Familja: Nuk kemi asnjë hasmëri të vjetër
Vrasja e Athinës, babai i Paçe Brahos tregon se lajmin për vdekjen e të birit e ka mësuar nga mediat
CËRRIK- Viktima e atentatit të dy ditëve më parë në kryeqytetin grek, 46- vjeçari Paçe Braho kishte disa vite në emigracion. Familja e tij në Cërrik ka mësuar ngjarjen nëpërmjet mediave pasi djali i tyre nuk kishte të afërm të tjerë atje. Babai i tij Elmazi, tregon se është djali i dytë që humb pasi ka varrosur 10 vjet më parë djalin e vogël, Vladimirin i ciliështë vrarë me thikë nga një bashkëmoshatar. Ai thotë se djali i tij nuk kishte probleme dhe nuk kishte krijuar armiqësi. "Nuk di se kush mund të jenë autorët e këtij krimi. Shpresoj që drejtësia greke të kapë dhe të dënojë autorët e vrasjes së djalit tim. Kërkoj gjithashtu që të na sillet trupi sa më parë për të pasur mundësi që ta varrosim dhe ti bëjmë nderimet e fundit këtu",- thotë Elmaz Braho. Ndërkohë burime nga posta e policisë në Cërrik bëjnë të ditur se mund të përjashtohet pista e një hakmarrjeje apo të një hasmërie të vjetër në qytetin lindjes. Autori i vrasjes së djalit të vogël Vladimirit ndodhet në burg dhe po vuan dënimin për krimin e bërë. Dy tragjedi dhe dy djem të vrarë e kanë bërë më të rëndë gjendjen për këtë familje, e cila vuan gjithashtu varfërinë dhe nuk ka mundësi për të sjellë trupin e pajetë të djalit të saj në Shqipëri dhe për këtë kërkon ndihmën e shtetit.