E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në krevat prej vitesh, 14-vjeçari shpreson për ndihmë

13/01/2012  Apeli dhe nga babai: S’kam më të ardhura t’i blej tim biri ilaçet

Sipas mjekëve, nëse Albert Lina nuk kurohet, i paralizuar dhe i sëmurë përjetë

LUSHNJE- Një 14-vjeçar është duke luftuar mes jetës dhe vdekjes. Ai është Albert Lina, njëri prej fëmijëve të Aristir dhe Teuta Lina nga fshati Frakull e Madhe, komuna Frakull, rrethi Fier. Sëmundja e rrallë që i është shfaqur prej vitesh e që quhet Dermatomozit kërkon një terapi të gjatë dhe të kushtueshme. Ndërsa të ardhurat që ka kjo familje prej pesë frymë, janë rreth 30 mijë lekë të reja në muaj. Adoleshentit i rri përmbi kokë sëmundja dhe shpresa për jetë, të cilën ai e kërkon me thirrjen për të jetuar te ndihma e gjithkujt, e sidomos e biznesit dhe pushtetit vendor. “Vuaj nga sëmundja e kockave, -thotë djali, një sëmundje e rrallë e bashkëmoshatarëve të mi. Ja ky shtrat më është bërë e përditshmja ime e hidhur, aq të hidhura sa ilaçet që pi dhe që po më mbarojnë. Jam 14 vjeç, tepër i ri për të qenë në këtë shtrat. Ju lutem kush e ndjen se duhet të më ndihmojë sadopak, unë e mirëpres”, -thotë djaloshi mes ngashërimit. Babai i tij, Aristiri, rrëfen se ka shkuar kudo këto vite dhe nuk ka mundur të gjejë shërimin e djalit. Sipas mjekëve, 14-vjeçari i diagnostikuar tashmë me sëmundjen e sipërpërmendur kërkon një mjekim të gjatë. Aristiri pohon se tashmë nuk ka mundësi ekonomike, që të ndjekë mjekimin e djalit të tij dhe se apeli në këtë rast është “Sos-i” njerëzor që ai iu dërgon të gjithëve. Mes lotëve të nënës Teutë përzihet dhimbja dhe lutja e një nëne. Askush nuk e dëshiron sëmundjen, sidomos për djalin e vet. Ndaj më shumë se thirrjet vlejnë lotët e saj për humanizëm dhe bashkëpunim për të shpëtuar një jetë. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›