Xhafa: Drejtësia, opozita e gatshme për reformën
Socialistët i rikthehen gatishmërisë për reformën në drejtësi, me qellim pavarësinë e saj nga politika
TIRANË- Socialistët i rikthehen idesë së dialogut pozitë-opozitë për realizimin e reformës në drejtësi. Megjithëse pas shkarkimit të ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku, PS-ja e konsideroi të përfunduar në nivel politik çdo mundësi konsensusi për këtë çështje, dje ajo ka rishprehur gatishmërinë për të kontribuar në rang teknik dhe politik, për hartimin dhe miratimin e një drafti që do të garantonte një drejtësi efiçente dhe të pavarur nga politika. Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Koordinimin në PS-së, Fatmir Xhafaj, në emër të forcës që përfaqëson ka theksuar vullnetin e plotë për të bashkëpunuar me të gjithë aktorët politikë dhe jo politikë, për të bërë të mundur realizimin e një reforme për qytetarët. "Partia Socialiste, gjen rastin të rishprehë edhe një herë gatishmërinë për të kontribuar e bashkëpunuar me të gjitha ata faktorë brenda e jashtë sistemit që kërkojnë reformimin e vërtetë të sistemit të drejtësisë për të garantuar Pavarësi dhe Përgjegjshmëri, Efiçensë e Transparencë të gjyqësorit në dhënien e drejtësisë ndaj qytetarëve të këtij vendi", - u shpreh Xhafaj. PS-ja çmon rëndësinë e këtij procesi, duke e vlerësuar si një pjesë të pandashme të hapave që duhen hedhur drejt integrimit euroatlantik të vendit, dhe para së gjithash, si pjesë thelbësore e detyrimeve të politikës ndaj qytetarëve shqiptarë. Duke u nisur nga fakti se reforma në drejtësi ngrihet mbi logjikën e aritmetikës së votave, PS-ja si nismëtare e këtij procesi, ka ofruar që në muajin gusht konsensus paraprak dhe një platformë të qartë bashkëpunimi. Platformë e cila sipas sekretarit socialist u përqafua dhe nga tryeza që Presidenti i Republikës thirri për këtë çështje gjatë muajit shtator, por që u la mënjanë në momentin e luftës kundër Prokurorisë së Përgjithshme. Pavarësisht këtij vullneti për të bashkëpunuar, socialistët duket se janë të kujdesshëm në hapat e tyre, duke kërkuar një rol real në diskutimin e kësaj çështje. "Opozita nuk mund e nuk do të pranojë të shërbejë as si fasadë, dhe as si garniturë për të justifikuar uzurpimin politik të institucioneve të pavarura, apo më keq, të shërbejë si alibi për të shpallur konsensus artificial përballë partnerëve ndërkombëtarë", - theksoi Xhafaj. Duke iu referuar tryezës së gjerë dy ditëve më parë për këtë reformë, Xhafa ka bërë të qartë se PS-ja vlerëson se ajo mund të realizohet me punë konkrete dhe jo me shfaqje mediatike. "Reforma nuk mund të bëhet me fushata, të emërtuara këto dhe kombëtare. Është koha për punë dhe jo për shfaqje, është koha për të dhënë zgjidhje të përgjegjshme e të qëndrueshme në funksion të reformave që ofrojnë siguri e qëndrueshmëri të sistemit", - u shpreh Xhafa, duke bërë të ditur gjithashtu se një bazë e mirë, ku dhe duhet të fokusohet puna për këtë reformë, është pikërisht platforma e paraqitur nga PS-ja.
"Reforma nuk mund të bëhet me fushata, të emërtuara këto dhe kombëtare. Është koha për punë dhe jo për shfaqje, është koha për të dhënë zgjidhje të përgjegjshme e të qëndrueshme në funksion të reformave që ofrojnë siguri e qëndrueshmëri të sistemit"