kontributin në fushën e sportit

Bashkia dhe Sport Klub Elbasani vlerësuan me certifikatë mirënjohjeje, me motivacionin "për kontributin e dhënë në fushën e sportit" veteranin e futbollit Kujtim Dalipi.

Në një ceremoni festive, në ditën e 60-vjetorit të lindjes së tij, tre djemtë e Kujtim Dalipit, të cilët janë sportistë të njohur dhe vazhdojnë rrugën e babait të tyre, kanë organizuar një koktej me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të pushtetit lokal, ekipit të Elbasanit, si edhe miq të Kujtimit. Kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, vlerësoi kontributin që veterani Dalipi ka dhënë ndër vite në fushën e sportit, ndërsa presidenti i Sport Klub “Elbasanit”, Arben Laze, i dorëzoi atij certifikatën me siglën e Sport Klub “Elbasanit”. Kujtim Dalipi e ka nisur karrierën e tij në fushën e sportit që në adoleshencë. Në rini, ai u aktivizua në kampionatet e futbollit si mesfushor, ku për merita në rritjen cilësore të futbollit elbasanas dhe atij shqiptar, në vitin 1996 FSHF e nderoi me titullin "Mjeshtër i Sportit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›